Kufizimi i mandateve për drejtuesit e pushtetit lokal, ka qenë tema e diskutuar në një tryezë të organizuar nga “Alternativa Civile” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive politike. Përfaqësuesit e dy partive të mëdha janë shprehur në favor të kufizimit mandateve pasi ata shprehën rrezikun e bajraktarizmit duke sjellë si shembu që një numër i madh të zgjedhurish kanë nga katër mandate.
“A ka nevojë apo jo për të limituar këto mandate? Po, ka nevojë. Mekanizmat janë nga më të ndryshmet”, është shprehur deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj.
Në një studim të “Open Data Albania”, të publikuar pak ditë më parë, evidentohej se ka 13% të drejtuesve vendorë, të cilët ushtrojnë mandatin e tyre të katërt.
“Meqenëse kishte arritur dhe një farë moshe, njëri prej tyre donte të vinte dhe djalin e tij”, tha deputeti i PS-së Asllan Dogjani duke sjellë rastin e një të zgjedhuri në qarkun e Kukësit.
Në analizën hulumtuese të  Open Data Albania  vërehet se një pjesë e kandidatëve kanë garuar nën siglat e partive të ndryshme. Shoqëria civile ka propozuar një nisme për kufizimin e të zgjedhurve, përfshirë ato lokal dhe qendror. Ndërsa deputeti i PS-së Besnik Baraj propoi edhe kufizim për kryeministrin.
“Alternativa Civile” ka ndërmarrë një nismë politike e ligjore për kufizimin e numrit të mandateve deri në 2, me arsyetimin se ata (pushtetarët vendorë) kanë prodhuar tashmë mekanizmin e riciklimit të pushtetit të tyre korruptiv, duke deformuar demokracinë.