Shkrimtari dhe gazetari, Joris Luyendijk, ishte pjesë e ngjarjes MasterClass në Tiranë, që u organizua nga Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS) me mbështetje të Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë. Joris Luyendijk, është gazetar i gazetës “The Guardian”, autor i disa librave, në mesin e tyre edhe i librit “Hienat bankare”, që është i përkthyer në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Scanderbagbooks”.
Në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën, duke folur për procesin e integrimit të Kosovës në BE, ai thotë se “Kosova, nuk e ka shumë seriozisht liberalizimin e vizave, apo anëtarësimin në BE.
”Kosova po kalon në një proces shumë të vështirë në rrugën drejt integrimit evropian. Konkretisht tani, është çështja e demarkacionit me Malin e Zi që na është vënë kusht për liberalizimin e vizave. Nga përvoja, si e shihni integrimin e Kosovës në BE?
Joris: Kosova është të themi si e pa fat në këtë moment. Në këtë moment jo vetëm për Kosovën por edhe për vendet e tjera që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Kosova në këto moment po merret më shumë me veten e vet. Në këtë moment Bashkimi Evropian ka probleme të mëdha me euron, me Greqinë, Poloninë, Hungarinë…dhe risku i të pranuarit të vendeve të reja si anëtare të Bashkimit Evropian, është goxha i vështirë për t’u bërë. Kjo vlen jo vetëm për Kosovën por edhe për vende të tjera si Shqipëria dhe Maqedonia, meqë jemi në këtë rajon. Kështu që, për mendimin tim, Kosova nuk e ka shumë seriozisht liberalizimin e vizave apo anëtarësimin në BE, por po mundohet ta mbajë procesin në vazhdim e sipër. Është shumë e vështirë për cilindo politikan sot të thotë”: Po, dakord! Le të bëhet Kosova apo Shqipëria anëtare e BE, e nesër t’i mbërrijnë 100 mijë vetë nga Kosova apo Shqipëria brenda saj. BE-ja po tregohet shumë egoiste.
 
E keni shkruar librin, i cili është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, me titull “Hienat bankare”. Kush janë këto Hiena Bankare?
Joris: Janë shumë më shumë se sa si ti, si unë, se sa ne mendojmë ose se sa na pëlqejnë. Do të thosha se kanë disa karakteristika më shumë se që i kemi ne njerëzit e zakonshëm. Të themi se janë më ambiciozë, punojnë shumë. Janë shumë më të zgjuar, janë shumë inteligjentë kur vjen puna për t’i analizuar gjërat, kur vjen puna te logjika. Ndërsa, kur vjen puna emocionalisht, do të thosha se nuk janë dhe aq inteligjentë.
Meqë keni jetuar në botën e bankierëve, si e keni përjetuar ju këtë botë, nga këndi i njeriut të zakonshëm?
Joris: Në fakt, ajo që prisja ishte se do t’i shihja, do t’i njihja ca njerëz të tmerrshëm që punonin në banka. Në fakt, u befasova! Dhe, kuptova që ata njerëz mund të jenë dhe njerëz shumë të mirë. Unë mendoja që përderisa bankat i krijojnë këto probleme të tmerrshme, me siguri që ka njerëz të tmerrshëm, por jo, nuk është ashtu. Domethënë, mund të kesh një sistem të tmerrshëm, pa pasur njerëz të tmerrshëm.
Brenda librit “Hienat bankare”, e keni një titull “Padronët e universit”. Janë ata, padronët, edhe të neve njerëzve të thjeshtë?
Joris: Në fakt është një lloj nofke që vetë bankierët ia kanë vënë vetes.  Fillesat i kanë pasur me një shkrimtar amerikan, Tom Muv quhet, i cili ka shkruar diçka satirike rreth bankierëve, ironizonte me ta duke i quajtur mjeshtër të universit. Kur e kanë lexuar vetë bankierët e kanë marrë shumë seriozisht dhe kanë thënë që ne, vërtet, jemi padronët e universit, se ne jemi ajka e universit, ne jemi më të mirët, në jemi në maje, të gjithë duan të kenë punën tonë… në njëfarë mënyre kjo është kultura mes bankierëve. Është sikur puna e futbollit me Mesin. Mesi është më i miri, të gjithë duan të jenë Mesi.
Jeni autor edhe i disa librave të tjerë. Cilin nga librat tuaj e konsideroni si më të arriturën tuaj?
Joris: Libri që unë e dua dhe e kam më shumë për zemër është libri i parë që kam shkruar. Në librin e parë, si çdo shkrimtar, si të them, je më i pastër. Pas kësaj fillon të shkruash, merr reagime, komente nga njerëzit. Dikush thotë e pëlqeva, dikush tjetër nuk e pëlqeva…dhe fillon që zëri të të ndotet pak. Është shumë e çuditshme. Çdo shkrimtar shkruan sepse do që të publikohet, mirëpo publikimi vjen më këtë lloj ndotje që thashë. Ne e kemi një fjalë shumë të bukur në holandisht “të shkruash, pa u ndikuar”, sepse në fund të fundit jemi qenie njerëzore.
Libri “Hienat bankare”, të themi, e ka “tronditur” botën. A keni pasur ndonjë kërcënim?
Joris: Nuk kam pas kërcënime fizike të tipit që ka dalë dikush që donte të më rrihte, apo edhe me keq, por ka pasur një lloj fushate thashethemesh, një lloj thashethemnaje e madhe si p.sh: ai shkruan gjëra që duan t’i lexojnë njerëzit, ai shkruan gjepura, gjithçka është kot, etj. Kështu ndodh në fakt kur shkruan në lidhje me njerëzit dhe me pushtetet shumë të mëdha.
Çka pas “Hienat bankare”?
Joris: Ajo çka dua unë të bëj tani është të ndihmojë shumë gazetarë në Holandë që kanë ardhur si emigrantë e që origjina e tyre është nga Lindja e Mesme apo nga vende të tjera të Evropës Lindore, që të bëhen gazetarë më të mirë, në kuptimin më të fuqishëm. Po flasim për Bashkimin Evropian, por ne vetë në Holandë, kemi nevojë për shumë më shumë integrim, sepse kemi nevojë për më shumë diversitet, për më shumë femra gazetare, për gazetarë që vijnë, si të them, nga klasa punëtore. Kjo është ajo që dua të bëj, që ata të futen në rrethin e madh të gazetarisë.