Open Data Albania po publikon listën me Bizneset më të paguara përmes Transaksioneve të Thesarit gjatë 12 muajve të vitit 2023. Në hulumtim janë përjashtuar pagesat me përfitues institucione shtetërore, apo pagesa drejt bankave të nivelit të dytë. Po njësoj është përjashtuar dhe ajo kategori transaksioni që përkon me transfertë për shoqëri me zotërim publik

Në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 282 103 transaksione me vlerë totale 600.96 miliard lekë apo mbi 5.8 miliard euro nga institucionet buxhetore. 

Në vend të parë, si biznesi që ka përfituar vlerën më të lartë të transaksioneve buxhetore rezulton Shoqëria e Thjeshtë INTEKAR – ASL. Për këtë shoqëri në vitin 2023, Thesari ka regjistruar dhe ekzekutuar 14 transaksione me vlerë totale 8.27 miliard lekë, përafërsisht 80.3 milion euro. Shoqëria e Thjeshtë Intekar – Asl është zbatuesi i punimeve për Projektin “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”. Vlera totale e kontratës së ndërtimit të Tunelit të Llogorasë pa TVSH është 17.04 miliard lekë. 

Në vend të dytë pozicionohet Kastrati SHPK i cili ka përfituar përmes Thesarit të Shtetit vlerën prej 4.28 miliard lekë, apo mbi 41.5 milion euro nëpërmjet 934 transaksioneve. Arkëtimet e Kastrati sh.p.k nga buxheti i shtetit janë kryer për furnizim me karburant dhe vaj dhe këto janë arkëtime të ndryshme nga Grupi me të njëjtin emër dhe zotërues. 

4 A-M renditet e treta me  3.48 miliard lekë të përfituara nga Thesari i Shtetit për vitin 2023. Kjo shoqëri ka aktivitet kontraktor konsistent në punë publike me autoritetet shqiptare. Në vitin 2023 kompania ka fituar 6 punë publike me ofertë totale fituese 5.37 miliard lekë. Listën e tenderëve e gjeni në pasaportën e kësaj shoqërie në databazën OpenCorporatesAlbania. 



Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vendi i katërt i përket shoqërisë Gjoka 87, e cila zbaton kontratën koncesionare për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës së Arbrit. Gjatë 12 muajve të vitit 2023, për shoqërinë Gjoka 87 janë bërë në total 4 transaksione me vlerë  2.84 miliard lekë.  

Fusha sh.p.k është biznesi që mbyll listën me pesë përfituesit më të mëdhenj nga Thesari i Shtetit për vitin 2023. Këtë vit shoqëria ka shënuar 132 transaksione në vlerën  2.71 miliard lekë. Shoqëria rendit në pasaportën e saj një listë të gjatë kontratash publike me autoritetet shqiptare, si dhe aksione në katër shoqëri koncesionare. 

Pesë operatorët ekonomik më të paguar nga Thesari i Shtetit për vitit 2023, arkëtojnë 63.7% të vlerës totale Transaksione Thesari për 10 përfituesit më të mëdhenj, në vlerë 21.59 miliard lekë. 



Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: 10 Biznese me më shumë arkëtime Thesari i Shtetit 2023,Pesha vs Total Arkëtime 10 Biznese
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Vijon renditjen në vend të gjashtë shoqëria Gjikuria. Në pasaportën e kompanisë ka një listë të gjatë kontratash publike me institucione të qeverisjes vendore dhe lokale, si dhe zotëruese e shoqërisë që zbaton kontratën koncesionare të ndërtimit të projektit të rrugës rrugës “Porti i Jahteve – ByPass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”. Për vitin 2023 shoqëria ka përfituar 42 transaksione me vlerë 2.69 miliard lekë.  

Infosoft Systems renditet kompania e 7-të sipas vlerës Transaksione Thesari 2023 me vlerë të arkëtuar 2.53 miliard lekë. Transaksionet e kryera në favor të kompanisë janë për arsye mirëmbajtje e sistemeve kompjuterike dhe investime në software.  

Vendi i tetë në renditje i takon Trans Adriatic Pipeline AG Albania, e cila zbaton në vendin tonë Projektin TAP të Gazsjellësit Trans Adriatik. Kompania ka arkëtuar për vitin 2023 dy transferta në vlerën 2.47 miliard lekë si rimbursim Tvsh-je. 

Në vend të nëntë renditet G. P. G. Company, e cila ka përfituar për vitin 2023 transferta në vlerën 2.31 miliard lekë. Me një portofol të gjerë punësh publike në pasaportën e saj, kjo kompani gjithashtu rezulton aksionare në dy koncesione të Sektorit të Energjisë, Vepra Hidrike. 

Mbyll dhjetëshen e kompanive që kanë përfituar më shumë vlerë parash publike nga Thesari i Shtetit 2023 shoqëria MSSC (Military System Supply Company). Kjo shoqëri për vitin 2023 ka regjistruar dhe arkëtuar 32 transaksione me vlerë gati 2.3 miliard lekë. Arsyet e pagesave për këtë shoqëri janë kompletim me armatim dhe furnizim me municione. 



Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: Lista e 100 Bizneseve me më shumë arkëtime nga Thesari i Shtetit 2023
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse do bëjmë një renditje Transaksionet me vlera më të larta për 2023, një e tillë e ekzekutuar në llogari të  Trans Adriatic Pipeline AG Albania rezulton në vend të parë 2.25 miliard lekë për rimbursim Tvsh-je. Në vend të dytë pozicionohet transaksioni për 4 A-M 1.35 miliard lekë për “Ndërtimin e segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Lot 2”. 

Renditet në vend të tretë transaksion për  Kastrati sh.p.k me vlerë prej 1.33 miliard lekë për rimbursim nafte për fermerët. Kompania ka përfituar gjithashtu edhe transaksionin e tetë sipas vlerës (817.3 miliard lekë). 



Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: Lista e Përfituesve për 100 Transaksionet me vlerë më të lartë nga Thesari i Shtetit 2023
Burimi: Open Spending Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për çdo pagesë, institucion apo përfitues duke përdorur makinën e kërkimit mund të gjeni të dhëna tek Transaksione Thesari. Po njësoj një informacion i dedikuar për secilin biznes përfitues aksesohen tek OpenCorporates.al  

Shkarko excel: Renditje 10 Bizneset me më shumë arkëtime nga Thesari i Shtetit 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli dhe Zoica Murati