Open Data Albania po hulumton mbi vdekshmërinë e fëmijëve të moshës 0 deri 5 vjeç. Treguesi i vdekshmërisë së fëmijëve 0 deri 5 vjeç përllogaritet si numri i fëmijëve që vdesin në këtë moshë në raport me çdo njëmijë lindje fëmijësh në vend. Ky tregues është një matës i mirë i kushteve dhe standardeve shëndetësore të një vendi, sikurse edhe i sigurisë së jetës.


Burimi: UNICEF
Komente dhe Analiza: ODA

Duke parë ecurinë e këtij treguesi, shohim se numri i vdekjeve nën moshën 5 vjeç ka ardhur në rënie . Viti 2012 shënon edhe vlerën më të vogël në vite, për rastin e vendit tonë për çdo 1000 lindje vdesin  17 fëmijë të moshës 0 – 5 vjeç. Situata paraqitet më problematike për fëmijë të seksit mashkull. Numri i vdekjeve të meshkujve në moshën 0 – 5 vjeç për çdo 1000 lindje është 18 ne vitin 2012, kundrejt 15 për fëmijët femra. Ky indikator adreson ndjeshëm në nevojën për diagnostikim prenatal sipas sëmundshmërisë.


Burimi: UNICEF
Komente dhe Analiza: ODA

Republika e Shqipërisë mbetet vendi me indikatorin më negative sa i takon vdekshmërisë së fëmijëve edhe për moshën 0 deri 5 vjeç. Vendi ynë shënon 10 raste vdekshmërie më shumë për çdo 1000 lindje duke u krahasuar me Bosnje-Hercegovinën dhe Serbinë që janë vende gjithashtu me indikator të lartë për rajonin.


Burimi: UNICEF
Komente dhe Analiza: ODA

Shumë interesante është të krahasojmë sipas vendeve edhe normën e rënies së vdekshmërisë për moshën 0 – 5 vjeç  për çdo njëmijë lindje. Si periudhë kohore për të kalkuluar normën e rënies marrim periudhën nga viti 1990 deri në 2012. Sa më e lartë të jetë kjo normë, aq më i madh është përmirësimi vjetor i treguesit. Shqipëria ka një normë vjetore prej 4.2 %, pra vdekshmëria ka rënë mesatarisht me 4.2 % në vit.

Ndërkohë Serbia dhe Mali i Zi kanë normat përkatësisht 6.6% dhe 4.8%, që dëshmojnë një përmirësim vjetor, shumë më të lartë së Shqipëria. Vetëm Italia ka një ritëm më të ulët të rënies së vdekshmërisë tek fëmijët nën 5 vjeç, por gjithashtu Italia ka numër të ulët rastesh.  Norma vjetore e rënies së vdekshmërisë tregon edhe nivel negativ dhe kushte diskriminuese sa i takon sistemit dhe kushteve të shëndetit për një vend të caktuar. Ky tregues shfaq edhe një siguri të ulët të garancive për jetën e të miturve të moshës 0 -5 vjeç që paraqet vendi ynë kundrejt vendeve fqinje.


Burimi: UNICEF
Komente dhe Analiza: ODA