Open Data Albania po publikon të plotë Listën e Bizneseve të cilat po marrin pjesë në procesin e rindërtimit pas Tërmetit 2019. Lista është krijuar në bazë të të dhënave të Pagesave të bëra në favor të këtyre shoqërive nga Thesari i Shtetit. Këto pagesa janë bërë sipas Kontratave të Lidhura për Projekte të Rindërtimit dhe situacioneve të Punimeve. Pagesa e parë është bërë në mars 2020. Në këtë artikull janë listuar dhe renditur bizneset për periudhën kohore Mars 2020 deri Maj 2021. Në total për këtë periudhë janë paguar për 104 Kompani, vlera totale prej 12 405 819 210 Lekë. Në Euro janë rreth 100.86 Milion Euro. Në artikull janë vetëm objektet që buxhetoren me Fondin e Rindërtimit Buxheti i Shtetit Shqiptar, dhe nuk janë listuar Kompani që po ndërtojnë objekte strukturore dhurata të qeverive apo organizmave bamirëse/ Programi i Rindërtimit mbulon me kontrata dhe pagesa procese si: vlerësim dëmesh; shembje godinash të rrezikshme; zhvendosje inertesh; projektim; rikonstruksion; ndërtimin nga e para; mobilim institucioni dhe mbikëqyrje punimesh.

Procedura për kontraktim është përzgjedhur me Akt Normativ të miratuar në dhjetor 2019 menjëherë pas Tërmetit. Në çdo kontraktim është përdorur Procedurë e Kufizuar (jo e hapur), me afat vetëm 10 ditor për paraqitje interesi, me vlerë të lartë të procedurës së njoftuar për shkak të bashkimit të disa objekteve  pasuar me me disa minikonkurse ku pjesa e paraqitjes së ofertës për minikonkurs bëhet pa sistem elektronik. Konkurrimi i hapur, paanësia me sistem elektronik, dhe konkurrimi sipas objektit të drejtpërdrejtë dhe jo objekt tematik dhe gjeografik, kanë ceduar. E njëjta procedurë po aplikohet edhe për tendera që shpallen muaj apo vite pas Ngjarjes Fatkeqësi Natyrore ku Kontraktimi dhe Ndërhyrja nuk janë më procedura në emergjencë ekstreme, por në një emergjencë të moderuar ku Legjislacioni për Prokurimet Publike do të aplikohej shumë më me eficensë dhe pa rrezik për favorizim dhe klientelizëm.

Kompania e paguar më shumë dhe në krye të renditjes është Kevin Construction me 1.35 miliard lekë ose rreth 10.9 % e totalit të shumës Fond Rindërtimi të paguar. Shoqëria Kevin Construction me numër identifikues K71401004W është themeluar në 2006 nga Safet Gjici dhe sot zotërohet nga Lavdërim Gjici. Shoqëria ka fituar disa kontrata për Programin e Rindërtimit për operim e vetme ose në bashkim operatorësh.

Në renditje e dyta sipas Pagesa Thesari, Fondi i Rindërtimit vjen shoqëria Gjikuria, kjo shoqëri ka arkëtuar nga Thesari deri në Maj 2021 një total prej 778 994 444 Lekë. Gjikuria është një shoqëri që vepron në sektorin Ndërtim, me numër identifikimi J62903456H e themeluar në vitin 1995 me zotërues Florenc dhe Milo Gjikuria.

Në renditje numrin tre e mban G. P. G Company me numër identifikimi J64324443V , me transferta nga Thesari për situacione që lidhen me fondin e rindërtimit pas tërmetit në vlerën 695 134 003 Lekë. Renditja Vijon me shoqëri si Ante – Grup vlera e transaksioneve nga Thesari për Rindërtimin është 610 305 876 Lekë; Company Riviera 2008 me vlerë transaksioni nga Thesari 543 993 334 Lekë, Pe-Vla-Ku me vlerë 445 441 515 Lekë; Gener 2 vlera 435 641 686 Lekë; ArkonStudio 367 482 772 Lekë. Kompani që kanë mbi 100 milion lekë transaksione janë 37. Pjesa tjetër janë kryesisht shoqëri që janë angazhuar në hartime projekti apo kane ende pak situacione të arkëtuara. Tenderat Fondi i Rindërtimit për Bashki dhe Fondi i Rindërtimit përmes Institucionit Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë të listuara në Portalin Open Procurement Albania.

Për secilën nga shoqëritë e listuara në renditje, në Portalin Open Corporates Albania rubrika Kontraktor të Bashkive mund të gjeni një pasaportë me informacion mbi shoqërinë, objektin e punës, data e themelimit, zotëruesit, drejtuesit, performancën ekonomike në vite, çështje ligjore dhe lista për Pagesa Thesari apo Kontrata Tenderimi të Fituara. Pasaportat janë krijuar  si pjesë e aktiviteteve të Projektit“Monitorimi Qytetar dhe Transaprencë mbi Kontraktor Privat të Bashkive për Shërbime dhe Investime Publike„ mbështetur Financiarisht nga Leviz Albania, një Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.

Databaza ku mund të gjeni të dhëna të hapura transparente për shpërndarjen e kontratave dhe parave publike janë Open Procurement Albania të dhëna për tendera të Institucioneve të rëndësishme në vend. Spending Data Albania pagesa thesari me çdo pagesë që bëhet nga institucionet buxhetore tek palë të treta dhe Open Corporates Albania të dhëna të hapura për kontraktor dhe biznese të rëndësishme për Intersin Publik.

Shkarko excel: Transparencë Biznese, Kompanitë që po Rindërtojnë Shqipërinë Pas Tërmetit, Pagesa Fondi i Rindërtimit Mars 2020 – Maj 2021
Comment and Analysis: Open Data Albania