Zbulohet një tjetër skandal, me përmasa të frikshme, në Bankën e Shtetit shqiptar. Konfirmohen të gjitha dyshime se, Ardian Fullani, ikona e korrupsionit në Shqipëri, ka prerë kartëmonedha për të financuar Sali Berishën për fushatat elektorale.

Ardian Fullani, që pas vitit 2007, ka rritur me shpejtësi sasinë dhe vlerën e kartëmonedhave dhe monedhave të hedhura në qarkullim. Sipas grafikut të emetimit të lekut, vihet re një prerje më e madhe kartëmonedhash në vitin 2009 dhe vitin 2013, pra në vitet e fushatave elektorale të Sali Berishës, shpenzime të cilat kapin miliarda lekë. Në vitin 2007, sipas Open Data, sasia e kartëmonedhave dhe monedhave të hedhura në qarkullim nga Banka e Shqipërisë shënon vlerën në lekë 161 162 000 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e një miliardë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy milionë). Ndërkaq, në vitin 2009, pra në vitin elektoral, ku Sali Berisha u riciklua në pushtet, Ardian Fullani ka hedhur në qarkullim 216 767 600 000 lekë (dyqind e gjashtëmbëdhjetë miliardë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind mijë). 55 miliardë lekë janë hedhur më shumë.

Pra, krahasuar me vlerën e parave të prera në vitin 2007, kjo vlerë është rritur në dy vitet në vazhdim, duke arritur një pikë kulmore në vitin 2009. Vlera dhe sasia e parave të hedhura në qarkullim vjen në ulje pas vitit 2009, duke arritur një tjetër pikë kulmore në vitin 2013, në vitin tjetër elektoral, ku Sali Berisha lëvizi çdo gur për t’u ricikluar në pushtet. Pra, siç edhe e tregon grafiku dhe shifra e mëposhtme, ka një rakordim midis shumës së parave të hedhura dhe fushatave elektorale të Sali Berishës. Gjatë vitit 2013 rezulton të jenë hedhur në qarkullim monedha dhe kartëmonedha që përbëjnë vlerën në lekë 207 766 000 000 (dyqind e shtatë miliardë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë). Pra Fullani ka shtuar me 46 miliardë lekë shumën e kartëmonedhave dhe monedhave të prera, krahasuar me shumën në vitin 2007, në mënyrë të dyshimtë dhe aspak të justifikuar.  

Inflacioni   

Por çfarë ka ndodhur me inflacionin dhe a e justifikon grafiku i inflacionit shumën e parave të hedhura në qarkullim. Sipas të dhënave dhe grafikut, inflacioni në vitin 2007 është 3.1 përqind, në vitin 2008 2.2 përqind, në vitin 2009 3.5 përqind, në vitin 2010 3.6 përqind, në vitin 2011 1.7 përqind, në vitin 2012 2.4 përqind dhe në vitin në vitin 2013 1.9 përqind. Inflacioni është një tregues i ndryshimi të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në një ekonomi. Inflacioni matet si ndryshimi i Indeksit të çmimeve të konsumit (IÇK), i cili mat ndryshimin e çmimit të një shporte artikujsh që përfaqëson ato mallra që konsumohen zakonisht nga një familje. Inflacioni arriti në 1.9% në fund të vitit 2013 duke shënuar rënie kundrejt një viti më parë. Rënia e inflacionit ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike në vend që ka ulur konsumin e mallrave dhe shërbimeve nga vendasit.  

Llojet e monedhave   

Në Republikën e Shqipërisë janë njëmbëdhjetë lloje monedhash që shërbejnë si mjet pagese, duke filluar nga monedha e bakrit 1 lek duke vijuar me 5 lekëshin, 10 lekëshin, 20 lekëshin, 50 lekëshin dhe së fundmi me 100 lekëshin. Ndërsa për kartëmonedhat prerja më e vogël është 200 lekëshi, i cili pasohet nga 500 lekëshi, 1000 lekëshi e 2000 lekëshi. Prerja me vlerën më të madhe është 5000 lekëshi. Peshën më të madhe të kartëmonedhave në qarkullim e zë 1000 lekëshi me 42% të totalit të sasisë së kartëmonedhave në qarkullim në Republikën e Shqipërisë për vitin 2013.

Sasia më e vogël e monedhave letër në qarkullim është ajo e prerjeve 200 dhe 5000 lekëshe, që përbëjnë përkatësisht 8 dhe 15% të totalit. Ndërsa në vlerë, emisioni i kartëmonedhës 1000 lekëshe është krahasimisht më i lartë se i kartëmonedhave të tjera dhe shënon vlerën e 85 836 000 000 lekëve. Gjatë vitit 2013 monedha më e përdorur është 10 lekëshi që zë 28% të gjitha monedhave metalike të përdorura, pasuar nga 20 lekëshi që zë 24% të totalit. Ndërsa në vlerë, emisioni i monedhës 10 lekëshe shënon vlerën e  950 000 000 lekëve.