Drejtoresha e Organizatës AIS /OpenData ishte e ftuar nga A2 CNN Albania, për të komentuar mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për 2023, indeks i Publikuar në datën 30 Janar. 

E ftuar në Ditarin e Lajmeve, Brahaj theksoi se Shqipëria e cila këtë vit është vlerësuar me 1 pikë më shumë, ka ngecur në vend, pa progres sa i takon situatës anti-korrupsion. Kjo është problematike pasi vendi prej vitesh ka shpenzuar energji dhe forca në reforma të ndryshme sektoriale. 

E pyetur nga moderatori, drejtoresha e AIS/OpenData theksoi që vendi ka një risk të lartë sa i takon keq-qeverisjes. Kjo lidhet me përpjekjet e mazhorancës për të kontrolluar të gjitha pushtetet. 

Roli i Parlamentit konsiderohet i plogësht e jo-ekzistent në mbikëqyrjen e Ekzekutivit, e për më keq ka shqetësime për një risk potencial në procesin e ligj-bërjes, me qëllime klienteliste ku favorizohen biznese të caktuara. 

Brahaj u pyet edhe për Krijimin e Ministrisë Antikorrupsion ku artikuloi që nuk sheh zhvillim pozitiv tek ky proces.  Njësia Anitkorrupsion do të duhej të ishte një njësi jashtë strukturës së Ekzekutivit. Suksesi i politikave antikorrupsion lidhet me forcimin e Institucioneve të Pavarura që veprojnë si institucione antikorrupsion duke cituar Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) apo Inspektorati i Deklarimit, Kontrollit Pasuror dhe Konfliktit të Interesit ILKDPKI. 

Duke qëndruar edhe më gjatë tek puna e Prokurorisë Speciale SPAK, Brahaj shprehu shqetësim në lidhje me deklaratat intimiduese të Kryetarit të mazhorancës në Kongresin e Partisë Socialiste (dhjetor 2023), ku u artikuluan fraza të tipit “Nuk do lejojmë të jemi Republika e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve”. 

AIS e njohur si #OpenDataAlbania është një organizatë që punon për Transparencë, Llogaridhënie dhe Mirëqeverisje. Anti-Korrupsioni është një nga fushat ku organizata jep kontribut.