Kostoja e Arbitrazheve Ndërkombëtare zë një peshë të konsiderueshme në Buxhetin e Shtetit.  Sipas Relacionit të Projektbuxhetit 2024, deri në Shtator 2023, Shteti Shqiptar për shkak të Vendimmarrjes në Arbitrazhe Ndërkombëtarë njeh detyrime faktike dhe kontingjenti  në vlerë 173,1 milionë  Euro. 

Në këtë vlerë përfshihen kostot ligjore të përfaqësimit, mbrojtjes, shpenzimeve gjyqësore apo kostove të tjera lidhura me vendime të Arbitrazheve ndërkombëtar dhe ende të pashlyera. Detyrimi faktik është detyrimi i cituar në një vendim përfundimtar të gjykatës së Arbitrazheve i formës së prerë. për të cilin nuk janë finalizuar procedurat juridike brenda shtetit shqiptar. Ndërkohë detyrim kontingjent është detyrimi i cituar në një vendim të gjykatës së Arbitrazheve për të cilin nuk kanë përfunduar  ende procedurat ligjore. 

Lista e Plote e Detyrimeve dhe Çështjeve në Arbitrazh është publikuar e përditësuar në një artikull të maj 2022 LINK  

Prej atëherë janë regjistruar, shtuar apo ka zhvillime edhe për disa kontrata me palë shtetin si më poshtë. 

Çështjet e dërguara në arbitrazh lidhen me mosmarrëveshje të investitorëve privatë me palën shtetërore. Shqipëria është përballur dhe vijon ende procesin e Arbitrazheve me 4 Investitorë Privatë  zbatues të kontratave të koncesionit PPP.  

Një çështje e hapur nё Arbitrazhin Ndërkombëtar që potencialisht mund tё sjellë kosto shtesë pёr buxhetin e shtetit nёse Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare tё Arbitrazheve bёhet nё favor tё palës private është çështja mes  EMS Shipping & Trading GmbH vs Republika e Shqipërisë, çështje e regjistruar në ISCID në 7 Prill 2023. EMS  ka themeluar EMS ALBANIAN PORT OPERATOR (EMS APO) 2013 për zbatimin e kontratës Koncesionare  “Menaxhimi, operimi, ndërtimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik dhe adaptimi i Terminali Lindor në Portin e Durrësit”, e cila i lejon kompanisë të ngarkojë dhe shkarkojë anijet. EMS ka kundërshtuar vendimmarrjen e shtetit shqiptar për projektin e ri të transformimit të portit  (projekti Durrës Yachts & Marina) që do t’u kërkonte atyre të zhvendosnin operacionet e tyre në Porto-Romano. Nuk ka ende informacion në lidhje me detyrimin e pretenduar nga ana e paditësit, por nisur nga rëndësia e objektit të kontratës mund të parashikohen dhjetëra milionë euro.  Seanca e parë është zhvilluar në 18 Shtator 2023 nëpërmjet një video konference. Në datë 19 Janar 2024 pala përgjegjëse (në këtë rast shteti shqiptar) ka paraqitur një kërkesë për të adresuar kundërshtimet ndaj juridiksionit si një pyetje paraprake në përputhje me Nenin 41(2) të Konventës së ICSID dhe Rregullin 44 të Arbitrazhit të ICSID. Në datë 24 shkurt 2024,  tribunali ka lëshuar Urdhrin Procedural Nr. 3 në lidhje me kërkesën e palës përgjegjëse për të adresuar kundërshtimet ndaj juridiksionit si një pyetje paraprake; si rrjedhojë, kundërshtimet ndaj juridiksionit bashkohen me themelin e mosmarrëveshjes. 



