Në kategorinë e të Ardhurave Tatimore janë marrë në analizë katër zërat më të rëndësishëm: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), Tatimi mbi Fitimin, Akciza dhe Tatimi mbi të Ardhuat Personale (TAP).  Që në muajt e parë të 2009-s u vu re një mosrealizim i planit për tre llojet e para të tatimeve, për rrjedhojë, në Buxhetin e Rishikuar ato u korrigjuan duke u ulur përkatësisht me 2.8 miliardë lekë TVSH-ja, 3.2 miliardë lekë Tatimi mbi Fitimin, ndërsa Akciza me 8 miliardë lekë apo 17% më pak.

I vetmi zë që u parashikua me rritje në Buxhetin e Rishikuar ishte TAP-i. Ecuria e kënaqshme e dy viteve të mëparshme, që prej zbatimit të politikave të reja lidhur më këtë tatim, si dhe arkëtimet e larta për pjesën e parë të vitit bën që në Buxhetin e Rishikuar TAP-i të rritej me 4.6 miliardë lekë, apo 17.4%.

Të dhënat faktike rezultuan me mosrealizim për të gjithë treguesit. TVSH-ja u realizua në masën 97.6% apo 2 miliardë më pak se sa në Aktin Normativ (AN). Akciza 91.7% e realizuar apo 3 miliardë më pak se sa AN-ja. TAP-i, pavarësisht parashikimeve optimiste për shkak të ecurisë së kënaqshme ishte 5.8% nën AN dhe përafërsisht sa Buxheti Fillestar. Ndërsa Tatimi mbi Fitimin ishte i vetmi zë që pati një mosrealizim nën 500 milionë lekësh. 

 

Burimi: Ministria e Financave
Komentet dhe përpunimi: Open Data Albania