Në vitin 2020 janë 40 499 qytetarë shqiptarë që kanë përfituar shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria renditet në numër vendi i tretë si vend origjine për shtetas që aplikojnë dhe fitojnë shtetësinë e një vendi EU por mbetet vendi i parë në Europë dhe qëndron në nivele të theksuara po të gjykojmë që jemi MË pak se 3 milion rezident. Siria vend i konflikteve në dekadën e fundit dhe Maroku qëndrojnë më lart se Shqipëria në këtë renditje vjetore.

Viti që ka shënuar numrin më të lartë të qytetarëve shqiptarë që kanë fituar shtetësi të një prej shteteve të BE-së është viti 2016, kohë në të cilën fituan shtetësi, 67 015 qytetarë shqiptarë. Në analizë janë marrë vitet 2010-2020. Ky vit korrespondon edhe me vitin në të cilin vendet e BE-së kanë dhënë më shumë dokumenta shtetësise, përkatësisht 843 894 dokumenta. Përgjatë 11 viteve të marra në shqyrtim, shqiptarët kanë marrë 6% të dokumentave të shtetësisë gjithsej. Viti me përqindjen më të lartë të dokumentave të marra nga shqiptarët është viti 2017, vit në të cilin 8.4% e totalit të atyre që morën shtetësi të një nga vendeve të BE-së ishin shqiptarë.



Burimi: EUROSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në 5 vjeçarin 2016-2020 është siguruar shtetësi në vendet e BE-së nga 255 183 qytetarë shqiptarë. Ky numër përbën 7% të të gjithë qytetarëve që kanë marrë shtetësi BE-je. Italia është shteti nga i cili kanë përfituar shtetësi më shumë qytetarë shqiptarë. Përkatësisht në vitet 2016-2020 kanë përfituar shtetësi Italiane 140 013 shqiptarë ose 55% e totalit të shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi në 27 vendet e BE-së së bashku. Greqia është vendi i dytë me numrin më të madh të shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi greke, përkatësisht 107 365. Ky numër përbën 42% të totalit të shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi në BE. Pra, duket që kryesisht shqiptarët, 247 378 qytetarë ose 97% e tyre kanë përfituar shtetësi vetëm në dy vende, Itali dhe Greqi.

Pjesa tjetër kryesisht ka përfituar shtetësi në Belgjikë, 2 191 shqiptarë dhe në Gjermani 1 834 shqiptarë.



Tabela: Numri dhe pjesa e shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi, sipas vendeve të BE-së, Total 5-vjeçari 2016-2020
Burimi: EUROSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: EUROSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Analiza në bazë të shteteve që kanë dhënë shtetësi shtetasve të tjerë na tregon se Greqia ka dhënë shtetësi 124 972 qytetarëve të huaj. Ndër këta 86% e tyre janë shqiptarë. E njëjta gjë mund të thuhet me Italinë. Italia ka dhënë shtetësi 719 523 qytetarëve të huaj, ku ndër ta 19% janë shqiptarë.



Burimi: EUROSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat sipas gjinisë së shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi në një nga vendet e BE-së nuk tregojnë diferenca gjinore. Raporti përgjatë të gjitha viteve është pothuajse në nivele të barabarta.



Burimi: EUROSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, numri i shqiptarëve që kanë përfituar shtetësi në një nga vendet e BE-së është më i lartë. Madje diferencat janë relativisht të mëdha. Gjithsej për vitin 2020 kanë marrë shtetësi të vendeve të BE, 68 951 qytetarë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga këta 59%, pra 40 499 qytetarë janë me shtetësi shqiptare. Shqiptarët që kanë përfituar shtetësi BE-je përbëjnë më shumë individë sesa shtetasit nga pesë vendet e tjera të BP-së sëbashku.

Ecuria përgjatë viteve 2010-2020 tregon po të njëjtën gjë, me ndryshime jo të rëndësishme. Qytetarët me numrin më të lartë, me diferenca të rëndësishme e përbëjnë shqiptarët. Në vend të dytë përsa i përket shtetësisë së BE-së, qëndrojnë Serbët me 13% të totalit të qytetarëve të BP-së që kanë përfituar nënshtetësi. Rreth 11% e qytetarëve të BP-së që kanë përfituar shtetësi të BE-së, përbëhet nga shqiptarët e Kosovës.



Burimi: EUROSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Italia është vendi që ka dhënë më shumë dokumenta edhe për maqedonasit, përkatësisht për 66% të atyre që kanë përfituar dokumenta në një nga vendet e BE-së. Afërsisht 13% e maqedonasve që kanë përfituar një nënshtetësi BE-je në 2016-2020 kanë përfituar shtetësi gjermane. Malazezët ndryshe nga të tjerët kanë përfituar shumica shtetësi në Lukemburg (38.4% e atyre që kanë përfituar shtetësi në një vend të BE-së). Vendi i dytë për ta është Gjermania, me 25.7% të tyre. Gjermania është vendi i parë për shqiptarët e Kosovës (46%), për serbët (27.2%) dhe për boshnjakët (24.4%). Vendi i dytë për shtetasit e këtyre vendeve që ka lëshuar më shumë dokumenta shtetësie është Italia. Përkatësisht, shqiptarët e Kosovës (31.1% e shtetasve kosovarë që kanë marrë nënshtetësi në një nga vendet e BE-së), serbët (21.9%) dhe boshnjakët (16.1%) kanë marrë nënshtetësi italine gjatë viteve 2016-2020.

Shqiptarët po vazhdojnë që të largohen nga vendi i tyre, duke kërkuar që të jenë shtetas të një shteti tjetër, ku shumica e tyre kërkojnë shtetësi të vendeve të BE-së dhe përkatësisht atyre që kemi më afër edhe gjeografikisht por edhe kulturalisht, siç janë Italia dhe Greqia.

Shkarko excel: Shqiptarët që fituan shtetësi në vendet e Bashkimit Europian 2010-2020, qasje krahasuese me vendet e Ballkanit Perëndimor
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha