Në kohën kur është ndezur debati për çmimin e energjisë në Shqipëri, pas spekulimeve se do ketë rritje, Open Data Albania ka sjellë një seri të dhënash, që tregojnë se familjarët në Shqipëri paguajnë më shumë se vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Rumanisë.
Të dhënat janë sigurar nga Eurostat.
Kështu, Eurostat vlerëson se çmimi efektiv i paguar nga familjet shqiptare për energjinë elektrike është në masën 0.116 euro për kWh për vitin 2013.
Të dhënat janë për tremujorin e parë të vitit 2013, kur konsumi i familjeve shqiptare është më i lartë se sa në verë dhe rrjedhimisht edhe çmimi mesatar i paguar është më i lartë.
Çmimet zyrtare të energjisë elektrike në vend nuk ka ndryshuar që nga viti 2008.
Në rajonin e Ballkanit vetëm Rumania ka çmim më të lartë prej 0.132 eurosh për kWh, ndërsa vendet e tjera e kanë çmimin më të ulët.
Mali i Zi e ka 0.1 euro për kWh, ndërsa familjet në Bullgari paguajnë 0.092 euro për kWh.
Në Bosnje dhe në Maqedoni gjendet çmimi më i ulët i energjisë elektrike për familjet në masën 0.08 euro për kWh.
Në Bashkimin Europian çmimi i energjisë elektrike është afërsisht 80 përqind më i lartë se sa në Shqipëri, ose 0.2 euro për kWh.
Vendi më i shtrenjtë është Danimarka, ku energjia elektrike kushton 0.3 Euro për kWh, kryesisht si pasojë e kostos së lartë të burimeve të reja të energjisë së rinovueshme si era, për të cilën Danimarka është e famshme.
Me përjashtim të vendeve të reja anëtare, Franca është një prej vendeve me çmim të ulët të energjisë për konsumatorët familjarë prej 0.147 eurosh për kWh, kryesisht si pasojë e përdorimit të lartë të energjisë bërthamore nga ky vend.
Ndërkohë Top Channel raporton se Enti Rregullator i Energjisë po merr në konsideratë heqjen e fashës së mbrojtur të konsumit deri në 300 kilovat.
Kryetari i Entit, Petrit Ahmetaj tha se orientimi është që vitin tjetër të shkohet drejt një tarife të njëhsuar për energjinë elektrike.
“Struktura e çmimit, e cila është në dy blloqe nga pikëpamja e zbatueshmërisë te kompania ka hasur probleme, sepse vlerësimi i çmimit në dy blloqe do të thotë që mekanizmi i lexiit duhet të jetë shumë korrekt që lidhet me datat e leximit, pra duhet të respektosh periudhën njëmujore. Por nuk është vetëm ky një nga faktet, sepse brenda kësaj strukture ekziston mundësi që të abuzohet me konsumatorin”, tha Ahmetaj.
Aktualisht çmimi i energjisë llogaritet me dy blloqe.
Për konsumin deri në 300 kilovat në muaj, familjarët paguajnë 7.7 lekë, ndërsa për sasinë që konsumohet mbi këtë fashë çmimi është 13.5 lekë. Gjasat janë që të shkohet drejt një çmimi të njehsuar, i cili do të jetë ndërmjet të dyve.
“Unë nuk mund të them sot një çmim të ri sepse ajo duhet të jetë në bazë të një analize, por edhe nëse do të jetë më i lartë se çmimi i fazës së mbrojtur, gjithmonë mbrojtja e konsumatorëve do të realizohet, flas për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë”, tha Ahmetaj.
Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator tregojnë se mbi 75 përqind e familjeve shqiptare kanë një konsum mujor energjie deri në 300 kilovat orë.
Njëhsimi i çmimit në një nivel më të lartë se 7.7 lekë do të sillte automatikisht rritjen e faturës mujore që ata paguajnë për energjinë.
Masa e rritjes do të varet nga çmimi i ri që do të përcaktohet. Qeveria thotë se do të mbrojë shtresat në nevojë dhe një nga variantet e përfolur është ai i kompensimit me para në dorë për 100 mijë familjet, të cilat janë në skemën e ndihmës ekonomike. Kjo është sa rreth 12 përqind e totalit të familjeve.