Universitetet publike në vendin tonë financohen nga Buxheti i Shtetit dhe të ardhurat e veta, arsye për të cilën ato i nënshtrohen kontrollit të përdorimit të këtyre fondeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim dëmin ekonomik që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit nga universitetet e audituara gjatë viteve 2010-2012.

Që nga viti 2010, KLSH ka kontrolluar në total 6 universitete, ndërkohë që në vitin 2009 nuk është audituar asnjë i tillë. Dëmi ekonomik total i shkaktuar prej tyre ka qënë rreth 94,8 milionë lekë, i shkaktuar në 5 sektorë kryesorë: tatim-taksa; shpenzime operative; paga; shpërblime dhe prokurime.


Burimi: Kontrolli i Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Pjesa më e madhe e dëmit është shkaktuar në sektorin e pagave. Për tre vitet ai është përllogaritur rreth 50 milionë lekë apo 53% e dëmit total, i shkaktuar kryesisht nga Universiteti “Eqrem Çabej” për 31,5 milionë lekë dhe Universiteti “Ismail Qemali” për 17 milionë lekë.

Në rastin e universitetit “Eqrem Çabej”, ky dëm i përket përfitimit në mënyrë të padrejtë nga punonjësit akademik të pagesave për kohën e punës jashtë kohës normale (18,8 milionë lekë) si dhe përfitim i padrejtë për pagesat për titullin shkencor, pa mbaruar procesi i akordimit të titullit. Kështu, sipas raportit të KLSH , 39 pedagogë nga viti 2009-2012 janë paguar me rrogë më të lartë, pa përfituar ende titullin e akorduar duke shkaktuar një dëm rreth 12,38 milionë lekë. Për të dyja këto shifra, KLSH ka rekomanduar zhdëmtim të menjëhershëm.

Sektori i dytë me dëmin më të lartë renditen tatim-taksat, me 34 milionë lekë, apo 35,84% të dëmit total, i shkaktuar thuajse i gjithë nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë. 31,39 milionë lekë ishte dëmi nga ky universitet, ndërkohë që pjesa tjetër i përket Universitetit Bujqësor të Tiranës me 2,615 milionë lekë. Sektori i tretë me dëm të lartë shfaqen prokurimet. Për vitet 2010-2013 ai totalizoi 7,55 milionë lekë, 55,8% e të cilit i përket Universitetit të Tiranës me 4,4 milionë lekë, i ndjekur nga Universiteti Bujqësor me 2,32 milionë lekë.

Në rang universiteti, dëmi i shkaktuar në total nga secili prej tyre, paraqitet në grafikun në vijim:


Burimi: Kontrolli i Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vend të parë, si universiteti më dëmin ekonomik më të lartë, është Universtiteti i Vlorës me rreth 48,7 milionë lekë apo 51% të dëmit total të evidentuar. Pas tij  vjen Universiteti i Gjirokastrës me 33,4 milionë lekë, ndërkohë që universitetet e tjera shfaqen me një dëm ekonomik modest krahasuar me ta, për të përfshirë këtu edhe Universtetit Politeknik, i cili nuk figuron me asnjë dëm ekonomik të përllogaritur gjatë auditimit në 2011-n.

  1. Të dhënat për dëmin ekonomik sipas sektorëve janë marrë nga Raporti Vjetori i KLSH për vitet përkatëse 2009–2010 http://www.klsh.org.al/previeëdoc.php?file_id=620
  2. Të dhënat për dëmin ekonomik sipas universiteteve janë marrë nga Raporti Vjetori i KLSH për vitet përkatëse 2009–2010
Kontribuoi: Blerta Zilja