Open Data Albania po hulumton mbi nivelet e akcizës së cigareve në vend dhe rajon. Referuar legjislacionit shqiptar, akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë. Produkte që i nënshtrohen akcizës janë: produktet energjetike; alkooli dhe pijet alkoolike; duhani e produktet e duhanit; kafeja, llampa inkandeshente, gomat, fishkezjarre, pilat dhe bateritë.

Në të gjitha vendet e marra në shqyrtim akciza llogaritet me një taksë fikse për 1000 copë cigare dhe një përqindje e caktuar mbi çmimin e shitjes, në ndryshim nga vendi ynë ku akciza për cigaret llogaritet vetëm si taksë fikse për 1000 copë cigare. Vendet me taksë fikse më të lartë për 1000 copë cigare janë Britania e Madhe, e ndjekur nga Gjermania, Turqia. Ndërsa vendet me përqindje më të lartë të taksimit mbi çmimin e shitjes janë Turqia, Italia, Franca.


Burimi: Bashkimi Europian, Autoritetet tatimore të vendeve përkatëse, OECD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Akciza e duhanit përgjatë viteve 1992-2014 ka ndryshuar vazhdimisht. Në vitin 1992 akciza llogaritej 75% e çmimit korent për mallrat vendase dhe për mallrat e importit llogaritej mbi bazën e vlerës së doganuar, duke shtuar edhe shumën e taksës doganore. Po në korrik të këtij viti, akciza pësoi një ulje në 60% të vlerës. Në vitin 1993 ligjvënësi vendosi të rrisë akcizën në 70%, për ta ndryshuar sërish në vitin 1995 në 50%.

Në vitin 1997 u bë një kategorizim i duhanit mbi bazën e burimit nga ai vinte dhe kategorisë së tij. Taksa e akcizës varionte nga 9lekë/paketë për mallrat vendase, deri në 45lekë/paketë për mallrat e importit. Në dhjetor të vitit 2002 u unifikua taksa e akcizës në 20lekë/paketë. Prej këtij viti dhe deri në vitin aktual cigaret e vendit dhe ato të importit janë të unifikuara me çmimet e tyre, çka përkon dhe me problemet e prodhimit të brendshëm të cigares, ku prodhimi vendas zë mesatarisht 30% të konsumit.


Burimi: Bashkimi Europian, Autoritetet tatimore të vendeve përkatëse, OECD
Përpunimi dhe komentet: ODA

Sipas ligjit nr. 180/2013 produket e duhanit kategorizohen në katër nënprodukte që janë: Puro dhe cigarillos që përmbajnë duhan; Puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani; Duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit e duhanit, duhan i homogjenizuar ose i rindërtuar, ekstrakte dhe esenca prej duhani; Cigare që përmbajnë duhan, të cilat janë dhe cigaret që ne konsumojmë. Secila prej kategorive ka nivele të ndryshme të taksës së akcizës.


Burimi: Bashkimi Europian, Autoritetet tatimore të vendeve përkatëse, OECD
Përpunimi dhe komentet: ODA