Open Data Albania ka përllogaritur masën e përfitimit nga leje lindje sipas ligjit të ri Nr.104, datë 31.07.2014, i cili hyn në fuqi dhe ka efekte zbatimi pas datës 1 janar 2015. Sipas këtij ligji, nuk janë ndryshuar kriteret e përfitimit të lejelindjes duke parashikuar si kusht përfitimi, detyrimin për të pasur 12 muaj periudhë sigurimi për çdo rast leje lindje. Ndryshim pakësues ka pësuar baza mbi të cilën përllogaritet përfitimi.
Kohëzgjatja maksimale e lejes së lindjes në Republikën e Shqipërisë mbetet 365 ditë dhe gjatë kësaj periudhe gruaja me leje lindje merr përfitimet në varësi të statusit të saj të punësimit.
Në llogaritjen e masës së përfitimit ndryshimet ligjore kanë futur konceptin Pagë Neto si një koncept kontabël, kundrejt konceptit dhe termit që njeh e Drejta e Punës e që është Paga.
Paga apo në terminologjinë kontabël Paga Bruto, është shpërblim i të punësuarit (punëmarrësit) për punën e kontraktuar. Nga paga bruto zbritet 9.5 për qind e pagës si pjesa e sigurimit shoqëror që i përket të punësuarit; zbritet 1.7 e pagës si pjesa e sigurimeve shëndetësore të paguara nga punëmarrësi; gjithashtu zbritet tatimi mbi të ardhurat nga paga i cili ndryshon sipas vlerës së pagës.
Paga Neto është gjithnjë më e ulët se Paga Bruto. Diferenca mes tyre, në vartësi të pagës është nga minus 11.2% për pagat e patatueshme deri në minus 34.2% për qind për pagat të tatohen në masën 23%. Më poshtë është përllogaritur se sa është vlera e pagës neto për fasha page bruto nga 30 deri 150 mijë lekë, sikurse diferenca në vlerë mes tyre.
Duke filluar nga 1 janar 2015 e ardhura për gruan e punësuar do të jetë: a) 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. Koncepti Bazë Neto i shtuar në Ligj, ka sjellë efekte pakësuese në përfitimin e leje lindjeve pas datës 1 janar 2015 kundrejt leje lindjeve të për fituara deri në 31 dhjetor 2014.
Konkretisht një grua ka pagën e deklaruar tridhjetë mijë lekë, nëse do të merrte leje lindje para datës 31 dhjetor 2014 do të përfitonte në 6 muajt e parë pagesën për leje lindje mujore prej 24 000 lekë; nëse ajo merr leje lindje pas datës 1 janar 2015 përfitimi mujor në gjashtë muajt e parë të leje lindjes do të jetë vetëm 21 312 lekë.
Ndërsa në gjashtëmujorin e dytë përfitimi përllogaritet si b) 50% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.
Për një grua që ka bazë të vlerësueshme pagën e saj të 12 muajve të fundit, ndryshimi mes përfitimit nëse do të marrë leje lindje deri në datën 31 dhjetor 2014 me rastin kur leje lindja merret në 1 janar 2015 do të jetë gjithashtu i pakësuar.
Ndryshimet ligjore shënojnë edhe disa risi në favor të përfituesve, si për shembull: përjashtimi nga ky rregulli i detyrimit për të pasur 12 muaj sigurim për çdo barrë lindje  rasti kur barrë lindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm.
Gjithashtu pas periudhës 63 ditë pas lindjes të drejtën për leje kujdesi ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.
Vende të rajonit si Kroacia; Maqedonia; Mali i Zi dhe Serbia e kanë masën e përfitimit nga Leje Lindje 100% të pagës (bruto). Serbia është vendi me kushtet më të mira për mirërritjen e të sapolindurve pasi masa e përfitimit të lejelindjes është 106% e pagës. Në nivele të ulëta për Rajonin qëndrojnë Bosnja dhe Kosova me një mesatare prej 60%. Aktualisht Shqipëria renditet në nivelin 63% të pagës Neto (mesatarja për 12 muaj) çka e përkeqëson renditjen e saj mes vendeve të rajonit që përllogarisin me bazë bruto.
Në vitin 2009 shpenzimet e ISSH për pagesat e leje lindjes kanë ardhur ishin 1.23 miliard lekë ndërsa në vitin 2013 këto shpenzime ishin rreth 2.33 miliard lekë.
Përfitimet që vijnë nga leja i lindjes në vendin tonë paguhen tërësisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.