Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me rezervat e arit dhe metaleve të çmuara në Republikën e Shqipërisë në harkun kohor 2007-2013. Rezervat e arit dhe metaleve të tjera të çmuara përfshijnë gjendjet e arit jomonetar, platinit dhe të argjendit në kasafortat vendase ose bankat e huaja në një moment të dhënë kohor. Të dhënat në hulumtim janë marrë nga databaza e Bankës së Shqipërisë.

Në vitin 2013 vlera e arit të vendosur në depozita dhe llogari rrjedhëse në bankat e huaja ishte përafro 8.5 miliardë lekë, ose 68% e totalit të këtyre rezervave brenda dhe jashtë vendit. Ari dhe metale të tjera të çmuara të përfshira në aktive vendase vlerësohen me kursin e këmbimit fiks të Londrës. Në datën e raportimit ari dhe metalet e çmuara në kasafortën e Bankës përbëjnë 32% të totalit të rezervave ose 4 miliardë lekë.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Në harkun kohor 2007-2013 gjendja e rezervave të arit dhe metaleve të çmuara ka pësuar ndryshime. Nëse në vitin 2007 rezervat në total brenda dhe jashtë vendit arrinin vlerën e 986 milionë lekëve, në vitin 2013 kjo vlerë është rritur rreth 13 herë për të shënuar një vlerë prej 12.5 miliardë lekësh.


Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Në përputhje me legjislacionin vendas ari dhe metalet e tjera të çmuara mbahen me vlerë të drejtë duke u bazuar në çmimin e Tregut të Arit në Londër (London Bullion Market), në datën e raportimit. Sipas ndryshimit të çmimit në këtë treg ndryshon edhe përllogaritja e vlerës për këtë sasi rezervash. Ky çmim ne vitet 2007 – 2012 ka pësuar rritje të ndjeshme për të shënuar rënie në vitin 2013.

Çmimi i arit dhe metaleve te çmuara ne fund te vitit sipas Tregut të Arit në Londër (London Bullion Market)

Burimi: London Bullion Market, Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA

Në vitin 2012 Banka e Shqipërisë raporton 12 miliardë lekë ar depozitë në bankat e huaja dhe 6 miliardë lekë ar dhe metale të çmuara në kasafortë, pra një total prej 18 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2012, rezervat në fjalë në vitin 2013 kanë pësuar një rënie me rreth 5.5 miliardë lekë. Kjo rënie vjen si rezultat i nënçmimit të arit dhe metaleve të çmuara nga 176 mijë lekë për onz në 122 mijë lekë për onz, e cila fillimisht njihet si fitim ose humbje dhe më pas transferohet në rezervën e rivlerësimit.


Rezerva e arit dhe metaleve te çmuara ne Republikën e Shqipërisë


Burimi: London Bullion Market, Banka e Shqipërisë
Komentet dhe analiza: ODA