Të tjerë elementë të dyshimtë dalin në dritë nga hetimi i Shqiptarja.com mbi kompaninë Soft & Solution. Kompania në fjalë, krejt e panjohur për publikun e gjerë deri në shpërthimin e skandalit të byzylykëve të mbikëqyrjes në fushën penale në muajin gusht, pas një hetimi të Shqiptarja.com, rezultoi e lidhur ngushtë me Ermal Beqirin, drejtor IT i ZRRP-së (tashmë i shkarkuar).
Hetimet e mëtejshme zbuluan se si vete Soft & Solution, kishte fituar në vitin 2015 plot 4 tendera të prokuruara nga zyra e drejtuar nga Beqiri, ndërkohe, partneri i saj në tenderin e byzylykëve si edhe ne 16 tendera të tjerë, kishte fituar ne vitin 2016 një kontratë me vlerë 293 milionë lekë të reja po nga zyra e Beqirit.
Në të gjithë këta tendera të prokuruar nga Ermal Beqiri dhe të fituar nga Soft & Solution ose partnerët e saj në biznes, bie në sy që oferta fituese është përherë midis 0 dhe 2 përqind të fondit limit, pra pothuajse inekzistente.
Por ky, duket se nuk është i vetmi dëm ekonomik shkaktuar shtetit shqiptar. Pas një analize të pasqyrave financiare të vitit 2016 (bilancit) të dorëzuar nga kompania Soft & Solution në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, dalin në pah të dhëna shumë të dyshimta.N Kështu, kompania ka deklaruar për vitin 2016, të ardhura me vlerë 451,214,887 lekë të reja.
Nga këto, siç shihet nga të dhënat e Open Data Albania, 106,047,485 lekë janë direkt të arkëtuara nga Thesari i Shtetit. Pjesa tjeter, vjen nga aktiviteti me sektorin privat, ose nga kontratat shtetërore në të cilat kompania ka qënë nënkontraktore ose pjesë e një bashkimi operatorësh, por jo përfaqësuese e tij. Deri  këtu asnjë e re nga çfarë është zbuluar në javët e shkuara. Detaji i parë i dyshimtë që vihet re në bilanc, është shifra e shpenzimeve për lëndë të parë dhe materiale të konsumueshme. Kompania ka deklaruar plot 365,451,804 lekë shpenzime për lëndë të parë dhe materiale të konsumueshme, pra 80,9% të xhiros.
Shifra nuk do të ishte alarmuese nëse do të bëhej fjalë për një kompani tjeter,  për shembull mobiljesh apo ndërtimi, që realisht ka nevojë për lendë të parë për të gjeneruar të ardhura, por mjafton një kontroll në bilancet e kompanive të tjera të mëdha që ofrojnë të njejtin shërbim, për të kuptuar që asnjeherë kjo kosto nuk i kalon 35% të xhiros në kompanitë që ofrojnë shërbime në fushën e programimit dhe sistemve informatike.
Kostoja reale e këtyre kompanive është kapitali njerëzor, pra pagat e punonjësve, e pikërisht tek pagat e punonjësve vërehet anomalia e dytë, akoma edhe më e madhe në bilancin e Soft & Solution. Kompania raporton vetem 4,963,958 lekë shpenzim për paga gjatë gjithë vitit 2016, dhe vetëm 710,352 lekë shpenzime për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Pra, një kompani me xhiro vjetore mbi 3.3 milionë euro dhe me seli në një vilë 2-katëshe në mes të Tiranës, në një muaj paguan 413,663 lekë paga dhe 59,196 lekë sigurime shoqërore e shëndetësore!
Duke u përqëndruar vetëm të kontratat që kompania ka në vetë të parë me shtetin shqiptar gjatë vitit 2016, vihen re tre kontrata të mëdha me vlerë totale mbi 80 milionë lekë. Pyetja që lind natyrshëm është: kush i ka realizuar këto kontrata me vlerë dhjetëra milionë lekë për kohëzgjatje pune jo më shume se 4 muaj? Një kompani me 4 punonjës që paguhen nga 100,000 lekë ne muaj secili, apo një kompani me 20 punonjës që paguhen nga 20,000 lekë ne muaj secili? Të dyja hipotezat janë të pabesueshme.
Një kompani me 4 punonjës nuk mundet as të kualifikohet në një tender të tillë, e jo më të realizojë në kohë projekte aq komplekse, ku kriteret e kualifikimit përherë kërkojnë një numër të lartë punonjësish. Mbetet hipoteza e dytë, por a mund të besohet që punonjës të një prej industrive më të lakmuara në të gjithë botën, të pranojnë të paguhen nga Soft & Solution për projekte dhjetëra milionëshe, me një pagë qesharake? Apo ata paguhen me një pagë minimale sa për të rezultuar në listëpagesa për të arritur kriteret e kualifikimit, dhe pjesën tjetër të shpërblimit e marrin në të zezë? Apo shperblehen duke u punësuar fiktivisht në institucione të tjera duke iu bëre barrë dy herë shtetit?
Nëse vazhdon kërkimin në ekstraktet e QKB, zbulon qe Arjola Koromani, aksionerja e vetme zyrtare dhe administratorja e Soft & Solution, ka edhe një kompani tjetër të krijuar në vitin 2017, me emër INGW-T, në bashkëpronësi me Erisa Malellarin. Kjo e fundit, është pronare me 100% të aksioneve në kompaninë Forensic – Lab shpk, e gjithashtu në të shkuarën, njësoj si Koromani, ka shërbyer si përfaqësuese ligjore e Ermal Beqirit, ne kompaninë e tij me emër shumë të ngjashëm: Al Forensic. E ndërsa për INGW-T nuk ka ende të dhëna publike, pasi ekziston prej vetëm pak muajsh, në shoqërinë Forensic – Lab, vihet re një anomali e ngjashme: 57 milionë lekë të ardhura, 45 milionë lekë shpenzime për lendë të parë, dhe shpenzime pagash prej vetëm 924 mijë lekë në vit. Thënë ndryshe, një kompani xhiron mbi 420 mijë euro në vit, duke paguar vetem 77,000 lekë rroga në një muaj.
A është kjo një skemë shume e koklavitur për t’i dërguar paratë tek përfituesi i tyre real? Të gjitha këto dyshime janë lehtësisht të vërtetueshme dhe Prokuroria me siguri do të hetojë edhe mbi rrjedhën e parasë në kuadër të hetimit që ka nisur. Ajo që është e sigurtë për sot, është fakti që një kompani me xhiro 451 milionë lekë të reja, nga të cilat 106 milionë të marra direkt nga Thesari i shtetit e sipas të gjitha gjasave edhe shumë të tjera të marra prej aty në menyrë indirekte, deklaron fitim vetem 41 milionë lekë dhe i paguan shtetit vetëm 6,2 milionë lekë tatim fitimi, e vetëm 710 mije lekë kontribute për sigurim.