Open Data Albania po hulumton mbi treguesit e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri, për periudhën 8-mujore Janar-Gusht 2021. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka patur Eksport Bruto (energji në dhënie) në total prej 2,309,783 MWh dhe ka Importuar (energji në marrje) një total prej 910,122 MWh.

Rënia e eksportit bruto të energjisë elektrike ka filluar që në tremujorin e parë të këtij viti, përkatësisht që prej muajit Mars 2021, ku dhënia e energjisë elektrike ra me 37% krahasuar me muajin Shkurt. Pas një rritjeje të lehtë të eksportit në muajt Prill-Maj, përsëri eksporti i energjisë elektrike pësoi rënie të konsiderueshme duke shënuar vlerën 83,482 MWh në muajin Gusht, apo 46% më pak krahasuar me muajin Korrik 2021.

Njëkohësisht, po në tremujorin e parë të vitit, përkatësisht në muajin Mars 2021, u vu re një rritje me 185% të importit bruto të energjisë elektrike, rritje e cila vijoi në mënyrë qëndrueshme edhe në muajt në vijim. Në muajin Gusht, Shqipëria importoi 357,410 MWh energji elektrike duke thelluar deficitin e balancës tregtare të energjisë elektrike.


Të dhënat: ERE (2021), “Energjia: Bilanci i Energjisë Elektrike”
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Të dhënat: ERE (2021), “Energjia: Bilanci i Energjisë Elektrike”
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për periudhën Janar-Gusht 2021, Prodhimi neto vendas shënoi vlerën 7,089,029 MWh energji elektrike apo 92% më shumë krahasuar me vitin 8-mujorin e vitit 2020. KESH sh.a përbën rreth 61% të prodhimit total dhe 39%  të prodhimit total e sigurojnë prodhuesit e tjerë të energjisë. Sipas llojit, gjatë kësaj periudhe prodhimi më i madh i energjisë elektrike vjen si rezultat i burimeve hidrike me rreth 99.5% dhe vetëm 0.5% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të tjera të rinovueshme.


Të dhënat: ERE (2021), “Energjia: Bilanci i Energjisë Elektrike”
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sa i përket konsumit të energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri janë konsumuar në total 5,689,382 MWh energji elektrike apo rreth 14% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Konsumi i energjisë elektrike i referohet përdorimit nga konsumatorë familjarë dhe jo familjarë dhe sasisë së humbjeve në rrjet të energjisë elektrike. 


Të dhënat: ERE (2021), “Energjia: Bilanci i Energjisë Elektrike”
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Të dhënat: ERE (2021), “Energjia: Bilanci i Energjisë Elektrike”
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Konsumatorët më të mëdhenj janë klientët tarifor të cilët janë ata klientë që blejnë energji elektrike nga Furnizuesi Publik me Pakicë me tarifa te rregulluara nga Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike (ERE) me 64% të konsumit total.

Shkarko excel: Eksporti dhe Importi i Energjisë Elektrike në Shqipëri, Janar – Gusht 2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania