Open Data Albania ka realizuar një hulumtim mbi rritjen e kapitalit dhe ecurinë e fitimeve të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri.

Në periudhën e shqyrtuar, bankat aktive që operojnë në vend janë reduktuar nga 14 në fund të 2018 në 11 në 2022. Ky zvogëlim në numër ka ardhur si pasojë e bashkimit dhe përthithjes së bankave apo likuidimit me dëshirën e aksionerëve në një rast.



Tabela: Numri i Bankave Aktive në fund të vitit, 2018-2022
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Kapitali bankar i nënshkruar në fund të 2022 shënon vlerën rreth 93 miliardë lekë. Harku kohor 5 vjeçar në analizë, shfaq trend rënës të vlerës. Tkurrja më e lartë e kapitalit total bankar ndodh në dy vitet e fundit 2020 dhe 2021, përkatësish me 4.8 miliardë lekë dhe 8 miliardë lekë. Në 5 vite kapitali bankar tkurret rreth 12%, konkretisht me 12.4 miliardë lekë.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në një vështrim në nivel banke, Banka e Tiranës është e vetmja bankë tregtare që ka zvogëluar kapitalin në këtë periudhë me 5.2 miliardë lekë, rreth 47%. Me rritjen më të lartë në 5 vite rezulton Banka Procredit rreth 52%, ndjekur nga Banka Union me rritje rreth 43% dhe Banka Credins në vend të tretë me një rritje prej 33%. Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI), rezultojnë me një rritje përkatësisht 26% dhe 12% të kapitalit nga viti 2018.



Tabela: Kapitali sipas bankave 2018-2022
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sa i takon vlerës kapital i rritur, Credins ngjitet duke rezultuar në vend të parë për rritje nominale me plus 2.9 miliardë lekë. Ndërsa Procredit dhe Union, zbresin me një vend, duke rezultuar me rritje kapitali përkatësisht 2 miliardë lekë dhe 1.1 miliardë lekë.

Banka Raiffeisen, OTP Albania, Intesa Sanpaolo Albania, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Banka e Parë e Investimeve – Albania (Fibank), kanë mbajtur të pandryshuar kapitalin në periudhën hulumtuese.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: Kapitali sipas Bankave në vitin 2018 dhe 2022
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për të analizuar fitimin e bankave të nivelit të dytë shqyrtohen dy tregues: Fitimi/Humbja para interesave dhe tatimit (EBIT) që tregon vlerën e fitimit operacional të një kompanie pa zbritur interesat dhe detyrimet fiskale të tatimit, si dhe norma e kthimit të kapitalit të angazhuar (ROCE) që tregon efiçencën e përdorimit të kapitalit  të shoqërisë dhe llogaritet si raport mes EBIT dhe kapitalit të angazhuar (punësuar). Kapitali i nënshkruar i bankës është pjesë e kapitalit total të punësuar. Kapitali i punësuar llogaritet si diferencë e totalit të aktiveve dhe detyrimeve.

Një tregues i lartë i ROCE, tregon se kompania po gjeneron më shumë fitim për çdo Lekë të investuar si rezultat i përdorimit efiçent të kapitalit të punësuar nga shoqëria.

Në vitin 2021 EBIT në tregun bankar të nivelit të dytë arrin vlerën 20.7 miliardë lekë. Banka me nivel më të lartë të fitimit është BKT-ja me vlerë fitimi 8.7 miliardë lekë. Banka e dytë me fitim më të lartë para tatimit dhe interesave rezulton Raiffeisen me 4.2 miliardë lekë, ndjekur nga OTP Albania me vlerë fitimi 2.3 miliardë lekë. Fitim më të ulët ka Procredit me vetëm 76.5 milionë lekë. UBA është banka e vetme me humbje për vitin 2021, ku humbja bruto është 51.7 milionë lekë.

Mbi 80% e fitimit total të tregun bankar të nivelit të dytë ndahet midis BKT, Raiffeisen, OTP Albania dhe Credins.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në një kornizë 4 vjeçare, ndryshimi në vite është dinamik. Një ndryshim më të qëndrueshëm në EBIT shfaqin Fibank, Intesa Sanpaolo Albania, Credins , BKT dhe Banka Union. Në katër vite, fitimi total para tatimit dhe interesave në tregun bankar të nivelit të dytë është rritur me 71%, rreth 8.6 miliardë lekë.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse i referohemi 3 bankave me peshën më të lartë në fitimin total të tregut bankar 2021, BKT-ja në këto 4 vite, ka fitim të qëndrueshëm duke u luhatur në intervalin 7.8 – 9.5 miliardë lekë. Konkretisht në 2021 shënon rënie me 837 milion lekë në fitim (8.8%) krahasuar me 2020. Banka Raiffesien pas dy vitesh rënie të EBIT në 2019 dhe 2020, në 2021 ka rritur fitimin me 2.1 miliardë lekë. Gjithashtu Banka OTP Albania ka përjetuar rritje të fitimin në 2021 me 1.4 miliardë lekë.



Tabela: EBIT, Ndryshimi Vjetor, Bankat e Nivelit të Dytë, 2019-2021
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Sa i përket treguesit ROCE, OTP Albania rezulton me normën më të lartë të përdorimit efiçent të kapitalit, rreth 20%. Kjo tregon që në 2021, për çdo 100 lekë të investuar në kapital, OTP Albania gjeneron 20 lekë si të ardhura operacionale. Në vend të dytë me normën më të lartë të ROCE qëndron Banka Union me normë 18.4% ndjekur nga BKT me normë përdorimi efiçent të kapitalit 18%. Në vitin 2021 vetëm UBA rezulton me vlerë negative të ROCE, gjë që tregon përkeqësim në përdorimin e kapitalit të investuar.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Shtatë nga njëmbëdhjetë bakat aktive në 2021, kanë patur një ROCE pozitive në secilin vit të harkut kohor 2018-2021, gjë që tregon se sektori i bankave të nivelit të dytë shfaq përdorim efiçent të kapitalit.



Tabela: ROCE i Bankave të Nivelit të Dytë, 2018-2021
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), si dhe faqet zyrtare të Bankave të nivelit të dytë. Pasaporta të Shoqërive të Biznesit të liçencuara si Banka të Nivelit të Dytë mund ti aksesoni në databazën me të dhëna të hapura Open Corporates Albania.

Shkarko excel: Rritja e Kapitalit dhe Fitimi, Bankat e Nivelit të Dytë 2018 – 2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli