Të ardhurat tatimore janë zëri kryesor në sigurimin e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit. Në vijim jepen parashikimet lidhur me zërat përbërës të të ardhurave tatimore në Buxhetin Fillestar, Buxhetin e Rishikuar, Aktin Normativ të vendosura përballë Buxhetit Faktik për vitin 2009. 

Në Buxhetin e Rishikuar, të ardhurat tatimore pësuan një rënie prej 3.5% apo 6 miliardë lekësh, trend i cili vazhdoi edhe në Aktin Normativ. Ndërkohë, të ardhurat tatimore faktike rezultuan 35 miliardë lekë më të ulta se sa plani fillestar, apo 11.5% më pak. Interesante është që ky tregues ishte larg edhe parashikimit të Aktit Normativ, i cili bëhet në periudhën e fundit të vitit për të mundësuar një Buxhet Faktik sa më pak të ndryshëm nga ai i parashikuari, e megjithatë, diferenca midis Aktit Normativ dhe të dhënave faktike rezultoi me 18 miliardë lekë apo 6% mosrealizim.

Peshën kryesore në mosrealizimin e të Adhurave Tatimore e kanë pasur të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, më pas të Ardhurat nga Pushteti Vendor dhe së fundi, të Ardhurat nga Buxhetet e Pavarura.

Të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, në Buxhetin e Rishikuar u ulën me 3.2% dhe vetëm me 1.4% në Aktin Normativ. Megjithatë ato rezultuan 11 miliardë lekë më pak në Buxhetin Faktik krahasuar me AN ose 4.8% të parealizuara.

Të ardhurat e Pushteti Vendor nuk u ndryshuan në Buxhetin e Rishikuar dhe Aktin Normativ, por në Buxhetin Faktik ato shfaqen 6 miliardë lekë më pak, apo 34% mosrealizim.

Edhe të ardhurat nga Buxhetet e Pavarura të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore ishin më optimiste se sa duhej, megjithatë, parashikimi i Aktit Normativ ishin shumë pranë realitetit deri në fund të vitit 2009.

 

Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: Open Data Albania