Open Data Albania po hulumton në lidhje me kontratat e Koncesionit dhe Partneritetit Publik Privat PPP të rinegociuara gjatë Janar 2017- Prill 2021.  Rinegocimi përkon me Ndryshimin e Kontratës apo Marrëveshjes Koncesionare. Ky ndryshim me rinegocim mund të prekë elementë si Objekti, Palët, Afatet, Kushtet apo Vlerën e Kontratës. Në raste të caktuara ndryshimet dhe rinegocimet mund të prekin më shumë se një nga elementët e përmendur.

Ky artikull evidenton Koncesionet PPP të cilat kanë pësuar ndryshime gjatë katër viteve të Mandatit Qeverisës 2017 – Prill 2021.  Databaza Regjistri Koncesionar e krijuar nga organizata AIS ka të dhëna dhe dokumente për të gjitha shoqëritë koncesionare. Kjo databazë është pjesë e Portalit Open Corporates Albania.

Janë nëntë Koncesione që në periudhën nën raportim, janë rinegocuar dhe ndryshuar. Dy prej tyre janë rinegociuar dy herë në këtë periudhë. Ato janë: a. Koncesionin PPP Për Ndërtimin dhe Administrimin e Impiantit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë me shoqëri zbatuese Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k; dhe b. Koncesioni Për Ndërtim, shfrytëzim dhe transferim të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, me shoqëri zbatuese Porti MBM sh.p.k.

Viti 2020 ka më shumë Rinegocime në Koncesione. Në këtë vit janë ndryshuar pesë kontrata koncesioni. Po kështu në Janar – Prill 2021 janë rinegociuar dy Marrëveshje  Koncesionare PPP.

Aeroporti i Rinasit është një koncesion që zbatohet nga shoqëria koncesionare Tirana International Airport sh.p.k. Në datën 1 dhjetor 2020 Shoqëria zotëruese Real Fortress Private Limited shiti të plota kuotat e saj në favor të shoqërisë shqiptare Kastrati Group me çmim shitje 71 milion Euro. Me Ligj të Miratuar në Kuvend nr 16/2021 data 8 shkurt 2021, Ligjvënësi  shtoi jetëgjatësinë e Koncesionit me trembëdhjetë vite të tjera afat operimi. Afati i marrëveshjes koncesionare u bë 35 vjet. Plani i investimeve gjithashtu u ndryshua dhe  shoqëria koncesionare do të kryejë Investim shtesë në vlerën rreth 99 milion Euro, për Infrastrukturën e Aeroportit.

Për Koncesionin për Ndërtim, shfrytëzim dhe transferim të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, kontratë që zbatohet nga shoqëria koncesionare Porti MBM, me vlerë investimi 1 280 814 000 Lekë, është ndryshuar objekti i aktivitetit të koncesionit. Nga “përpunim i mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20 000 Ton” u bë “aktiviteti i ngarkimit, shkarkimit dhe përpunimit të anijeve që transportojnë mallra të tjera”. Kjo kontratë është Miratuar me Ligjin nr. 58 në Kuvend në datën 30. Prill 2020, që përkon me datë në të cilën vendi ishte shpallur Në Gjendjen të Fatkeqësisë Natyrore.  Kjo kontratë është ndryshuar edhe njëherë tjetër gjatë periudhës nën analizë, me ligj në Kuvend në vitin 2018, ku ka pësuar ndryshime në vlerën e investimit për shkak të ndryshimeve të situatës reale në terren.

Koncesioni PPP Për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, me shoqëri koncesionare S2 Albania sh.p.k është rinegociuar si rezultat i situatës së Pandemisë Covid-19. Palët kanë dakordësuar shtyrjen e kësteve të pagesës së marrëveshjes së koncesionit për muajt Shtator, Tetor, Nëntor 2020, si dhe shtyrjen e pagesës së këstit të prapambetur të muajit Gusht, pa penalitete apo interesa mbi këto këste. Këto pagesa do të likujdohen nga ana e Autoritetit Kontraktor nga 1 Janar- 31 Dhjetor 2022. Për këtë shtyrje shteti shqiptar duhet të paguajë shtesë në total 3 354 859 Euro në vitin 2022. Pra,  Buxheti i Shtetit duhet të paguajë në total së bashku me Këstin  rregullt vjetor  vlerën 16 591 598 Euro.

Koncesioni PPP Për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimi i energjisë me shoqëri koncesionare Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k ka ndryshuar dy herë gjatë periudhës së marrë në analizë. Në vitin 2017, Rinegocimi konsistonte në ndryshimin e vendodhjes  së sheshit për ndërtimin e Inceneratorit.  Rinegocim i dytë ka ndodhur me Marrëveshjen mes palëve datë 11 Shtator 2020, të cilët ndryshuan afatin për ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane në Qarkun Fier dhe prodhimin e energjisë,  duke e shtyrë afatin me  tetë muaj deri në datën 31 Mars 2021 si afat përfundimtar.

Koncesione të tjera që kanë pësuar ndryshime apo shtesa janë kontratat që zbatohen nga shoqëritë  koncesionare kryesisht për ndërtim Vepra Hidrike Energjetikë për shoqëritë zbatuese konsesioni: Kroi Mbret Energji sh.p.k; Vokopola Energji sh.p.k; H.K Hec Grabova 2 sh.p.k;  dhe AYEN AS ENERJI sh.a.

Nëse marrim në konsideratë palën që ka bërë propozimin fillestar për rinegocimin e kontratës së koncesionit PPP, vihet re se në pesëdhjetë e pesë përqind të rasteve ndryshimet e kontratave kanë ardhur nga ana e Partnerit Privat, ndërsa në dyzet e pesë përqind të rasteve këto ndryshime janë propozuar nga ana e Autoritetit Kontraktor.

Kontrata Koncesionare dhe PPP, në fuqi, të dhëna dhe Dokumente mbi Kompanitë e Regjistruara për Zbatimin e Tyre, janë të publikuara në një format lehtësisht të aksesueshëm dhe të mirë strukturuar në DataBazën Regjistri Koncesionar portali OpenCorporates.al. Dokumenti në Excel i këtij artikulli ka të dhëna dhe informacion mbi bazën e të cilit është bërë vizualizimi. Ky dokument është lehtësisht i shkarkueshëm dhe i lirë për përdorim. Të tjera databaza të Organizatës AIS, janë spending.data.al ; OpenPocurement.al dhe OpenCorporates.al

Ky artikull hulumtues po publikohet në kuadër të projektit Open Data, Access and Transparency over Sectors to Risk of Corruption.

Shkarko excel: Rinegocim për Kontrata Koncesionare PPP, Shtesa dhe Ndryshime Janar 2017 – Prill 2021
Comment and Analysis: Open Data Albania