Open Data Albania ka hulumtuar në lidhje me ecurinë e vlerave të mbledhura nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale për vitet 2005-2012. Të dhënat janë marrë nga Tabelat Buxhetore të Ministrisë së Financave. Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat e individëve si të ardhura që vijnë nga pagat; qiratë; dividendët; interesat bankare; transferimi i pasurive të paluajtshme etj.

Në vitet në shqyrtim, TAP ka shënuar një tendencë rritëse si në vlerë absolute edhe në përqindje kundrejt totalit të të Ardhurave Buxhetore. Vitet me rritje më të madhe janë vitet 2007, vit në të cilin u zbatua tatimi i sheshtë prej 10% mbi të ardhurat e individëve. Kjo rritje vijoi edhe në vitin 2008 kur u zbatua tatimi i sheshtë prej 10% edhe mbi fitimin e kompanive. Pas vitit 2009 vijon tendenca rritëse por në nivele një shifrore. Tatimi i sheshtë si një sistem taksimi më i lehtë për tu menaxhuar, si dhe rritja e bazës tatimore janë dy arsyet kryesore që shënuan ndikim në rritjen e vlerës së të ardhurave të siguruara nga TAP. Në vitin 2007 vlera e mbledhur nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale u rrit me 73% kundrejt vitit pararendës. Kjo rritje u shënua në vlerën 65% në vitin 2008 për të qëndruar në vlera pozitive edhe në vitet që pasojnë.

Një raport i marrë në shqyrtim është dhe raporti që kanë vlerat e mbledhura nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale kundrejt të Ardhurave Buxhetore. Nga viti 2005-2009 vihet re një trend rritës i këtij raporti, duke ndjekur të njëjtën linjë me trendin rritës së të vlerave të mbledhura nga TAP. Por, duke filluar nga viti 2010-2012 kemi një tendencë në rënie të këtij raporti, duke na sugjeruar që pesha e të ardhurave nga TAP në totalin e të ardhurave buxhetore po zvogëlohet.
Nëse do krahasonim rritjen e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, dhe rritjen e peshës së këtyre të ardhurave ndaj totalit të të ardhurave buxhetore, do vërenim se nga viti 2005-2009 kemi një trend rritës të të dyja kurbave, ndërsa nga viti 2010 kemi një trend në rënie për të dyja.
Sipas legjislacionit në fuqi për periudhën kohore nën analizë, konsiderohen si Të Ardhura të Tatueshme, zërat në vijim: Pagat dhe shpërblimet e tjera, në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës; Të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit në shoqërinë tregtare; Të ardhurat nga interesat bankare apo ato të përfituara nga letrat me vlerë; Të ardhurat që rrjedhin nga e drejta  e autorit dhe pronësia intelektuale; Të ardhurat nga enfiteoza, huaja dhe qiratë; Të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme; Të ardhurat e individëve nga lojërat e fati dhe kazinotë; Të ardhurat e realizuara nga diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit te blerjes së kuotave ose aksioneve, që një ortak ose aksioner zotëron dhe ja shet një personi tjetër; Të ardhura të tjera, që nuk identifikohen në format e paraqitura në këtë nen, të realizuara nga individë rezidentë ose nga persona jorezidentë, por me burim në Republikën e Shqipërisë; Të ardhurat e tatueshme, të realizuara gjatë periudhës tatimore nga ato subjekte të taksës vendore mbi biznesin e vogël, që kanë një qarkullim më të madh se 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë në vit, të cilat llogariten si diferencë ndërmjet të ardhurave, gjithsej, me shpenzimet e njohura; Të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë, ndërkohë që kanë qenë objekt tatimi dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave. Procedurat përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.
Shkarko excel: