Open Data Albania po hulumton mbi çmimin në eksport të bakrit dhe produkteve të tij. Produktet kryesore të bakrit që eksportohen janë kategorizuar në nëntëmbëdhjetë grupe sipas Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë (International Trade Center), një agjenci e përbashkët e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe Kombeve të Bashkuara.

Në rastin e vendit tonë dallojmë eksportin e gjashtë grupeve kryesore si: xeheror bakri dhe mbetje të tij (skrap); tela bakri; bakër i rafinuar dhe lidhjet e bakrit të papërpunuara; tuba dhe tubacione bakri; pllaka, fleta dhe shirita bakri, të një trashësie prej më tepër sesa 0.15 mm; si dhe artikuj të tjerë.

Bakri i nxjerrë nga nëntoka tregtohet në pjesën më të madhe në formën e xeherorit, kjo shkak i mosfunksionimit të industrisë përpunuese të tij. Në vitin 2013, xeherori i bakrit dhe mbetjet e tij përbëjnë rreth 97% të totalit të vlerës së bakrit shqiptar të eksportuar.

Vlera të eksportit të produkteve të bakrit shqiptar sipas kategorive 2013


Burimi: International Trade Centre
Komente dhe Analiza: ODA

Nga viti 2001 dhe deri në vitin 2006 kemi një trend rritës të çmimit në eksport të xeherori të bakrit, ndërsa në vitet 2007-2009 kemi një çmim pothuaj konstant të tregtimit të xeherori të bakrit. Situata paraqitet pozitive në vitin 2010, ku çmimi në eksport i xeherorit të bakrit dhe mbetjeve të tij u rrit me 50% krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2011 një kilogram xeheror u shit me vlerën 687 lekë, vlera më e lartë për këtë hark kohorë. Në vitin 2012 çmimit shqiptar në eksport të xeherorit të bakrit shënoi rënie që vijoi dhe në vitin 2013, ku ky çmim ishte 639 Lek/Kg.



Burimi: International Trade Centre
Komente dhe Analiza: ODA 

Totali në vlerë për eksportin e xeherorit të bakrit nga shqipëria për 2013 shënon vlerën 3.05 mld lekë. Në vitin 2013, Shqipëria ka eksportuar sasitë më të mëdha të xeherorit të bakrit dhe mbetjeve të tij në Itali dhe Bullgari. Gjithashtu eksporte janë shënuar edhe drejt Greqi, Turqi, Indi, Jordani dhe Belgjikë. Çmimi në eksport i xeherorit nuk ka qenë i njëjtë për të gjitha vendet e lartpërmendura. Nga të dhënat, vihet re që Jordania dhe Turqia kanë patur çmim më të ulët ndaj vendeve të tjera.

Pas tyre vjen India, Greqia dhe më pas Italia, ku tek kjo e fundit eksportohen sasitë më të mëdha të xeherorit. Bullgaria dhe Belgjika janë vendet që paguajnë më shumë për xeherorin e bakrit shqiptar. Interesant paraqitet çmimi në eksport i xeherorit të bakrit dhe mbetjeve të tij, në shtetin Gjerman. Në vitin 2012, ky çmim ishte vetëm 128 Lek/Kg, shumë larg nga çmimi mesatar i shitjes së xeherorit të bakrit. Në vitin 2013 nuk kemi më tregtim të xeherorit të bakrit në këtë vend të BE.


Burimi: International Trade Centre
Komente dhe Analiza: ODA 

Bakri është një ndër mineralet më të çmuara, i cili eksportohet nga Shqipëria.  Ai nxirret në zonën e Fushë-Arrzit (Munella) dhe përpunohet në formën e koncentratit të bakrit në fabrikën e kësaj zone që administrohet me Koncesion nga kompania e huaj BerAlb. Marrëdhënie të vazhdueshme tregtie kemi me Italinë, ku vit pas viti eksportohen sasi të mëdha drejt këtij vendi. Në vitin 2003, Bullgaria ka rritur sasinë dhe vlerën e xeherorit të tërhequr nga Shqipëria duke u bërë një partner me peshë sa i takon blerjes së bakrit shqiptar.

Destinacionet e eksporteve të bakrit shqiptar sipas sasisë 2001-2013



Burimi: International Trade Centre
Komente dhe Analiza: ODA

Destinacionet e eksporteve të bakrit shqiptar sipas vlerës 2001-2013



Burimi: International Trade Centre
Komente dhe Analiza: ODA

Duke krahasuar me vende të rajonit, çmimi mesatar i eksportit të xeherorit të bakrit sipas shtetit eksportues, rendin në pozitën më të favorshme Maqedoninë. Fqinji ynë lindor në vitin 2013 e ka shitur xeherorin e bakrit me vlerën mesatare 643 lek kundrejt 639 lek si çmim mesatar për eksportet e vendit tonë. Xeherori i bakrit shqiptar sidomos në minierën e Munellës si miniera e parë dhe kryesore e dhënë nën shfrytëzim koncensionar, vlerësohet nga institucione të gjeologjisë shqiptare me përmbajtje minerale tepër të pasur.

Përbërja e këtij minerali  ka bakër të pastër në masën 3%; Zink afër 2%; squfur rreth 35%; metal ari në masën 13gr për ton; argjend 73 gr për ton dhe kadium 78 gr për ton. Në mungesë të industrisë përpunuese vendase ky xeheror tregtohet dhe përpunohet jashtë vendit. Vende të tjera të rajonit kanë cilësi dhe çmim mesatar eksporti për xeherorin e bakrit më të ulët.



Burimi: International Trade Centre
Komente dhe Analiza: ODA