Popullsia në Shqipëri po shkon drejt plakjes, ndërkohë që femrat kanë
një jetëgjatësi mesatare më të lartë se meshkujt. Sipas një studimi të
kryer së fundi nga Open Data Albania (ODA), kategoria e personave mbi 65
vjeç është në rritje dhe ky fakt flet për fenomenin që po shfaqet shumë
ngadalë edhe në vendin tonë, që është plakja e popullsisë. Ulja e
nivelit të lindjeve pritet të japë efektet e saj gjithmonë e më shumë në
brezat e ardhshëm.

Ndërkohë, rritja e numrit të popullsisë mbi 65 vjeç
duhet të tërheqë vëmendjen e shtetit për hartimin e politikave
paraprijëse sociale si dhe skema të kujdesshme për pensionet. Përsa i
përket idesë që ka mbizotëruar kudo dhe shpesh se në botë ka më shumë
femra se sa meshkuj, sipas të dhënave të ODA, në një vështrim të
përgjithshëm të përqindjes që zënë femrat ndaj popullsisë totale,
rezulton se janë të rralla shtetet që kanë mbi 52% të përbërjes së tyre
nga femrat (Zvicra, Armenia, Bjellorusia, etj).

Mesatarisht, në botë, në
vitin 2009, 49.59% e popullsisë përbëhej nga femra. Ndërsa në vendet e
BE-së, ky inidikator ishte 51.16%. Edhe Shqipëria është luhatur rreth
këtyre kufijve. Sipas ODA, në periudhën 1998-2010, raporti i femrave
ndaj popullsisë totale ka variuar nga 49.8%-50.17%. Mesatarisht, në
vendin tonë, raporti është 99.99 femra për 100 meshkuj, pra pothuajse 1
me 1. Në 1998-n, kishte 12 246 meshkuj më shumë sesa femra apo 0.8% më
shumë. Me kalimin e viteve, raportet nisën të ndryshonin duke u rritur
numri i femrave dhe në 2004-2005-n, diferenca shkoi rreth 11 000. Pas
kësaj periudhe, meshkujt kanë mbizotëruar pothuajse gjithë kohës dhe në
2010-n, në Shqipëri ka 16 400 meshkuj më shumë sesa femra.

Sipas
studimit, interesant është fakti se meshkujt mbizotërojnë për gjatë
gjithë viteve në grupmoshat 0-24 vjeç dhe 50-69 vjeç. Femrat janë më të
shumta në numër në grupmoshat 25-49 vjeç dhe mbi 70 vjeç. Ky fakt i
fundit flet për një jetëgjatësi mesatare më të lartë të femrave sesa të
meshkujve. Ndërkohë që studimi i grupmoshave merr rëndësinë e tij në
analizën demografike të një vendi. Në shqyrtim, ODA ka marrë tri
grupmosha kryesore: 0-14 vjeç, 15-64 vjeç dhe mbi 65 vjeç. Kjo ndarje
bëhet duke u nisur kryesisht nga mundësia për të punuar. Nga të dhënat
është vënë re një lidhje e zhdrejtë midis dy grupmoshave ekstreme, pasi
përqindja që zë grupmosha 0-14 vjeç ndaj totalit vjen çdo vit në ulje,
ndërkohë që kategoria mbi 65 vjeç është në rritje.

 

Kategoritë e moshave viti 2009

 

0-14 vjeç 747,436

 

% e 0-14 ndaj totalit 23.40%

 

15-64 vjeç 2,146,613

 

% e15-64 ndaj totalit 67.20%

 

Mbi 65 vjeç 300,368

 

% e + 65 ndaj totalit 9.40%

 

Totali 3,194,417