Open Data Albania po përditëson trendin dhe vëllimin e veprave penale me sfond elektoral në Shqipëri, në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit. Të dhënat janë bazuar në Vjetarë Statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë.

Kodi Penal aktual përmban dymbëdhjetë nene, ku parashikohen krime dhe kundravajtje penale që cenojnë proceset zgjedhore. Vetëm në vitin 2012 janë shtuar nga ligjvënësi katër nene me parashikime për vepra penale me sfond elektoral dhe në vitin 2016 janë shtuar tre nene.

Respektivisht në kodin penal janë disa nene që parashikojnë vepra penale kundër zgjedhjeve të lira dhe sistemit zgjedhor demokratik: Neni 325 Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese; Neni 326 Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve; 326 pika a Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor; Neni 327 Shkelja e fshehtësisë së votimit; 327 pika a Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar; Neni 328 Korrupsioni aktiv në zgjedhje; 328/a Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore; Neni 329 Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje; Neni 330 Pengimi i Zgjedhësit; 330/a Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Neni 331 Shkelja e së drejtës së zgjedhjes; 331/a Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit; Neni 332 Shpërdorimi i autoritetit ushtarak; 332/a Shpërdorimi i autoritetit policor.

Procedimet gjyqësore mund të iniciohen edhe në bazë të Kodit Zgjedhor, i cili në dispozitat e tij detajon vepra penale, të cilat referohen nga Kodi Penal. Veprime të dënueshme sipas Kodit Zgjedhor janë Dëmtimi i qëllimshëm ose nxjerrja e vulës jashtë qendrës së votimit (Neni 103), Refuzimi për të numëruar kutinë e pranuar si të rregullt (Neni 115) , Lejimi i një zgjedhësi të votojë më shumë se një herë ose në emër të zgjedhësve të tjerë (Neni 106).

Në vitin 2007, janë iniciuar në sajë të Kodit Zgjedhor 55 procedime gjyqësore dhe 55 të dënuar, në vitin 2011 është iniciuar 1 procedim gjyqësor dhe 9 të dënuar, në vitin 2018 janë iniciuar 4 procedim gjyqësor dhe 6 të dënuar, në vitin 2019 janë iniciuar 2 procedim gjyqësore dhe 2 të dënuar, në vitin 2020 janë iniciuar 6 procedim gjyqësor dhe 7 të dënuar dhe në vitin 2021 janë iniciuar 7 procedim gjyqësor dhe 4 të dënuar.



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: Procedime Gjyqësore sipas Veprave Penale që cënojne proceset zgjedhore 2005-2021
Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në Shqipëri, në shtatëmbëdhjetë vitet e fundit, janë zhvilluar tetë procese zgjedhore të përgjithshme dhe lokale. Sipas statistikës zyrtare të gjyqësorit, gjatë këtyre tetë proceseve elektorale, janë proceduar në total për krime dhe kundravajtje penale me sfond elektoral 133 raste të shoqëruara me 268 të dënuar. Bazuar në parashikime të Kodit Zgjedhorë janë iniciuar në total 75 procedime me 83 të dënuar.



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vepra penale, e cila është konsumuar më shumë gjatë proceseve zgjedhore në vitet 2005-2021, është Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve. Kjo vepër penale përkon me nenin 326 të Kodit Penal . Në vitet në shqyrtim, për këtë nen janë shënuar 30 procedime gjyqësore dhe 90 të dënuar. Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve kryhet me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimin e të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme. Paragrafi i dytë, i nenit 326 parashikon rrethanat cilësuese kur kjo vepër kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cënuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre. Legjislatori ka parashikuar masë dënimi për këtë vepër penale nga 3 deri në 7 vjet.

Veprat e tjera penale, të cilat parashikohen në këtë seksion paraqesin shifra relativisht të ulta për raste të proceduara nga gjykata dhe autorë të dënuar. Gjatë viteve 2005-2021, Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar ka shënuar 43 (të gjithë të dënuar në vitin 2021), Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor ka shënuar 21 autorë, Shkelja e fshehtësisë së votimit ka shënuar 11 autorë, Pengimi i subjekteve zgjedhore ka shënuar 6 autorë. Për disa vepra të tjera penale, nuk është shënuar asnjë procedim gjyqësor, për shembull,  Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, Pengimi i zgjedhësit, Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve dhe Shpërdorimi i autoritetit policor.  



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD 2005-2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Subjekt i veprave penale me sfond elektoral mund të jetë edhe ai i posaçëm, si persona përgjegjës për administrimin zgjedhor, punonjësit qe kanë funksione shtetërore, ata të cilët kanë detyra në arsimin publik, jopublik dhe ushtarakët.

Vepra penale, për të cilën legjislatori ka parashikuar sanksionin më të ashpër është Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor në rrethana të cilësuara, i cili përkon me nenin 326/a, paragrafi i dytë. Për nenin 326/a, paragrafi i dytë, Kodi Penal ka parashikuar dënim me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Një fenomenit si blerja e votës, i raportuar nga qytetarët, vëzhguesit vendor dhe ata ndërkombëtar në procese të fundit zgjedhore, përkon me veprime të parashikuara në nenin 328, Korrupsioni aktiv ne zgjedhje. Në këtë nen parashikohet se ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Ky nen  i ndryshuar në Kodin Penal në vitin 2012, ka shënuar vetëm 6 procedime gjyqësor të përfunduara në vitet nën analizë dhe nëntë të dënuar.  Sanksioni i parashikuar për këtë veprimtari me rrezikshmëri të lartë është tepër i ulët ku maksimumi i dënimit është dy vite.

Shkarko excel: Zgjedhjet e Lira dhe Procedime Gjyqësore për Vepra Penale kundër tyre 2005-2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Griselda Rruci