Open Data Albania ka hulumtuar mbi nxjerrjen dhe volumin tregtar të mineralit të kromit gjatë 2005-2013. Në vitet 1970-1990 Shqipëria ka qenë prodhuesi i parë i kromit në Evropë dhe renditej e dyta ne botë në eksportin dhe prodhim. Aktualisht eksportohet e gjithë sasia e kromit që eksplorohet në vend, pasi mungesa e industrisë së rëndë nuk mundëson kërkesë të brendshme për këtë mineral.

Në vitet 2005-2007 sikurse në 2010-2011 sasia e eksportit vjetor është rritur ndjeshëm deri në shumëfishim në krahasim me vitet pararendëse. Ulje kundrejt vitit korespondues paraardhës, është shënuar në 2008 dhe 2009 sikurse edhe në dy vitet e fundit nën analizë. Megjithë oshilacionet secili vit ka vlerë sasiore disa herë më të lartë se sasia e eksportuar e 2005-ës. Në fund të vitit 2013 sasia e kromit të eksportuar arriti në 910 mijë ton shënon dhe vlera e eksportit arriti në 13.5 miliardë lekë.


Burimi:INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Rritja e ndjeshme kundrejt sasisë së shënuar përpara 2005 vjen si pasojë e shtimit të numrit të operatorëve që eksplorojnë dhe eksportojnë krom. Lejet e shfrytëzimit në zonën e Bulqizës janë rreth 130, ndërsa në total në të gjithë vendin lejet e dhëna i kalojnë 900.

Ndërkohë rritja e çmimit të kromit në bursat ndërkombëtare ka bërë që edhe në rastet kur shënohet rënie vjetore në sasi, vlera e shitjes së këtij malli për eksport të shënojë rritje. Në total, në fund të vitit 2012 janë eksportuar 11.3 miliardë lekë me një rritje të lehtë prej 2.7% ndaj vitit 2011. Në tre vitet e fundit rritja e eksporteve të kromit në vlerë ka qenë e shpejtë dhe tepër dinamike.


Burimi:INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Rënia e sasisë së eksportuar në vitin 2012 vjen kryesisht si pasojë e problemeve financiare dhe  të menaxhimit të brendshëm të AlbChrome, kompania që menaxhon minierën më të madhe të kromit në vend. Kjo kompani shiti në vitin 2013 aksionet e saj tek grupi vendas i biznesit, Balfin Group, i cili ka nisur investimet në teknologji, kushte dhe zgjerim të minierës dhe zonave eksploruese.       

Importet e këtij minerale janë në nivele minimale, kryesisht shërbejnë për përzierjen e kromit që më pas eksportohet jashtë. Gjatë vitit 2012 janë importuar vetëm 80 kg krom me një vlerë prej afro 1.13 milionë lekë.



Burimi:INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Shqipëria është ende larg parametrave të vitit 1990, kur renditej vendi i dytë eksportues i këtij minerali në botë. Pas ndryshimit të modelit ekonomik në vitin 1992, industria minerale në Shqipëri u tkurr dhe hasi shumë probleme teknike që kontribuan drejt rrënimit. Dyzet e pesë vjet izolim e çuan këtë industri drejt një skarciteti burimesh, makineri të pamjaftueshme dhe pasoja mjedisore të konsiderueshme.

Bulqiza është vendburimi më i madh i kromit, aty ku ushtron aktivitetin edhe kompania AlbChrome. Falë rezervave në zonën e Bulqizës renditemi të katërtit në botë për rezervat e kromit, ndërsa cilësia mbetet e ulët dhe prandaj minerali i kromit të eksportuar nga Shqipëria përzihet me minerale të tjera kromi për t’u dhënë atyre cilësi. Sipas të dhënave nga Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore (AKBN) në thellësitë e minierës më të madhe në vend, blloku i rezervave arrin në 4 milionë tonë krom, ndërsa deri më sot janë nxjerrë rreth 13 milionë.