INSTAT: PBB, 3.9% rritje në 2010-ën

Ndertimet ne “pikiate”, -15 perqind ndaj 2009-es

“Open Data Albania”: Viti 2009 te ardhurat per fryme u ulen 8%

Ekonomia shqiptare ka shënuar një ritëm rritjeje në masën 3.9 për qind gjatë vitit të kaluar. Shifra është dhënë dje nga INSTAT-i, i cili përgatit vlerësime për tremujorët, duke nxjerrë njëkohësisht edhe tendencën vjetore. Ajo që të bie në sy në mënyrë të veçantë është kriza e thellë e ndërtimit, nga ku sektori nuk po ngre krye prej vitesh tashmë, e pasuar nga rënia e pashpjegueshme edhe e sektorit të telekomunikacioneve. Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2010 u rrit, sipas vlerësimit të specialistëve të statistikave, me 5.4 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2009, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010 u rrit me 1.2 për qind. Viti 2010, mbështetur mbi informacionet tremujore, shënoi një rritje prej 3.9 përqindësh krahasuar me vitin 2009, thuhet në njoftimin e INSTAT-it. Gjatë vitit 2009, gjithnjë sipas këtyre vlerësimeve të bëra nga INSTAT-i, ecuria ekonomike e vendit ka qenë paksa më e ulët, duke shënuar vetëm 3.3 për qind rritje. Megjithatë, për kohë krize, e rëndësishmja është që shifrat të mbeten në fushën pozitive dhe të mos shënohet recesion. Por, ekspertët e pavarur kanë shprehur vazhdimisht dyshimin e tyre për vlerësimet e Institutit të Statistikave, duke pasur rezerva lidhur me pavarësinë e tij nga politika.

Bujqësia

Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2010, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rezulton të jetë rritur me 2.5 për qind dhe 0.6 për qind kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2010.

Industria

Sektori industrial vijon të mbajë “flamurin” e rritjes ekonomike, ndikuar nga prodhimi i rritur i energjisë elektrike, rritja e çmimeve botërore të lëndëve të para (minerale etj). Industria shënoi një rritje prej 24.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2010, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010, dega e industrisë u rrit me 6.7 për qind.

Ndërtimi

Sektori i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2010, u ul me 14.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2009, ndërkohë që rënia ka qenë e pranishme edhe si tremujor. Aktiviteti ndërtues është ulur me 3.7 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës.

Tregtia

Dega Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 12.8 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2010 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe një rritje prej 1.4 përqindësh krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010.

Transporti

Aktiviteti i transportit në tremujorin e katërt të vitit 2010 u rrit me 7.1 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe u ul me 1 për qind ndaj tremujorit paraardhës.

Komunikacionet

Dega e post-komunikacionit pati një rënie me 5.0 për qind këtë tremujor krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2009 dhe një rritje me 2.8 për qind përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2010. Ndërkohë, grupi i shërbimeve të tjera në tremujorin e katërt të vitit 2010 pati rritje me 5.7 për qind kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2009 dhe 1.1 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2010.