Shqipëria e ka vetëm 16 për qind përfaqësimin e grave në parlament, ndërsa në pushtetin vendor e ka më pak se 1 për qind. Studiuesit pohojnë se gruaja shqiptare është më shumë e shkolluar se burrat, dhe më pak e punësuar. Për paradoks ajo është e diskriminuar në arsim dhe shëndetësi, pikërisht në fushat ku edhe numerikisht është mbizotëruese. Kjo ndodh sepse politikat sociale dhe vendimmarrjen e kontrollojnë burrat pothuajse plotësisht.

Zonja Elsa Ballauri e Grupit për të drejtat e njeriut thotë se “politika është fusha më e vështirë që gruaja shqiptare të arrijë liritë e saj. Këtu atë nuk e pret ndonjë fitore e gatshme, ndaj duhet të përpiqet vetë për të realizuar politikat në dobi të femrave shqiptare”.

Përfaqësuesja e Institutit të Shkencave dhe projektit Open Data Albania, Aranita Brahaj, thotë se “vdekshmëria e nënave është tepër e lartë; mesatarja e Europës është 5 gra humbin jetën në 100 mijë lindje, ndërsa Shqipëria – 31 nëna humbin jetën gjatë shtatëzanisë ose gjatë lindjes. Gratë në Shqipëri gjatë pluralizmit janë marrë përherë e më pak me politikë. Shqipëria është larg standardit te BE dhe të OKB-së me përfaqësimin e grave në politikë”.

Partitë politike janë angazhuar me një nen në Kodin Zgjedhor për ta çuar pjesëmarrjen e gruas shqiptare ne politike në 30%. Por në dy zgjedhjet e fundit kjo nuk u realiua. Një numër përherë e më i vogël kandidatesh dhe akoma më i vogël fituesesh dalin nga këto zgjedhje si për parlament ashtu edhe pushtet vendor, këshilla bashkiakë e komunale.