KQZ jep rekomandime për Kodin, kërkon një fletë votimi për lokalet

Kur e gjithë politika nuk e ka mendjen te ndryshimi i ligjit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë një nismë për t’i paraqitur Kuvendit propozimet konkrete për përmirësimin e Kodit. Si propozim të parë, KQZ-ja kërkon ngritjen e një komisioni të përbashkët Ad-hoc për reformën zgjedhore. Në fokusin e KQZ-së është mënyra e financimit të partive politike, ku propozohet ulja e vlerës së donacionit që duhet të deklarohet. “Ligji duhet të përcaktojë shprehimisht prioritete për kontrollin e financimit të partive. Prioritet mund të jenë për shembull kontrolli vjetor për ato parti që përfitojnë nga fondet publike. Për këtë qëllim duhet shtuar një nen i ri në ligjin ‘Për partitë politike’”, thuhet në dokumentin prej 32 faqesh. Nga 100 mijë lekë, propozohet që tavani i deklarimit të jetë sa paga minimale. “Neni 23/1 i ligjit ‘Për partitë politike’, parashikon që lista e personave që dhurojnë më shumë se 100 000 lekë (afërsisht 720 euro) duhet të bëhet publike. Neni 90, paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor, parashikon që fondet jopublike me vlerë më të madhe se 100 000 lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor dhe që përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Ky prag është shumë i lartë dhe lë shteg që të pengohet bërja e transparencës së burimeve

të financimit nën këtë shumë. Sipas ‘Open Data Albania’: Fushata zgjedhore 2009: 59% e vlerës së donacioneve ka si burim donatorët të shumave nën 100 mijë lekë. Në vlerë absolute, kjo është 64 435 904 lekë. Pjesa tjetër, pra 41%, janë donatorë të shumave mbi 100 mijë lekë. Fushata zgjedhore 2011: 78,8% e vlerës së donacioneve janë nga donatorë të shumave nën 100 000 lekë, që nuk janë objekt i nenit 90 të Kodit Zgjedhor. Fushata zgjedhore 2013: 30% e vlerës së donacioneve janë donacione me vlerë nën 100 000 lekë. Ndaj, këto dispozita duhen ndryshuar me qëllim që të ulet ky prag (deri në 150 euro, sa paga minimale), në mënyrë që të bëhen publike të gjitha dhurimet që u bëhen partive politike”, thuhet në rekomandim. Ndërsa propozohet që të sanksionohet në Kod që të ndëshkohen ata persona që votojnë familjarisht, në emër të familjes, si dhe ata persona që votojnë për të tretë. Një tjetër rekomandim i propozuar nga KQZ-ja lidhet me masat e posaçme të parashikuara në Kod për rritjen e pjesëmarrjes së grave në organet e zgjedhura. Sipas rekomandimeve, përpjekja e parë nga ku duhet të nisë nxitja e barazisë gjinore edhe në sistemin e zgjedhjeve vendore, është reformimi i këtij sistemi në Kodin Zgjedhor. Konkretisht, propozohet që votimi për organet e qeverisjes vendore të bëhet sipas sistemit proporcional. Shkaqet që çuan ligjvënësin drejt vendimit për sistemin proporcional në zgjedhjet e përgjithshme janë po aq të vlefshme edhe për zgjedhjet vendore. Votuesit të votojnë për subjektin zgjedhor, i cili paraprakisht ka regjistruar një listë shumemërore të kandidatëve. Votuesit në ditën e zgjedhjeve për organet bazë të njësisë vendore të jenë të pajisur vetëm me një fletë votimi, me të cilën të votohet si për kryetarin, ashtu dhe për këshillin. Rekomandimet e propozuara konsistojnë edhe në masat që duhet të merren për garantimin e ushtrimit të së drejtës së votës për personat që nuk mund të votojnë vetë.

Më 1 dhjetor, KQZ voton Shehun

Mandati i Xhuvanit, gati vendimi për zëvendësuesen e listës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë vendimin për zëvendësimin e vakancës së krijuar në Parlament, pas dorëzimit të mandatit nga ana e deputetes së PS-së, Luiza Xhuvani. KQZ-ja njofton se me datën 1 dhjetor, ka mbledhje me këtë rend dite, “Shqyrtimi i projekt-vendimit ‘Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, në Qarkun Vlorë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të znj. Luiza Xhuvani’”. Deputetja Xhuvani dorëzoi mandatin më 4 nëntor, pasi djali i saj vrau katër persona. Mandatin e Xhuvanit pritet ta marrë socialistja Mira Shehu. KQZ-ja gjithashtu ka bërë të ditur se më 1 dhjetor do të shqyrtojë dhe kërkesën e paraqitur nga një grup nismëtarësh, për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi vendor në Bashkinë Rubik”.