Niveli më i lartë i papunësisë në vendin tonë në nivelin 22.3% është shënuar në vitin 1993, në vitet e para të pluralizmit politik, ndërsa niveli më i ulët në vitin 1996 (12.4%), Sipas “Open Data Albania”. Edhe pse shkalla e papunësisë ka qenë në ulje gjatë dhjetë viteve të fundit, ky nivel nuk e ka arritur ende atë të vitit 1996. Në vitin 2009 vihet re një rritje e shkallës së papunësisë me 0.6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Sipas FMN-së, shkalla e papunësisë në Shqipëri në vitin 2010 vlerësohet të jetë rreth 12.5%. Në vitin 2009, nga totali i të papunëve të regjistruar, 88.3% janë të papunë afatgjatë, 6.3% marrin pagesë papunësie, dhe pjesa tjetër prej 5.4% konsiderohen të papunë ciklikë.

Gjithashtu vihet re një lidhje e drejtpërdrejtë midis nivelit të punësimit dhe arsimimit. Në vitin 2009, 53.6% e të papunëve të regjistruar kanë arsim 8-vjeçar, 43.8% arsim të mesëm, dhe vetëm 2.6% arsim të lartë. Duhet patur parasysh se në të dhënat nuk përfshihen të dhëna për punët private të padeklaruara. Shkalla e papunësisë është raporti midis numrit të të papunëve te regjistruar dhe numrit të popullsisë aktive (forcës së punës). Forca e punës përbën pjesën e popullatës e cila është në moshë pune (në Shqipëri: nga mosha 16 deri në moshën e pensionit), dhe është në kërkim të vazhdueshëm për punë.