Open Data Albania po hulumton mbi tregues të eksportit të naftës bruto në vitet 2005-2013. Duke filluar nga viti 2005 dhe deri në vitin 2013, sasia dhe vlera e eksporteve të naftës bruto kanë ardhur në rritje të vazhdueshme. Ky fakt vjen si open data diagramapasojë e rritjes së investimeve të huaja dhe eksplorimit të  vendburimeve të naftës në vend.
Në vitin 2013 u eksportuan 1  milionë e 251  mijë 513 ton naftë bruto me një çmim mesatar vjetor shitje 55 mijë e 490 lek/ton. Vendet kryesore ku u eksportua nafta bruto këtë vit ishin Gjermania, Italia, Malta, Spanja, Britania e Madhe dhe Franca. 

Peshë kryesore për 2013-të e kishin sasitë e eksportuara në Itali me 33% të totalit, në Spanjë me 32% dhe në Maltë me 23%. Britania e Madhe ishte vendi që bleu më shtrenjtë nga vendi ynë naftë bruto, ndërsa Italia ajo që e bleu më lirë. 

Eksporti i naftës bruto në vitet 2005-2013 ka pasur si destinacion gjashtëmbëdhjetë shtete. Italia është një nga vendet ku është eksportuar vit pas viti sasi të konsiderueshme nafte bruto nga Shqipëria. Në vitet 2005-2006, Italia shënohet si destinacioni i vetëm i eksportit të naftës shqiptare. Gjatë viteve 2005-2013 janë eksportuar drejt Italisë 60% e totalit të sasisë së eksporteve të naftës bruto.

Në vende si Spanja dhe Malta eksportet deri në vitet 2008 ishin zero. Por duke filluar nga viti 2009 në Spanjë dhe nga viti 2010 në Maltë, eksportet drejt këtyre vendeve kanë shënuar rritje.

Po ashtu, tre vitet e fundit kanë filluar eksportet drejt Gjermanisë, e cila është ndër importueset më të mëdha të naftës në botë. Sasitë e eksportuara në vendet e tjera janë të vogla dhe në periudha 1-2 vjeçare.

Çmimi mesatar vjetor i shitjes së naftës bruto në eksport ka qenë i paqëndrueshëm përgjatë viteve 2005-2011, ndërsa në dy vitet e fundit ky çmim shfaqet më stabël. Çmimi mesatar vjetor më i lartë i shitjes në eksport u shënua në vitin 2013, ku një ton naftë bruto u shit për 55 490 lek, ndërsa çmimi më i ulët u shënua në vitin 2006, ku një ton naftë bruto u shit për vetëm 22 730 lek.

Ndër vendet e rajonit, vetëm Serbia ka eksportuar naftë bruto për vitin 2013. Në ketë vit, një ton naftë bruto e Serbisë u eksportua me një çmim mesatar prej 94 180 Lek, çmim ky pothuajse sa dyfishi i çmimit mesatar në eksport për vitin 2013 të vendit tonë.

Kompania eksportuese më e madhe e naftës në vend është Bankers Petroleum Albania, e cila shfrytëzon fushën e Patos-Marinzës që është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Renta që aplikohet mbi naftën bruto është në nivelin 10%.
Deri më 31 Dhjetor të këtij viti  qeveria duhet të dalë me një vendim mbi politikën e çmimit të energjisë elektrike për tri vitet që vijnë. Procedura e do, që disa institucione shtetërore të lidhura me sektorin, të bëjnë propozimet e tyre deri në këtë datë dhe më pas të bëhet vendimarrja përfundimtare.
Duket se OST-ja dhe KESH-i, që janë dy institucione që do bëjnë sugjerimet përkatëse, njësoj si tri vite më parë do të sugjerojnë rritjen e çmimit të energjisë. Qeveria zyrtarisht e ka lënë të hapur debatin pasi nuk prononcohet pa marrë zyrtarisht propozimet nga këto institucione. Në një farë mënyre qeveria është duke thënë: “Të shohim, nuk i dihet”
Por nëse qeveria mund të mos jetë ende e qartë se çfarë do bëjë me çmimin e energjisë, Instituti i Statistikave, na ka ofruar një panoramë të qartë mbi atë që është bërë në një vit qeverisje me këtë sektor strategjik. Ky raport i INSTAT-it sugjeron se qeveria Rama ka dështuar me problemin kyç të këtij sektori në Shqipëri: Humbjet në Rrjet. 
Figura më poshtë është një diagramë e publikuar nga Instituti i Statistikave, INSTAT:
Tabelë e gjeneruar nga INSTAT

Tabela është një krahasim që  i bëhet nivelit të humbjeve në rrjet, që prej vitit 2012, ku çdo kolonë vertikale përfaqëson një 6-mujor. Sipas shifrave zyrtare të INSTAT-it, qeveria socialiste e Edi Ramës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në 6 mujorin e parë të këtij viti, ka pasur thuajse të njëjtën humbje në rrjet me 6-mujorin e parë të vitit 2013, të qeverisë Berisha. Nga kryeministri Rama dhe nga vetë ministri Gjiknuri, 6 mujori i parë i vitit 2013  është cilësuar si një nga periudhat më të këqija sa i takon sektorit energjitik. Në Shqipëri po trokisnin zgjedhjet e 23 Qershorit dhe qeveria Berisha i kishte ‘lëshuar darët’ duke krijuar një situatë thellësisht abuzive dhe në përmasa serioze të humbjes në rrjet.
Të dhënat teknike sugjerojnë të njëjtën gjë, tabela më poshtë vërteton se humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike në vitet 2012-2013 kapën  nivelet më të larta historike:

Tabelë e gjeneruar nga OpenDataAlbania
Nga ana tjetër raporti i INSTAT-it (lexojeni të plotë  këtu) zbulon se ministri Gjiknuri, në 6-muajt e parë të këtij viti, ka mundur të reduktojë humbjet vetëm me 5.2 për qind më tepër se 6-mujori më i keq i Berishës ose e thënë ndryshe, 5 për qind më mirë se 6 mujori më i keq i humbjeve në rrjet në të gjithë historinë e pas vitit 1992 në këtë vend.
Sot niveli i humbjeve në rrjet shkon afro 40 për qind, një sasi gati e barabartë kjo me sasinë e energjisë që Shqipëria importon në sezone me mungesë prodhimi.
Tabelat krahasuese tregojnë se Shqipëria është e pakrahasueshme me ndonjë vend të rajonit, sa i përket nivelit të lartë të humbjeve në rrjet, si në rrjetin e transmetimit por sidomos dhe në rrjetin e shpërndarjes. Çka do të thotë, se zyrtarët shtetërorë, menaxherët e këtij sektori, janë ”de facto” dhe menaxherët më të dështuar në Ballkan për sektorin e energjisë.
Deri më sot, këtë shembje dhe keqmenaxhim të sektorit të energjisë e ka paguar vetëm një pjesë e shqiptarëve, ajo më korrektja. Ndaj dhe në rrethanat kur humbjet mbeten në nivele galopante për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë, t’i kërkosh të njëjtës kategori të paguajë dhe pak më shtrenjtë vitin tjetër është marrëzi.
Shifrat e INSTAT-it shfaqen kokëforte, ndaj dhe do ishte e tepërt dhe thjesht ta mendosh (e jo më ta propozosh) se zgjidhja për situatën e krijuar do ishte rëndimi me kosto shtesë i atyre shqiptarëve që paguajnë prej vitesh koston e të tjerëve.
Dikush duhet të bëjë detyrën, të paktën le t’i reduktojë humbjet sa viti më i mirë i qeverisjes së Berishës.