Nga vitit në vit numri i mjekëve, dhe i infermierëve për banorë ka ardhur në rënie në vendin tonë. Sipas të dhënave, vërehet se për 1 mijë banor është pak më shumë se një mjek. ‘Open Data Albania’ ka kryer një hulumtim mbi disa tregues të sistemit shëndetësor në Shqipëri, si dhe krahasimin me vendet e rajonit për këta tregues. Të dhënat bazohen në statistikat e Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Numri i mjekëve për 1 000 banorë është një tregues i rëndësishëm i nivelit të kujdesit shëndetësor në një vend. Duke filluar nga viti 1989, numri i mjekëve për 1,000 banorë në Shqipëri ka ardhur në rënie.

 Sipas të dhënave më të fundit (2007), në Shqipëri ka 1.15 mjekë për 1 000 banorë, krahasuar me 1.39 në vitin 2000. Nëse kjo shifër krahasohet me vendet e rajonit, rezulton se ky tregues është 2.5 në Maqedoni, 2 në Serbi, 6 mjekë për 1 000 banorë në Greqi etj. Ndërkohë në Shqipëri rezultojnë 4 infermiere për 1 000 banorë. Bazuar në të dhënat, rezulton se edhe numri i shtretërve spitalorë ka ardhur në ulje. Në 2007, rezultojnë vetëm 2.92 shtretër spitalorë për 1 000 banorë. Krahasuar me vitin 2000 kjo shifër është ulur me 11%.