Projekti “Ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash” ngelet padyshim një ndër projektet më ambicioze të financuara në 20 vitet e fundit nga Buxheti i Shtetit. I nisur në vitin 2006, ai i përfundoi punimet në vitin 2010 duke dhënë një ndikim jo të vogël në shpenzimet totale për investime. Financimi i tij ndër vite ishte si më poshtë:

Në vitin 2006 u kryen Studim-Projektimet përkatëse për tre pjesët e rrugës: Rrëshen-Rreps, Rreps-Thirrë dhe Thirrë-Kalimash, me një total prej 421 milionë lekësh dhe filloi ndërtimi i rrugës me një financim 1.3 miliard lekë. Në vitet në vijim, financimi ka avancuar me një ritëm shumë të lartë, për të arritur kulmin në vitet 2008 dhe 2009, vit në të cilin rruga u hap.

Megjithatë, jashtë parashikimeve, rruga për shkak të avarive në tunel thithi fonde edhe në 2010-n me një vlerë prej 11 miliardë lekësh. Në periudhën 2008-2009, ky projekt përbënte zërin kryesor të buxhetit në programin “Rrjeti i rrugëve nacionale” si dhe faktorin më të rëndësishëm, që shpjegonte shumën e lartë të investimeve të realizuara. Grafiku në vijim jep një pamje më të qartë të peshës që ka zënë ky projekt.

Në grafikun e mëposhtën tregohet raporti i këtij projekti kundrejt financimit të rrugëve të tjera. Në vitin 2008 u përdor 61.4% e fondeve të investimeve në rrugë apo 40% të investimeve totale të pushtetit qëndror. Ndërsa në vitin 2009, 57.6% e investimeve në rrugë apo 33.6% e totalit të investimeve të pushtetit qëndror. Në totalin e jetëgjatësisë së financimit të saj, ky segment i rrugës “Durrës-Kukës” ka thithur gati 50% të investimeve të të gjithë rrugëve kombëtare. Pra, bëhet fjalë vërtet për një investim gjigand të përballuar nga Buxheti i Shtetit.

Struktura e financimit të rrugës “Rrëshen-Kalimash”

Ky projekt është mbështetur nga financimi i brendshëm dhe ai i huaj, pothuajse në raportin 2 me 1.

 

Në vitin 2008 projekti u financua nga fondet e huaja me 31.8 miliardë lekë, gjë që ndikoi edhe në rritjen e borxhit të jashtëm për atë vit në 39.7 miliardë. Ndërsa në vitin 2009 peshën e mbajti financimi i brendshëm, gjë që përkon me një rritje të borxhit të brendshëm për financimin e deficitit.

Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania