Open Data Albania po hulumton në lidhje me investimet e reja të planifikuara në fushën e Teknologjisë së Informacionit TIK, me financim nga Buxheti i Shtetit për periudhën kohore 2022-2024. Burimi i informacionit është Projekt Buxheti i miratuar në Kuvend me ligjin nr.115, datë 25.11.2021.

Janë 22 projekte në fushën e teknologjisë të planifikuara për të filluar në 2022 e për tu realizuar në periudhën 2022-2024, me vlerë totale 9.95 miliardë Lekë apo rreth 21.4% e Investimeve të reja të planifikuara për tu realizuar gjatë të njëjtës periudhë. Kryesisht këto projekte kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës hardware dhe software; ndërtim i Sistemeve dhe Infrastrukturë TIK; optimizim dhe i Infrastrukturave të sigurisë, ndërtimi i sistemeve së menaxhimit të të dhënave etj.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nga këto 22 Investime të reja të planifikuara në fushën e TIK, 18 prej tyre do të fillojnë zbatimin që në vitin 2022. Më poshtë janë paraqitur 10 Investimet në fushën e TIK me vlerën më të lartë të kontratës dhe të peshës buxhetore për vitin 2022:

  1. Projekti Sisteme dhe Infrastrukturë TIK për Forcat Ajrore (Reparti Ushtarak Nr. 3001, Tiranë), ka koston më të lartë buxhetore, ku vetëm për vitin 2022 shteti do të paguajë 1.29 miliardë Lekë apo rreth 10.6 milion Euro.  Vlera totale e këtij projekti të ri publik, me kohëzgjatje 2022-2024, është 4.38 miliardë Lekë, dhe duhet të realizohet nga Ministria e Mbrojtjes
  2. Përmirësimi i sistemve TIK për Policinë e Shtetit me vlerë totale të kontratës 1.08 miliardë Lekë. Për vitin 2022, nga Buxheti i Shtetit do të paguhen rreth 500 milionë Lekë për zhvillimin e këtij projekti. Ky projekt do të zbatohet nga AKSHI
  3. Një tjetër projekt me peshë të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022, është investimi publik Cyber Security nga Ministria e Mbrojtjes, i cili do të zbatohet brenda vitit 2022 dhe ka vlerë 200 milionë Lekë.
  4. Dy Projekte të tjera kanë në fokus ndërtimin e laboratorëve TIK në Arsimin  e Bazë dhe Arsimin e Mesëm, me vlerë totale 600 milionë Lekë respektivisht për secilin projekt. Gjithashtu edhe vlera që do të zënë në Buxhetin e Shtetit për vitin 2022 është 200 milionë Lekë për secilin prej projekteve. Këto projekte do të zbatohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me UNDP-në.
  5. Sisteme dhe Infrastrukturë TIK për Agjencinë e Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit me vlerë totale të projektit rreth 1.16 miliardë Lekë. Nga Buxheti shtetit për vitin 2022, për këtë projekt do të paguhen 129.7 milionë Lekë. Ky projekt do të zbatohet nga Reparti Ushtarak nr.6640 Tiranë.
  6. Një tjetër projekt me vlerë të konsiderueshmë në fushën e TIK është Pajisja  elektronike dhe sisteme IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me vlerë totale 488 milionë Lekë. Për vitin 2022, pesha që zë në Buxhetin e Shtetit ky projekt është 200 milionë Lekë. Ky projekt do të zbatohet të periudhën 2022-2023.
  7. Sistemi Informatik i menaxhimit të proceseve të brendshme është një tjetër projekt që do të zbatohet nga Ministria e Drejtësisë brenda vitit 2022 me vlerë totale 58.4 milionë Lekë.
  8. Ndërsa Arkivi Qëndror i Forcës së Armatosur do të zbatoje projektin e Sistemit të dixhitalizimit të dokumenteve arkivore gjatë periudhës 2022-2024, me vlerë totale 95,9 milionë Lekë. Për vitin 2022, pesha në Buxhetin e Shtetit për këtë projekt do të jetë 50 milionë Lekë.
  9. Gjatë vitit 2022, Gjykata e Rrethit Tiranë do të realizojë projektin e Regjistrit Kombëtar Elektronik të OJF-së me vlerë 57 milionë Lekë.
  10. Një tjetër projekt që do të realizohet brenda vitit 2022 është Sistemi elektronik i menaxhimit të denoncimeve mbi rekordet korruptive, nga Ministria e Drejtësisë. Pesha e këtij projekti në Buxhetin e Shtetit për vitin 2022, është 46.9 milionë Lekë.

E shumë përfolur Agjencia për Median dhe Informimin zë vend në listën e Investimeve Publike të sektorit me një fond prej 21.5 milion lekësh për Pajisje Informatike. Vendi ka kaluar një situatë kritike më tërmetet e vitit 2019 ndaj buxhet për investime merr Instituti i Gjeoshkencave me  117.59 milion lekë për Infrastrukturë TIK.  Në listën e Investimeve të Teknologjisë së Informacionit është edhe Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më një investim për digjitalizim të deklarimeve prej 30 milion lekësh.

Shkarko excel: Teknologji Informacioni TIK, Investime të Reja Buxheti i Shtetit 2022-2024
Komente dhe Analiza : Open Data Albania