AIDS është cilësuar si një ndër sëmundjet më problematike të viteve të fundit. Në mungesë të një kure për shërim, parandalimi ngelet mbrojtja më e mirë prej saj. AIDS mund të godasë të gjithë, të rinj, të rritur por edhe fëmijë. Globalisht, ajo renditet e dyta si shkaktare e vdekjes së grupmoshës 20-24 vjec dhe e para në Shtetet e Bashkuara për vdekje së grupmoshës 25-44 vjec.

Ka një diferencë midis HIV dhe AIDS. HIV (Human Immunodeficiency Virus)është virusi që mund të shkaktojë AIDS. Ai i përket grupit të viruseve të quajtura retro viruse apo viruse “të ngaldashëm”. Ai hyn në trup nëpërmjet kontaktit seksual apo gjakut të marrë nga një person i infektuar dhe dalëngadalë fillon të godasi sistemin imunitar. Shaktërrimi i sistemit mbrojtës shpie në AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome). Pra, AIDS është stadi final i infektimit me HIV. Në këtë fazë sistemi imunitar i trupit është dorëzuar dhe nuk mund të luftojë më asnjë sëmundje, sado e lehtë të jetë ajo. Kohëzgjatja e kalimit nga HIV në AIDS varet nga disa faktorë. Në ditët e sotme ka shumë ilace që mund të përdoren nga të infektuarit më HIV, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë një jetë normale për një kohë të gjatë.

Deri në vitin 2010, në Shqipëri kanë rezultuar 406 persona të infektuar me HIV dhe 142 janë në stadin AIDS.

 

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik
Komentet dhe përpunimi: ODA

Edhe nga grafiku mund të shikohet se deri në vitin 2000, rastet kanë qenë të pakta, por pas kësaj periudhe, numri i personave të infektuar ka ardhur në rritje me norma relativisht të larta. Në vitin 2007 rezulton rritja më e lartë e personave të infektuar, 37.5% më shumë se 2006-a. Edhe 2009-a karakterizohet nga një normë e lartë, 24.5% më shumë se sa në vitin 2008.

Viti 2010 ka rezultuar me një rënie të personave të identifikuar me HIV, 33% më pak se në 2009-n. Si një ndër shkaqet e këtij trendi është parë edhe rënia e personave vullnetar që kryejne testin për HIV-in, nga 3143 në vitin 2009, në 2160 në vitin 2010.

Deri në fund të dhjetorit, 2010 ka patur 41 raste të reja me HIV dhe më shumë se gjysma e tyre (54%) kanë qenë në stadin e AIDS. Ky është numri më i lartë i rasteve të reja të identifikuar direkt në stadin AIDS duke e paraqitur situatën gjithmonë e më problematike. Sa më shpejt të kapet ekzistenca e virusit në organizëm aq më mirë është pasi nëpërmjet mjekimeve, mund të zgjatet faza HIV pa kaluar në AIDS.

Në këto 41 raste të reja, 27 janë meshkuj (65%) dhe 17 janë femra (35%). Po gjatë vitin 2010, janë raportuar 8 vdekje për shkak të AIDS, ndër të cilat 4 i përkisnin rasteve të diagnostikuara po gjatë 2010-s. Kjo do të thotë se shoqëria ngelet ende e painformuar mbi domosdoshmërinë e analizave vullnetare dhe kurimit.

Lidhur me mënyrën e transmetimit të kësaj sëmundje, rruga seksuale ngelet më e përhapura me 92% të rasteve. Ndër to, 81% rrugë heteroseksuale dhe 11% homoseksuale. 4% janë raste të kalimit të sëmundjes nga nëna te fëmija, 3% nga transfuzion i gjakut dhe 1% nga përdorimi i shiringave.

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik
Komentet dhe përpunimi: ODA

Përsa i përket raportit femra- meshkuj, më të prekur rezultojnë meshkujt. Megjithatë, që pas vitit 2003, raporti ka ndryshuar duke e rritur numrin e femrave të infektuara krahasuar me meshkujt. Në 2010 kishte 34% më shumë femra me HIV se sa në 2009-n.

 

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik
Komentet dhe përpunimi: ODA