Grekët janë me jetëgjatët në Ballkan. Shqiptarët jetojnë më shumë se serbët dhe maqedonasit. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi pritshmërinë e jetëgjatësisë në lindje në Shqipëri, duke bërë edhe një krahasim me rajonin.

Pritshmëria e jetëgjatësisë tregon numrin e viteve, që një i porsalindur pritet të jetojë, nëse kushtet e vdekshmërisë nuk ndryshojnë gjatë gjithë jetës së tij.

Në Shqipëri, në vitin 2009 një mashkull i sapolindur pritej të jetonte 74 vjet, ndërsa një femër 80 vjet. Treguesi ka ardhur vazhdimisht në rritje, sidomos nëse krahasohet me vitin 1991, ku pritshmëria e jetëgjatësisë ishte 69 vjet për meshkujt dhe 75 vjet për femrat. Ajo që vihet re është se femrat kanë gjatë gjithë kohës një pritshmëri për jetëgjatësi më të madhe, transmeton BalkanWeb.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e dyta pas Greqisë, lidhur me pritshmërinë e jetëgjatësisë. Konkretisht vendet e rajonit në 2009 kanë pasur këta tregues:

Greqi, meshkujt 78 vjeç, femrat 83 vjeç
Shqipëri, meshkujt 74 vjeç, femrat 80 vjeç
BeH, meshkujt 73 vjeç, femrat 78 vjeç.
Maqedoni, meshkujt 72 vjeç, femrat 77 vjeç
Mali i Zi, meshkujt 72 vjeç, femrat 77 vjeç
Serbi, meshkujt 71 vjeç, femrat 76 vjeç.