Mbledhja e para pak orëve e qeverisë, kishte në objekt të saj shëndetësinë (të paktën këtë kuptuam nga monologu i përjavshëm i Kryeministrit), ku kreu i qeverisë foli për zhvillimet në këtë sektor dhe uljen e vdekshmërisë foshnjore duke na krahasuar edhe me vendet e zhvilluara. 
“Tregues për vdekshmërinë foshnjore, amtare është ulur. Për herë të parë vendi ynë arrin këta tregues themelorë të jetës, duke u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara me mortalitet infantil 1 shifror”, – tha ai.
Vdekshmëria foshnjore është një tregues i rëndësishëm i kushteve shëndetësore të një vendi. Ky tregues përdoret edhe për krahasimin e zhvillimit socio-ekonomik të shteteve (sa më i lartë treguesi, aq më problematike është situata). Vdekshmëria foshnjore është numri i foshnjave që vdesin para se të arrijnë moshën 1 vjeç, për 1,000 lindje.
Pasi dëgjon këtë fjalim, mendja të shkon tek verifikimi i fakteve dhe të dhënave të deklaruara. Open Data Albania ka publikuar javët e fundit një studim pikërisht për vdekjen foshnjore në Shqipëri. Situata e paraqitur i përket fundit të vitit 2009. Sipas të dhënave, mësohet se nga 1 000 foshnje të lindura, vdesin 14 prej tyre (2009). Ky është numri minimal i vdekjeve që prej vitit 1995 duke paraqitur një përmirësim të treguesve.  
Por si paraqitemi ne në raport me rajonin? Ndryshe nga sa thekson Berisha, të gjitha vendet e rajonit paraqiten më mirë se ne në këtë tregues. Edhe për këtë na shërbejnë të dhënat e publikuara nga ODA. “Situata më e mirë duket në Greqi, me një tregues 3 të vdekshmërisë foshnjore për 1,000 banorë, e ndjekur nga Serbia (6), Maqedonia (10) dhe Bosnja dhe Hercegovina (13). Për Shqipërinë treguesi është më i larti në rajon (14).Të gjitha vendet e rajonit kanë tregues më të mirë, çka tregon se Shqipëria është ende e prapambetur krahasuar me këto vende, sidomos në fushat e shëndetësisë dhe kushteve ekonomiko-sociale”, – shpjegojnë specialistët e ODA-s.