Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar me datë 25.05.2023, ligjin që përcakton pagat e funksionarëve të lartë të shtetit, përkatësisht “Për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.07.2006, “Për Pagat, Shpërblimet dhe Strukturat e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të Institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar.

Ky ligj është depozituar në kuvend me datë 7 prill 2023, por në datën 23 maj 2023, kur radhën e shqyrtimit e kishte Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, pati disa ndryshime. Në projektligjin fillestar të depozituar nuk parashikoheshin që të rriteshin pagat e funksionarëve të qeverisë, pra Kryeministrit, Zëvendës Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe zëvendës-ministrave. Po njësoj nuk parashikoheshin rritje as për pagat e deputetëve. Por me shumicë votash Komisioni i Ekonomisë dhe Financave vendosi që pagat e këtyre funksionarëve të rriteshin dhe madje rritja në përqindje të ishte edhe më e lartë se ajo e Presidentit. Gjithashtu krahasuar me projektligjin fillestar, shënuan rritje edhe pagat e anëtarët e Komisionit të Konkurrencës, ERE-s (Enti Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura), Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), si dhe zv. kryetarit të AMA-s (Autoriteti të Mediave Audiovizive)

Paga e Presidentit të Republikës e cila përcaktohet në ligjin e Buxhetit të Shtetit rritet nga 257 000 lekë në 425 000 lekë, rritje kjo e barabartë me 65.4%.

Kryeministri dhe Kryetarit të Kuvendit i shkon paga në 393 125 lekë, nga 228 730 lekë që ishte, rritje kjo me 71.9%.

Me 82.4% u është rritur paga ministrave, përkatësisht nga 174 760 lekë në 318 750 lekë.

Deputetët janë ata që përfitojnë rritjen më të lartë në përqindje, përkatësisht 98%, nga 156 770 lekë, në 310 250 lekë.

Rritje pësuan edhe funksionarë të tjerë ku rritja më e madhe shënohet për Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, përkatësisht me 70.2%, nga 174 760 lekë në 297 500 lekë.



Burimi: Kuvendi i Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Pagat e Funksionarëve të lartë u rritën me më shumë se 50% por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me punonjësit e tjerë buxhetorë.

Pjesa më e madhe e këtyre punonjësve pësuan rritje simbolike në nivelin e inflacionit ose edhe më poshtë në disa raste siç janë konstatuar në analizën e pagave të bërë nga Open Data Albania në artikullin me link.

Me ligjin e ri, paga e kryeministrit bëhet 25.4 herë më e lartë sesa pensioni mesatar për vitin 2022. Po ashtu, një mësues në nëntëvjeçare me master e ka pagën bruto 6 herë më të ulët sesa e kryeministrit. Një infermier rezulton me pagë 5.8 herë më të ulët sesa paga e re e kryeministrit të republikës.

E thënë ndryshe një pensionist shqiptar me pension mesatar merr vetëm sa 3.9% e pagës bruto të kryeministrit të vendit.

Po ashtu edhe mjekët specialist të cilët përfituan rritje page me 50 000 në prill, rezulton që të përfitojë vetëm 38.3% e pagës së kryeministrit ose 2.6 herë më pak.



Burimi: Kuvendi i Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Kuvendi i Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Thellimi i pabarazisë shikohet qartë kur analizohet raporti i pagave para dhe pas ndryshimit të tyre.

Një pensionist para se ti ndryshohej paga kryeministrit e kishte masën e pensionit 14.8 herë më të ulët se ajo e kryeministrit, por tani rezulton të jetë 25.4 herë më e ulët.

Një polic inspektor e kishte pagën para prillit 2023 rreth 4 herë më të ulët se ajo e kryeministrit, kurse pas prill 2023 e ka 6.4 herë më të ulët.

Po njësoj ndodh me të gjitha pagat e punonjësve buxhetor. Raporti i pagave të tyre kundrejt pagës së kryeministrit është ulur pas prill 2023, edhe pse paga në vlerë absolute u është rritur të dyja palëve.



Burimi: Kuvendi i Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: Kuvendi i Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Analiza tregon se paga e funksionarëve të lartë të shtetit ka pësuar rritje mbi 50% dhe pothuajse 100% në disa raste kurse e punonjësve të thjeshtë buxhetore, rritja është në nivelin e indeksimit dhe në disa raste edhe më poshtë.

Shkarko excel: Pagat e Funksionarëve te Larte te Shtetit pas Prill 2023, Raporti Paga e Kryeministrit me Kategori te tjera Buxhetore
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Ilir Brasha