Shumë komuna dhe bashki po kthehen në “sulltanate”, ku riciklohet vetëm pushteti i një personi. Nuk janë pak, por 13 për qind  e drejtuesve vendorë, të cilët ushtrojnë mandatin e  tyre të katërt. Në një studim të “ Open Data Albania ”, evidentohet se një pjesë e mirë e të zgjedhurve vendorë, kanë fituar disa mandate në zonat ku kandidojnë. Nga të dhënat, vërehet se një pjesë e tyre kanë garuar nën siglat e partive të ndryshme. Artikulli hulumtues përmban  informacione për fituesit si kryetar komune në zgjedhjet për pushtet lokal të vitit 2000, 2003, 2007 dhe 2011-të. Në zgjedhjet për pushtetin vendor në katër proceset e fundit elektorale janë rikonfirmuar në një mandat të dytë qeverisës 210 kandidatë ose 51 % e listës së kryetarëve të komunave në vend.
Edhe pse në një numër më të pakët, në mandatin e tretë qeverisës kanë drejtuar komunat 78 kandidatë ose 25,32% e listës së kryetarëve të komunave në vend. E veçantë sipas analizës hulumtuese të Open Data Albania është se 41 kandidatë  ose 13,31% e listës së kryetarëve të komunave në vend kanë fituar 4 mandate si kryetar komune në katër proceset e fundit elektorale. Pjesa më e madhe e kryetarëve të njësive vendore i përkasin dy partive të mëdha të cilat kanë preferuar që t’ia besojnë të njëjtëve drejtimin e komunave për disa vite me radhë. Edhe kandidatët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, kryesisht në komunat e jugut të vendit kanë fituar katër mandate rresht.  Në njësitë vendore në veri të vendit, janë kryesisht të zgjedhur nga Partisë Demokratike, ndërsa në jug të vendit vërehet një dominim i kandidatëve të majtë.
Komuna Maqellarë e qarkut të Dibrës, prej 12 vitesh vazhdon që të drejtohet nga i njëjti kryetar. Bardhyl Nuri ka konkurruar për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2000 nën siglat e një koalicioni të gjerë të së djathtës, PD+PLL+PBL+PBKD+PBD. Në vitin 2003 ai ripërsërit fitoren mbështetur nga tre parti, PD+PR+PBL, dhe në zgjedhjet e 2007-ës, ai garon vetëm nën siglën e Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e 8 majit, Nuri zgjidhet për një mandat të katërt i mbështetur nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin”. Nga opozita, Dhimitër Kote prej katër mandatesh drejton komunën Xarë të rrethit të Sarandës.  Në zgjedhjet e vitit 2000 dhe 2003, ai garoi nën siglën e Partisë Socialiste ndërsa në dy zgjedhjet e tjera garoi i mbështetur nga koalicioni i majtë.
Nga studimi ka edhe kandidatë të cilët në mandatet e tyre të dyta apo të treta kanë braktisur koalicionin dhe kanë garuar ose si të pavarur ose nën siglën e ndonjë subjekti politik. I tillë është rasti i Kadri Celës, në Komunën Leshnjë të rrethit Skrapar,  i cili në vitin 2000 është mbështetur nga Partia Socialiste , ndërsa tre vjet më vonë ia ka kandiduar si i pavarur dhe ka fituar zgjedhur.  Kurse Simon Kaca në komunën Ulëz, të rrethit të Matit, në zgjedhjet e vitit 2000 ka garuar në siglën e Partisë Socialiste, kurse tre vjet më vonë ka garuar nën siglën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Fitimi i disa mandateve rresht është parë me shqetësim nga shoqëria civile e cila ka akuzuar politikën për mosdhënien e hapësirave të nevojshme kandidatëve të rinj për të sjellë ndryshimin.
Në deklaratat e tyre nëpër media, përfaqësues të organizatave të ndryshme janë shprehur se qëndrimi i disa krerëve vendor për disa mandate rresht ka bllokuar reformat dhe në jo pak raste ka sjellë rritjen e abuzimeve me detyrën. “Gjatë kësaj kohe është formuar një brez i tërë njerëzish, të arsimuar e shkolluar brenda e jashtë vendit, të cilët kanë dëshirë, vullnet, energji, fantazi për të punuar. Por, rrugën ua zënë ulokët e vjetër, të cilët kandidohen e rikandidohen nga partitë, sepse ata “sigurojnë vota”, ata e kanë krijuar atë mekanizmin famëkeq riciklues. Në zgjedhjet e 8 Majit partitë kërkuan t’i zëvendësojnë disa kandidatura të vjetra, por u gjendën përballë kërcënimeve për daljen si të pavarur dhe “mekanizmi” i tyre riciklues i prishte punë partisë, e cila për çështje votash bën pakt edhe me djallin”, thuhet në deklaratat e përfaqësuesve të “Alternativës Civile”. Sipas tyre, ata kanë krijuar një mekanizëm informal ku përfshihen korrupsioni, abuzimi me pronat publike, farefisnia, klanizmi, tarafllëku, tregtia e votës, tregtia e vendeve të punës etj, duke siguruar riciklimin e pushtetit.
Bashkim Fino: “I tepërt mandati i katërt, të mos kandidojnë më”
Partitë politike i mëshojnë më shumë meritës së një kandidati për postet në pushtetin vendor, sesa rregullimit ligjor, kufizimit të mandateve. Por, përfaqësues të shoqërisë civile bëjnë apel për ndryshimin e ligjit. Bashkim Fino, Sekretar për Pushtetin Vendor në PS, i pyetur nga gazeta “Shekulli”, shprehet se “nga pikëpamja ligjore nuk ka problem, mund të kandidojë çdo njeri sa herë të dojë. Nga pikëpamja politike, mendoj se duhet të shikohet nga partitë politike”.  Fino  i mëshon idesë së meritokracisë dhe shqyrtimit rast pas rasti. “Në rastin konkret në partinë tonë e shikojmë në lidhje me analizën që bëjmë nëse e meriton një kandidat që të rikandidojë ose të mos garojë më”- thotë Fino.
Ndërkaq, rastin e atyre drejtuesve vendorë të zgjedhur katër mandate rresht, Bashkim Fino e quan “të tepërt”. “Por, unë do të thosha që pas katër mandateve komune apo bashkie, një kandidat nuk ka se çfarë të japë më dhe mendoj se do të ishte mirë që të mos kandidonte më tej”, përfundon Fino. Një nga organizatat që ka lobuar më shumë për kufizimin e imunitetit të kryetarëve të njësive vendore në vendin tonë është “Alternativa Civile”, e cila ka ndërmarrë një nismë politike e ligjore për kufizimin e numrit të mandateve deri në 2, me arsyetimin se ata (pushtetarët vendorë) kanë prodhuar tashmë mekanizmin e riciklimit të pushtetit të tyre korruptiv, duke deformuar demokracinë.