Tabela: Detyrime Arbitrazhi PPP dhe Koncesione
Burimi: Qendra Ndёrkombёtare pёr Zgjidhjen e Mosmarrёveshjeve tё Investimeve (ICSID)
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një tjetër kontratë koncesioni PPP që është në proces arbitrazh lidhet me mosmarrëveshjet midis Durrës KURUM Shipping sh.p.k dhe tё tjerë vs Republika e Shqipërisë, e cila ka filluar mё 23 Shtator 2020 nga kompania Durrës Kurum Shipping dhe tё tjerë, ndaj shtetit shqiptar, pёr shkak tё prishjes sё njëanshme tё kontratës sё koncesionit “Pёr Menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik tё terminalit tё kontejnerëve nё Portin e Durrësit”, si dhe pёr shkak tё marrjes sё aseteve tё terminalit nga Autoriteti Portual i Durrësit. Më parë më datë 12.02.2019, Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin nr. 965 (80-2017-998), datë 13.03.2017, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, për zgjidhjen e kontratës  së koncesionit  për shkak të mos përmbushjes nga ana e koncesion arit të detyrimeve që lindin nga kjo kontratë Koncesionare si dhe përcaktimin e shumës së dëmshpërblimit përkatës. Sipas tё dhënave tё publikuara nga ICSID, shuma e kompensimit e pretenduar nga kjo kompani ёshtё nё vlerën 100 milionë Euro, që përbën detyrim kontingjent për shtetin shqiptar, edhe pse ende nuk është marrë vendimi final nga ana e Gjykatës. Kontrata e koncesionit  është lidhur në 22.06.2011 me afat 35-vjeçar dhe me vlerë investimi 32,5 milionë Dollarë, nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (sot MIE) dhe shoqëria Koncesionare Durrës Kontejner Terminal (me zotërues 99.9% të DURRES KURUM SHIPPING. Për këtë çështje deri Shtator 2023,  vlera e njohur nga ana e shtetit shqiptar është 1.18 milionë Euro, që janë kosto administrative dhe ligjore për ndjekjen e çështjes. Seanca e parë është zhvilluar në 22 Korrik 2021 nëpërmjet një video konference. Ndërkohë datë 19 Shkurt 2024  Tribunali nxjerr Urdhrin Procedural Nr.13 lidhur me provueshmërinë e provave të reja.  

Një tjetër çështje arbitrazhi  është ajo mes shtetit shqiptar dhe shoqërisë Koncesionare Tirana International Airport sh.p.k. Nё datё 19.04.2019, nga Avokatura e Shtetit ёshtё shpallur thirrja pёr sigurimin e konsulencës së huaj me qëllim mbrojtjen e interesave të shtetit Shqiptar, në kushtet e negocimit apo rishikimit të mundshëm të Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur me Tirana Internacional Partners SH.P.K, për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, Tiranë. Detyrimi është i njohur nga Llogaritë e Shtetit dhe aktualisht janë likuiduar 150,000 Euro nga totali i detyrimit (vlera fillestare e deklaruar e detyrimit është 250,000 Euro).  

Një tjetër çështje arbitrazhi lidhur me kontratat e koncesionit PPP, e përfunduar në favor të palës shqiptarë është ajo e Hydro srl I vs Republika e Shqipërisë, e cila lidhet me familjen Becchetti (familja Beccheti ka më shumë se një çështje Arbitrazhi me Shtetit Shqiptar). Çështja është regjistruar në Dhomën Ndërkombëtarë të Tregtisë ICC në 2014 me palë paditës Hydro Srl  dhe të paditur Republika e Shqipërisë.  Mosmarrëveshja mes palëve ka lindur në lidhje me Marrëveshjen e Koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit dhe për shkak të mosrealizimit të kontratës së koncesionit dhe abuzimit me taksa. Vendimi final është shpallur në Shtator 2018, ku sipas tij paraqitësi i kërkesës duhet t’i paguajë të paditurit: 

  • Gjobat e vonesës në shumën prej 1 693 157 euro me interes mbi to në bazë të përbërë duke përdorur Euro LIBOR 12 mujor plus 2% nga 16 korriku 2011 deri në pagesën e plotë. 
  • Dëmet në shumën prej 5 182 535 euro me interes mbi të në bazë të përbërë duke përdorur Euro LIBOR 12-mujore plus 2% nga 9 janari 2018, e nesërmja e nënshkrimit të Shpërblimit të Pjesshëm, deri në përfundim. 
  • Vendos që pala përgjegjëse t’i kompensojë shpenzimet ligjore të paraqitësit të kërkesës për fazën e dytë të procedurës në shumën prej 142 975.78 euro; 
  • Vendos që në lidhje me tarifat dhe shpenzimet e arbitrave dhe shpenzimet administrative të ICC-së, paraqitësi i kërkesës do t’i rimbursojë të paditurit shumën prej 325,000 USD.  

Sipas Relacionit të Buxhetit 2024, detyrimi kontingjent i Shqipërisë që vjen si rezultat i këtij procesi është 142,976  Euro. 

Tё dhënat pёr kёtё artikull janë marё nga Raporti i Mes-Vitit mbi zbatimin e buxhetit 2023, dokument zyrtar qё paraqet një vlerësim të përgjithshëm të situatës ekonomike të vendit, të treguesve makroekonomikë, fiskalë dhe buxhetorë për periudhën 5-mujore të vitit korrent dhe publikohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe Relacioni i Buxhetit 2024. Gjithashtu burime tё tjera informacioni është faqja zyrtare e Qendrës Ndërkombëtare pёr zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve tё Investimeve (ICSID)  dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC

Shkarko excel: Kostoja e Arbitrazheve Ndërkombëtare për Koncesione PPP raste 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: S. D