Produkti i Brendshem Bruto (PBB) është një tregues i vlerës së tregut të të gjitha të mirave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një ekonomi. PBB perfshin gjithë prodhimet e shërbimet aktuale të destinuara për treg si dhe ato të prodhuara për konsum për vete nga të gjitha njësitë rezidente që veprojnë në territorin e një shteti.

Inflacioni është një tregues I ndryshimi të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në një vend. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi ndryshimin e PBB dhe inflacionit gjatë viteve të fundit në Kosovë, bazuar në të dhënat e Bankës Qëndrore të Kosovës dhe FMN.

Gjatë viteve të fundit PBB nominal ka ndryshuar. PBB nominal në Kosovë ka ardhur në rritje, dhe vlera më e madhe është arritur në vitin 2010, ku sipas vlerësimevë të FMN ai rezulton 4,113 milionë Euro, ose 6.3% më i lartë se viti paraardhës.

Por nga të dhënat, rezulton se rritja reale e ekonomisë kosovare gjatë vitit 2010 është 4.6%, e për pasojë mund të arrihet në përfundimin se një pjesë e rritjes së PBB nominale ka ardhur nga rritja e çmimeve në vend. Përsa i përket inflacionit, ky i fundit ka ndryshuar, Në vitin 2007 është arritur niveli më i lartë i inflacionit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit: 10.5%.

Ndërkohë në 2004, vendi është futur në deflacion, ku çmimet e shportës janë ulur me (3.7%). Gjatë 2010, inflacioni vlerësohet të jetë 3.1%, ndërkohë që në 2009 çmimet nuk u rritën thuajse fare. Inflacioni duket një problem i rëndësishëm në Kosovë, duke qënë se luhatjet gjatë dhjetë vjetëve të fundit kanë qënë të mëdha.  Mosqëndrueshmëria e inflacionit dëmton ekonominë, pasi nuk lejon ankorimin e pritshëmrisë së njerëzve për nivelin e çmimeve, gjë që mund të çojë në vendime jo optimale të tyre përsa i përket kursimit dhe investimit.

Përgjithësisht, një normë e qëndrueshme inflacioni, është e dëshirueshme, me qëllim rritjen graduale të ekonomisë.