Raporti: 10.93 miliardë lekë janë shpenzuar në tre muaj në tre rrugë
Në kulmin e krizës ekonomike, qeveria “Berisha” shpenzoi 10. 93 miliardë lekë për tre rrugë, duke dyfishuar pagesat për këtë zë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Open Data Albania është duke hulumtuar të dhëna mbi transaksione të kryera nga Thesari i Shtetit në vitin 2013, i cili përkon me vit elektoral, kundrejt transaksioneve të kryera në vitin e mëparshëm 2012. Periudha e marrë në konsideratë për këtë hulumtim është tremujori Shkurt – Prill 2012 përkundrejt tremujorit përkatës Shkurt – Prill të vitit 2013. 
Të dhënat e transaksioneve studiohen në formë krahasimore për të evidentuar nëse ka ndryshime në shpenzime, apo shpenzime specifikisht të cilësuara gjatë një viti elektoral. Në tremujorin e vitit 2013 Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpenzuar rreth dhjetë miliardë e nëntëqind milionë lekë të reja, ose ndryshe rreth pesë miliardë e pesëqind milionë lekë të reja më shumë se në tremujorin përkatës të vitit 2012 që do të thotë më shumë së dyfishi i vlerës së tremujorit përkatës të një vitit më parë.
Muaji Prill përmban edhe diferencën më të lartë. Kjo ndodh sepse pjesa më e madhe e shpenzimeve të kryera nga Autoriteti në tremujorin e vitit 2013 është kryer në Prill, konkretisht vlera është rreth gjashtë miliardë e shtatëqind milionë lekë të reja ose ndryshe rreth pesë miliardë e dyqind milionë lekë më shumë se në muajin Prill të 2012. 
Disa nga projektet rrugore e ndërmarra nga qeveria, përbëjnë destinacionin e pjesës më të madhe të shpenzimeve të Autoritetit.  Së pari, rruga Tiranë – Elbasan, për të cilën vetëm në muajt Mars – Prill 2013 janë shpenzuar një 1.4 miliardë lekë. Nga kjo shumë totale e shpenzuar, më shumë se gjashtëdhjetë e pesë milionë lekë të reja kanë shkuar për shpronësime, ndërsa mbi njëqind e gjashtëdhjetë milionë lekë të reja për pagesa të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Së dyti, rruga e Arbrit, projekt për të cilin vetëm në tremujorin Shkurt – Prill 2013 janë shpenzuar 1. 8 miliardë lekë. Së treti, projekti Durrës–Kukës–Morinë, quajtur ndryshe Rruga e Kombit, në tremujorin e 2013 janë kryer pagesa nga Thesari i Shtetit në vlerën totale të paktën pesëqind e tetëdhjetë e pesë milionë lekë të reja. 
Nga këto shpenzime totale rreth njëzet milionë lekë të reja janë të faturuara nga ÇEZ për energjinë elektrike të Tunelit, ndërsa shtatëdhjetë e tre milionë lekë të reja të tjera kanë shkuar për menaxhim dhe mirëmbajtje të funksionalitetit të tij. Së fundi, njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë lekë të reja për pagesa të TVSH-së. 
Një tjetër rruge e rëndësishme përsa i përket peshës specifike që ka zënë në shumën totale të transaksioneve, është rruga Plepa – Kavajë – Rrogozhinë, e cila ka kushtuar për tremujorin e 2013 rreth një miliardë e treqind e pesëdhjetë milionë lekë të reja. Projekte të tjera të rëndësishme janë: Kukës – Krumë, Levan – Tepelenë, Rruga “Pushimi i Shoferit” (Lushnje) etj. Përsa i përket treguesit të numrit të transaksioneve, konstatohet se në tremujorin Shkurt – Prill 2013 janë urdhëruar mbi 90 transaksione më shumë se në tremujorin përkatës të vitit 2012.