Shoqëritë e kursim-kreditit, janë institucione financiare të cilat pranojnë depozita vetëm nga anëtarët e tyre, dhe i japin hua këto fonde për të siguruar fitim. Ato janë subjekt i liçencimit dhe mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe janë pjesë përbërëse e unioneve të shoqërive të kursim-kreditit, të cilat kanë për detyrë të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë gjendjen financiare dhe normat e mbikëqyrjes mbi baza individuale dhe në mënyrë të përmbledhur për të gjithë rrjetin e shoqërive të kursim-kreditit.
Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi këto institucione, dhe peshën e tyre krahasuar me sistemin bankar, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë.
Në Shqipëri aktualisht veprojnë dy unione kursim-krediti:
• Unioni i Shoqërive të Kursim Kreditit “Jehona” Tiranë;
• Unioni i Shoqërive të Kursim Kreditit “Unioni Shqiptar Kursim Kreditit” Tiranë.
Grafikisht gjatë viteve të fundit, vlera e aktiveve në milionë lekë ka ndyshuar sipas grafikut:
Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA
Në fund të vitit 2010, vlera e aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit vlerësohet në 5.24 miliardë lek, apo 6.8% më shumë se në vitin 2009. Gjatë vitit 2010, shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, kanë vijuar zgjerimin e aktivitetit, me një ritëm të shpejtë. Aktiviteti kreditues vijon të zërë peshën kryesore në veprimtarinë financiare të këtyre shoqërive. Gjatë 2010 cilësia e portofolit të kredisë ashtu si edhe në sektorin bankar ka rënë.
Pesha e aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit ndaj PBB-së, ka ndryshuar sipas kësaj tabele:
*Bazuar në të dhënat e gjashtëmujorit të parë të 2010
Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA
Edhe pse pesha e aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit, ndaj PBB-së ka ardhur në rritje, krahasuar me aktivet e sistemit bankar i cili zë rreth 80% të PBB-së, shoqëritë e kursim-kreditit kanë ende një peshë të ulët relative në sistemin financiar shqiptar (rreth 1% të sistemit financiar).
Shoqëritë e kursim-kreditit, janë tepër të rëndësishme për zhvillimin e mikrokredisë, dhe mbulimin e sektorëve që bankat nuk preferojnë. Prania e tyre në treg, rrit konkurrencën, dhe përmirëson kreditimin në ekonomi.