Open Data Albania po përditëson të dhëna statistikore që lidhen me veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes. Këto vepra janë të parashikuara në seksionin IX të Kodit Penal. Hulumtimi bazohet në të dhëna të Vjetarëve Statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë. Ne total ky seksion përbëhet nga figura veprash penale të parashikuara në dymbëdhjetë nene. Veprat penale, të cilat kanë si objekt vendosjen e marrëdhënieve juridike dhe sociale për mbrojtjen e të miturit janë: Braktisja e Fëmijëve të Mitur, Keqtrajtimi i të Miturit, Mosdhënia e Mjeteve për Jetesë, Marrja e Padrejtë e Fëmijës, Ndërrimi i Fëmijëve, Fshehja ose Ndërrimi me Dashje i Fëmijës, Trafikimi i të Miturve dhe Shtytja e të Miturve në Krim.

Në total gjatë harkut kohor 2005-2021 janë shënuar 10 544 procedime gjyqësore dhe 8 889 të dënuar me vendim të formës së prerë, për veprat penale të këtij seksioni. Konkretisht mesatare 620 procedime gjyqësore në vit. Viti i cili shënon më shumë procedime gjyqësore është 2018, me 1 387 procedime gjyqësore. Ndërsa numrin më të lartë të të dënuarve me vendim të formës së prerë e shënon viti 2021, me 1 237 të dënuar.



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vepra penale me numrin më të lartë të rasteve është Neni 130 pika a, Dhuna në Familje, nen i integruar në Kodin tonë Penal pas vitin 2012. Dhuna në Familje nuk i referohet vetëm veprimeve fizike me karakter dhunues por edhe presioneve psikologjike. Konkretisht, neni 130/a parashikon si veprime me natyrë penale  rrahjen, kanosjen serioze për vrasje ose plagosje të rëndë dhe plagosjen e kryer me dashje. Këto veprime do të përbëjnë vepër penale vetëm kur kryhen ndaj subjekteve të parashikuar shprehimisht nga dispozita, bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale.



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Rastet e dhunës në familje kanë ardhur në rritje që prej vitit 2012 për të shënuar vlerën më të lartë në vitin 2021 me përkatësisht 1 094 çështje gjyqësore dhe 1 147 të dënuar.  Në harkun kohor të viteve 2005-2021 nga të gjitha çështjet gjyqësore për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, 67% lidhen me dhunën në familje.

Një vepër tjetër penale mjaft problematike sa i takon respektimit të individit në familje, është neni 130 Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë. Ky nen ka shënuar vlera të larta me mbi 200 çështje në vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017. Kjo dëshmon për problematikat e shoqërisë shqiptare kundrejt respektit të ndërsjellët në çështje të martesës edhe referimin dhe ndërgjegjshmin për të mos u cenuar në lirinë individuale për zgjedhje.



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Mosdhënia e Mjeteve për Jetesë është një vepër penale me vëllim procedimesh gjyqësore. Vërehet një hendek i  madh i numrit të çështjeve dhe autorëve për këtë vepër penale dhe veprave të gjithë seksionit, si rezultat i pushimit të çështjeve apo mosdeklarimit fajtor të të pandehurit.



Burimi: Vjetarë Statistikorë të MD
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Keqtrajtimi i të Miturit është një tjetër vepër penale, e cila është parashikuar si e tillë nga ligjvënësi në vitin 2008. Përmes saj garantohet mirëqenia fizike dhe psikologjike e çdo personi nën 18 vjeç.  Kjo vepër  përbën kundërvajtje penale dhe konsumohet nga një rreth i caktuar subjektesh, nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, kujdestari ligjor ose çdo person që është i detyruar të kujdeset për të. Nga viti 2008 deri në vitin 2021 janë shënuar 153 procedime gjyqësore dhe 125 autorë për këtë vepër.

Shtytja e të Miturit në krim është një tjetër vepër penale, e cila rrezikon realisht pozitën e të miturit sepse ky i fundit përdoret si një mjet për të realizuar qëllimet kriminale të shtytësit. Në gjykatë janë paraqitur 27 çështje penale prej të cilave derivojnë 22 autorë.

Ndërrimi i Fëmijëve neni 128 (pakujdesi) dhe Fshehja ose Ndërrimi me Dashje i Fëmijëve neni 128 pika a, janë 2 vepra penale me gjithsej 20 çështje gjyqësore. Konkretisht, për Ndërrimin e Fëmijëve ka 8 çështje gjyqësore dhe 7 autorë, ndërsa për Fshehjen ose Ndërrimin me Dashje të Fëmijëve ka 12 çështje gjyqësore dhe 5 autorë. Problematike mbeten rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur me 168 çështje gjyqësore për 17 vitet nën analizë.

Shkarko excel: Veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes. Çështje gjyqësore dhe autorë të dënuar për 2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Griselda Rruci