Gjatë vitit 2013, shtetasit kosovar emigrantë, kanë dërguar drejt vendit të tyre 621 milionë euro, ndërsa shtetasit shqiptar vetëm 497 milionë euro. Ndërkaq shteti nga i cili emigrantët, kanë dërguar më shumë para drejt Kosovës gjatë këtyre viteve është Gjermania. Në vitet 2008-2013 nga ky shtet janë dërguar mesatarisht 210 milionë euro nga emigrantët kosovarë.

Kjo shifër vjen dhe si rezultat i numrit të lartë të emigrantëve kosovarë në Gjermani. Vend të dytë zë diaspora kosovare në Zvicër, me 147.4 milion euro. Kështu thuhet në një analizë hulumtuese të Open Data Albania, e cila ka kryer një përditësim të vlerave për remitanca në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, duke analizuar periudhën 2008-2013.

Gjatë harkut kohor të gjashtë viteve, analiza hulumtuese e ODA , vë re se deri në vitin 2012 dërgesat e parave që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë, i tejkalojnë ato drejt Kosovës. Por viti 2013 shënon një rënie për Republikën e Shqipërisë, sa i përket remitencave, ndërsa vazhdojnë të rrisin dërgesat drejt atdheut diaspora kosovare.

Ndryshe nga Kosova ku peshën kryesore të remitancave e mbartin Gjermania e Zvicra, në Shqipëri remitancat më të larta shënohen me Greqinë e Italinë. Nëse në vitin 2011 janë dërguar nga Gjermania drejt Kosovës 194 milionë euro, nga ky shtet drejt Shqipërisë në po këtë vit, janë dërguar vetëm 8 milionë euro. Gjatë vitit 2013 peshën kryesore të remitancave për Kosovën e mbart Gjermania me 34 për qind të totalit, pasuar nga Zvicra me 24 për qind. Shtete të tjera me remitanca mbi 20 milionë euro janë dhe Italia, Austria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Sllovenia.

Ndryshe, në hulumtimin e ODA-s, Republika e Shqipërisë, ka numër më të lartë të popullsisë kundrejt Kosovës. Dy shtetet ballkanike nuk kanë statistika të qarta mbi numrin e emigrantëve të tyre dhe për rrjedhojë nuk mund të krahasohet në numër, diaspora e vendeve përkatëse. Po ashtu në këtë hulumtim thuhet se duke u nisur nga vlerat e rikthyera në shtetet e origjinës, diaspora kosovare ka lidhje ekonimke më të ngushta me shtetin amë, sikundër edhe fuqizim ekonomik më të mirë se diaspora e krijuar nga emigrimi i shtetasve të Republikës së Shqipërisë.