Open Data Albania ka hulumtuar mbi kapitalin aksionar të institucioneve financiare jobanka që veprojnë në vend. Institucionet financiare jobanka, janë shoqëri të cilat kryejnë aktivitete të ndërmjetësimit financiar  dhe aktivitete të tjera ndihmëse, të lidhura ngushtë me ndërmjetësimin financiar por që nuk klasifikohen si pranuese depozitash. Disa nga këto aktivitete përfshijnë: leasing, kredidhënia, investimi në letra me vlerë, etj. Në këtë kategorizim institucionesh përjashtohen kompanitë e sigurimit dhe fondet e pensionit.

Të dhënat janë përditësuar sipas procedurës së administrimit dhe publikimit të të dhënave të shoqërive tregtare në sistemin e Qendrës Kombëtare të regjistrimit QKR. Të dhënat janë analizuar në dy data. Datën e themelimit të secilit institucion si shoqëri tregtare, dhe data  1 maj 2014 si datë e vlerësimit të ekstrakteve të reklamuara nga QKR. Në analizën e ODA janë konsideruar vetëm rritjet e kapitalit të audituara, regjistruara dhe publikuara në sistemin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Procesi i regjistrimit dhe publikimit në këtë qendër përbën një veprim me efekte juridike për shoqëritë tregtare.

Gjithsej në Shqipëri operojnë njëzetë e një institucione financiare jobanka. Nga këto: katër ushtrojnë veprimtarinë e Kredidhënies, dy atë të Mikrokredisë, gjashtë të tjerë kryejnë veprimtari të Qiradhënies Financiare, pesë atë të ofrimit të shërbimit të pagesave dhe transferimit të parave, tre atë të Faktoringut dhe një ushtron veprimtarinë financiare të shërbimeve këshilluese, ndërmjetëse dhe shërbime të tjera për këmbimin valutor.

Institucione Financiare Jobanka. Kapital Themeltar dhe Kapital Aktual Themeltar (Aksesuar me 01/05/2014)



Burimi: Banka e Shqipërisë, Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR – 1 maj 2014)
Komentet dhe analiza: ODA

Kapitali Themeltar i investuar në nisje të aktivitetit të gjithë institucioneve financiare jobanka aktive në Republikën e Shqipërisë arrin vlerën e 2.6 miliard lekëve. Institucioni me kapital themeltar fillestar më të lartë  në nisje është Shoqëria e Parë Financiare e Zhvillimit – FAF sh.a. me një shumë prej 1.03 miliard lekë të investuara në themelim. Aktiviteti i saj ka filluar në 31 Dhjetor 2008 dhe ushtron veprimtarinë financiare të kredidhënies.    


Burimi: Banka e Shqipërisë, Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR – 1 maj 2014)
Komentet dhe analiza: ODA

Në datën 1 Maj 2014 Kapitali Themeltar për të gjithë institucionet jobanka vlerësohet të jetë 7.4 miliard lekë ose përkthyer me kursin e këmbimit të kësaj date 72.3 milionë USD apo 52.8 milionë Euro. Institucioni me Kapital më të madh në këtë datë është Posta Shqiptare me përkatësisht 1.64 miliard lekë kapital. Duhet thënë që ky institucion ka dhe jetëgjatësinë më të madhe duke qenë se ka 22 vite që operon në treg.

Institucione Financiare Jobanka. Kapital Themeltar dhe Kapital Aktual Themeltar (Aksesuar me 01/05/2014)



Burimi: Banka e Shqipërisë, Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR – 1 maj 2014)
Komentet dhe analiza: ODA

Rritjen më të madhe të kapitalit themeltar, bazuar në dokumentacionin e reklamuar në QKR, që nga momenti i fillimit të aktivitetit financiar e deri më datën 1 Maj 2014 e ka pasur VisionFund Albania sh.p.k. Kapitali i saj është rritur 1 562 herë në  shtatë vitet që ajo operon në treg.

Institucionet financiare jobanka janë ende në fazat e para të zhvillimit në Shqipëri, por në të ardhmen rëndësia e tyre duhet të rritet, sikurse ka ndodhur edhe në vendet e tjera të zhvilluara, ku këto institucione luajnë një rol të rëndësishëm për ndërmjetësimin financiar në ekonomi.