Open Data Albania po hulumton mbi performancën e Bankave të Nivelit të Dytë në Shqipëri gjatë 3 (tre) vjeçarit të fundit. Në shqyrtim janë marrë edhe pagesat e Thesarit të Shtetit që realizohen nëpërmjet Bankave për secilin vit.

Në fillim të periudhës që po analizojmë, në vitin 2019, ishin ende 14 banka aktive në Shqipëri. Për të arritur tek reduktimi i numrit të bankave të nivelit të dytë nga katërmbëdhjetë në dymbëdhjetë, kanë ndodhur këto ndryshime: Në mars të 2019 është realizuar përthithja e Bankës Ndërkombëtare Tregtare nga Union Bank; Banka e Kreditit ka përfunduar procesin e likuidimit në tetor të 2020 duke u ç’regjistruar përfundimisht nga regjistri tregtar.

Meqenëse dy bankat e ç’regjistruara kanë qenë aktive vetëm në vitin e parë të periudhës që po marrin në shqyrtim, ne do të analizojmë vetëm 12 bankat që janë aktive.

Vlera e transaksioneve të Thesarit të Shtetit të kryera nga Institucionet buxhetore nëpërmjet bankave të nivelit të dytë gjatë periudhës 2019-2021 është 362 miliard lekë.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë vitit 2019 kemi një total shpenzimesh thesari prej 114 miliard lekë, të shpërndara nëpërmjet 12 bankave të nivelit të dytë. Në krye të listës për këtë vit qëndron Raiffeisen Bank sha me një vlerë transaksionesh rreth 49.8 miliard lekë, që përbën 43.6% të totalit të pagesave për të gjithë bankat. Banka Credins është e dyta në renditje për vitin 2019 me një shumë transaksionesh prej 29 miliard lekë, duke marrë kështu 25.5% të peshës totale të transaksioneve të Thesarit. E treta në rradhë qëndron Banka Kombëtare Tregtare e cila ka kryer transaksione me vlerë 17.9 miliard lekë nga thesari i shtetit, që përbëjnë 15.7% të totalit. Banka e Bashkuar e Shqipërisë qëndron në fund të listës me vetëm 3.6 milion lekë transaksione nga thesari i shtetit.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në vitin 2020, totali i transaksioneve të thesarit që institucionet buxhetore kanë paguar nëpërmjet bankave të nivelit të dytë është 127 miliard lekë. Në krye qëndron përsëri Raiffeisen Bank me 48.9 miliard lekë, që janë 38.5% e peshës totale të transaksioneve. Banka Credins vazhdon të mbajë vendin e dytë edhe për këtë vit. Vlera e transaksioneve të thesarit që ajo ka kryer është 31 miliard lekë ose 24.5% të totalit. E treta është Banka Kombëtare Tregtare me një vlerë transaksionesh prej 21.8 miliard lekë ose 17.2% të totalit. E fundit është përsëri Banka e Bashkuar e Shqipërisë, e cila ka kryer 104 milion lekë transaksione thesari ose 0.08% të totalit duke shënuar një rritje në raport me 2019, ku kishte vetëm 0.003% të totalit të vlerës së transaksioneve.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë vitit 2021 shikojmë që përsëritet e njëjta pasqyrë si në dy vitet e mëparshme. Shpërndarja e parasë publike nëpërmjet bankave është pothuajse e njëjtë. E para në listë është Raiffeisen Bank sha me 49 miliard lekë ose 40.7% të peshës totale të transaksioneve bankare të thesarit. Vendi i dytë dhe i tretë vazhdojnë të jenë Banka Credins dhe Banka Kombëtare Tregtare me përkatësisht 31.9 miliard lekë dhe 19.67 miliard lekë. Edhe renditjet e fundit nuk kanë surpriza, Banka e Bashkuar e Shqipërisë në 2021 ka kryer 15.7 milion lekë transaksione thesari.

Po të shohim rritjen me bazë vjetore të transaksioneve të thesarit për secilën bankë, vëmë re që për 11 banka (duke përjashtuar Raiffeisen Bank) kemi patur rritje për vitin 2020. Rritjen më të lartë të vlerës së transaksioneve e ka Banka e Bashkuar e Shqipërisë, e cila ka 104.4 milion lekë transaksione thesari në 2020 në raport me 3.6 milion lekë në 2019. Gjithashtu ProCredit Bank ka pasur një rritje të transaksioneve me 158% në raport me 2019. Rritja totale për të gjitha bankat në këtë vit ishte 11%.

Ndërkohë që gjatë vitit 2021 ka ndodhur trendi i kundërt, 10 banka kanë shënuar rënie të transaksioneve të thesarit në raport me vitin e kaluar. Përjashtim bën Banka Credins dhe Raiffeisen Bank sha. Rënien më të lartë e ka Banka e Bashkuar e Shqipërisë që ka 85% më pak vlerë transaksionesh thesari në raport me vitin 2020, duke u ndjekur nga ProCredit Bank dhe Union Bank me 48% dhe 45% rënie në raport me vitin e kaluar. Pra, bankat që kanë pasur më shumë rritje me bazë vjetore në 2020, kanë pësuar rënie në 2021. Rënia totale për të gjitha bankat në këtë vit është 5% e vlerës. Kjo rënie është vetëm në bazë vjetore dhe jo në vlerë dhe vjen si pasojë e rritjes së lartë në 2020. Nëse krahasojmë rritjen duke u nisur nga 2019, pothuajse të gjitha bankat kanë regjistruar më shumë transaksione thesari në 2021 në raport me 2019. Rritja totale e transaksioneve të thesarit të kryera nga bankat për periudhën 2019-2021 është 6% e vlerës total të transaksioneve.


Burimi: Burimi: Open Spending Albania
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Transaksionet e thesarit të shtetit përmes bankave të nivelit të dytë përbëjnë 24.69% të vlerës së transaksioneve të thesarit në total për periudhën 2019-2021. Kjo peshë ka qenë më e lartë në 2020 me 26.12% dhe më e ulët në 2021 me 23.14%.

Të dhëna mbi shoqëritë financiare banka të nivelit të dytë; themelimin, zotërimin, shitjet dhe bashkimet ndërmjet tyre janë të publikuara edhe në portalin Open Corporates Albania rubrika Shoqëri Financiare Banka. Rubrika Transaksione Thesari , shërbim i ofruar nga Organizata AIS ka të dhëna për çdo pagesë të buxhetit të shtetit tek të tretët. Të dhënat janë të mirë-strukturuara dhe kërkimi mund të bëhet sipas Institucionit Buxhetor; Përfituesit; Kategorisë së Shpenzimit; Datave të Pagesave dhe me fjalë kyçe.

Shkarko excel: Transaksione Thesari përmes Bankave të Nivelit të Dyte, Pozicioni dhe Vëllimi 2019-2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontriboi: A. Brahaj, A. Lala