Open Data Albania ka hulumtuar mbi ecurinë e normave të interesit të kredive dhe depozitave në sistemin bankar vendas gjatë 2004-2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë norma mesatare e kredisë mujore në lekë zbriti në 8.9% në muajn dhjetor të vitit 2013 mbështetur tek niveli i ulët i normës bazë të interesit të vendosur nga Banka e Shqipërisë, në nivelin 3%.




Burimi: ODA
Përpunimi dhe komentet: ODA

Analiza e të dhënave konkludon se normat e interesit të kredive janë ulur gjatë muajve të fundit të vitit 2013 duke shënuar edhe nivelin më minimal në fund të dhjetorit 2013. Por shumë më e shpejtë ka qenë rënia e interesit të depozitave në sistemin bankar. Kundrejt uljes së normës bazë të interesit bankat kanë reaguar me shpejtësi duke ulur edhe interesat për depozitat. 
 
Në fund të muajit dhjetor 2013 interesat e depozitave 1-vjeçare që dominojnë totalin e depozitave në sistem zbritën në 2.5%, dy herë më të ulëta se dhjetori i vitit 2012.  



Burimi: ODA
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kjo është reflektuar me më pak të ardhura për individët dhe bizneset që kanë depozituar paratë e tyre në banka. Ajo që vihet re nga përpunimi i të dhënave mbi interesat mesatare të kredive dhe depozitave (përllogaritur nga ODA nga mbledhja e interesave përgjatë 12 muajve të vitit dhe duke e pjesëtuar këtë shumë me numrin total të muajve) është fakti se megjithë uljen e normës baze të interesit nga Banka e Shqipërisë që ka çuar në një ulje të interesave, diferenca ndërmjet interesave të depozitave me ato të kredive është thelluar. 

Bankat janë shfaqin përpjekje jo fort atraktive për të tërhequr depozitat e klientëve, por vijojnë të jenë të ngurta për të ruajtur marzhe të larta interesi për kreditë. Sipas mesatares pwr vitin 2013, interesat për kredi janë 6,1% më të larta se interesat  e depozitave.

Burimi: ODA
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kundrejt rënies së vazhdueshme të interesave të depozitave, klientët kanë ulur ritmin e depozitimit të parave në banka duke sjellë si pasojë edhe tkurrjen e tyre gjatë 2013. Tendenca mund të jetë edhe më negative gjatë 2014-s, në kushtet kur Banka Qendrore e ka ulur sërish normën bazë të interesit, duke prekur një minimum historik prej 2.75%.