Open Data Albania po përditëson të dhënat në lidhje me çmimet e blerjes dhe të shitjes së Energjisë Elektrike nga shoqëritë energjitike. Në këtë artikull do të paraqitet çmimi i blerjes dhe shitjes së Energjisë Elektrike nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., (KESH), për periudhën  Janar- Tetor 2022. Open Data ka publikuar më parë një Artikull mbi çmimin e shitjes dhe të blerjes së energjisë elektrike nga KESH për periudhën Janar- Gusht 2022.

Pas muajit Gusht 2022,  në muajt në vijim vihet re një rënie në çmimin e energjisë elektrike në Bursën Hungareze HUPX, e cila shërben si bursë referencë për rajonin e Ballkanit.

Pavarësisht rënies së çmimit në bursa, KESH vijon të mbështetet nga Buxheti i Shtetit. Për të përballuar krizën e energjisë për vitin 2022, Qeveria ka vënë në dispozicion të KESH  si mbështetje buxhetore 20 miliardë lekë në total. Deri më tani janë akorduar rreth 16 miliardë Lekë  apo 134 milionë Euro për periudhën Korrik -Tetor, me qëllim  mbulimin me likuiditet të veprimtarisë operacionale të shoqërisë (Vendimi nr.498, datë 29.07.2022 dhe Vendimi nr. 603, datë 14.09.2022).

Nga një vrojtim i Rezultateve të Tenderit për Blerje Energjie Elektrike të publikuara në faqen zyrtare të shoqërisë KESH sh.a, për periudhën Janar – Tetor 2022, KESH sh.a ka blerë 957,552 MWh Energji Elektrike me vlerë totale rreth 330,87 milionë Euro pa TVSH.



Burimi: KESH, HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në treg të hapur nga KESH sh.a për periudhën Janar- Tetor 2022 është 345.54 Euro për Megavat orë (MWh).

Kryesisht çmimi me të cilin KESH ka blerë energji elektrike është më i lartë se çmimi mesatar bursës Hungareze HUPX. Për muajin Shtator KESH ka blerë 112,476 MWh me çmim mesatar të ponderuar rreth 478.13 Euro/MWh apo 86.78 Euro/MWh  më shumë se çmimi mesatar i Bursës HUPX.

Për muajin Tetor 2022, gjithashtu KESH ka blerë energji elektrike me çmim mesatar  rreth 307.85 Euro/MWh apo rreth 113.9 Euro/MWh më shumë se çmimi mesatar i Bursës HUPX për muajin Tetor.



Burimi: KESH, HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Gjithashtu në periudhën Janar – Tetor 2022, KESH sh.a nuk ka pasur tendera për shitje të energjisë elektrike. Në total KESH për vitin 2022 sh.a ka shitur  24,130 MWh me çmim të ponderuar 248.83 Euro/MWh me vlerë totale rreth 6 milionë Euro.

Në grafikun e mëposhtëm  paraqitet ecuria e çmimeve mesatare mujore në Bursën Hungareze HUPX  e cila merret si referencë edhe në transaksionet e shoqërive që operojnë në tregun e energjisë në Shqipëri. Për muajt Shtator-Tetor vihet re një rënie në çmimet e energjisë elektrike sipas Bursës Hungareze HUPX. Në muajin Shtator, çmimi mesatar HUPX ka shënuar 391.35 Euro/MWh me një rënie prej 11.8% krahasuar me muajin Gusht 2022. Ndërsa në muajin Tetor çmimi mesatar ka shënuar 193.94 Euro/MWh, apo rreth 50% më ulët se çmimi në Shtator 2022.



Burimi: HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Çmimi mesatar ditor më i lartë gjatë muajve Shtator – Tetor 2022 është shënuar në datë 06 Shtator i llogaritur në 531.44 Euro/MWh



Burimi: HUPEX
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë Artikull janë marrë nga Korporata Elektroenergjitike e Shqipërisë dhe faqja zyrtare e Bursës Hungarezë HUPX. Bursa hungareze HUPX shërben si bursë referencë për rajonin e Ballkanit.

Artikuj të tjerë në lidhje me Sektorin e Energjisë, çmime shitje dhe blerje energjie, garancitë në fushën e energjisë elektrike i gjeni tek Open Data Albania, Tema Energjitikë.

Shkarko excel: Çmimi i Blerjes dhe Shitjes së Energjisë Elektrike nga KESH, Janar- Tetor 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania