Open Data Albania po hulumton në lidhje me Investimet e Reja Publike të planifikuara për Vitin Buxhetor 2022, me financim të brendshëm dhe të huaj. Të dhënat për këtë analizë janë marrë nga Projekt Buxheti 2022-2024, i miratuar në Kuvend me ligjin nr.115, datë 25.11.2021.

Nga analiza e të dhënave rezulton se në total janë 822 investime publike në vazhdim dhe të planifikuara, me vlerë totale 493 miliardë Lekë apo 4.04 miliardë Euro, të cilat janë me financim të brendshëm nga Buxheti i Shtetit. Vlera totale e Investimeve publike nga Buxheti i Shtetit përbën rreth 30%  të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP-së) të parashikuar për vitin 2021.

Ndërsa 141 investime të tjera janë me financim të huaj, me vlerë në total 370.3 miliardë Lek apo rreth 2.57 miliardë Euro. Investimet e reja me financim të huaj, kryesisht janë projekte të Bankës Botërore, Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Bankës Europiane të Investimeve dhe Qeverisë Franceze dhe Zvicrës.

Fokusi i këtij Artikulli janë vetëm Investimet e Reja të Planifikuara të Qeverisë, me financim të brendshëm dhe të huaj, të cilat do të fillojnë zbatimin e tyre në vitin 2022.

Më konkretisht, janë 169 investime publike të reja të planifikuara me financim të brendshëm dhe të jashtëm, me vlerë totale prej 136.6 miliardë Lekë apo rreth 1.12 miliardë Euro. Prej tyre, 154 janë investime publike me financim nga Buxheti i Shtetit dhe kanë vlerë totale 46.5 miliardë Lekë, dhe 15 investime të tjera të planifikuara janë me financim të huaj me vlerë në total 90.2 miliardë Lekë.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Institucioni me numrin dhe vlerën më të lartë të projekteve të reja të investimit është Ministria e Mbrojtjes me 32 Investime të reja me vlerë totale rreth 12.8 miliardë Lekë, ndjekur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me Investime në vlerë totale 12.3 miliardë Lekë dhe Ministria e Kulturës me 5.8 miliardë Lekë.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Vetëm për vitin 2022, vlera totale e pagesave që do të bëhen nga Buxheti i Shtetit për financimin e projekteve të reja të investimit publik është rreth 8.59 miliardë Lekë apo rreth 70.4 milionë Euro.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Konkretisht më poshtë jepen dhjetë Investimet Publike me Financim të Brendshëm që do t’i kushtojnë më shumë Buxhetit të Shtetit për vitin 2022.

  1. Projekti Sisteme dhe Infrastrukturë TIK për Forcat Ajrore (Reparti Ushtarak Nr. 3001, Tiranë), ka koston më të lartë buxhetore, ku vetëm për vitin 2022 shteti do të paguajë 1.29 miliardë Lekë apo rreth 10.6 milion Euro.  Vlera totale e këtij projekti të ri publik, me kohëzgjatje 2022-2024, është 4.38 miliardë Lekë, dhe duhet të realizohet nga Ministria e Mbrojtjes.
  2. Projekti Godina e Teatrit Tiranë, është investimi i dytë publik me peshën më të lartë në Buxhetin e Shtetit për vitin 2022, me rreth 900 milionë Lekë. Ky projekt do të realizohet nga Bashkia e Tiranës për periudhën 2022-2024, dhe ka vlerë totale prej 4.8 miliardë Lekë. Viti 2023 do të ketë edhe peshën më të lartë buxhetore për këtë investim prej 1.5 miliardë Lekë.
  3. Ndërkohë, investimi i tretë me barrën më të lartë buxhetore për vitin 2022 janë disa Projekte Investimi të planifikuara për tu zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 616.8 milionë Lekësh.
  4. Projekti i Ndërtimit të godinës së re të Akademisë së Forcave të Armatosura  ka vlerë 500 milionë Lekë, dhe do të zbatohet po ashtu nga Ministria e Mbrojtjes. Ky investim parashikohet të zgjasë deri në 2024, dhe ka vlerë totale buxhetore të planifikuar prej 1 miliardë Lekësh.
  5. Një tjetër projekt është ai i Përmirësimit të sistemeve të TIK për Policinë e Shtetit, me peshë në buxhetin e 2022, prej 500 milionë Lekë. Ky projekt do të zbatohet nga AKSHI.
  6. Projekti Objekte të mbrojtjes nga përmbytja për vitet 2022-2024, është një tjetër projekt i planifikuar për tu zbatuar në periudhën 2022-2024. Ky projekt do të financohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe për vitin 2022, ky projekt do të paguhet nga Buxheti i Shtetit me 322,8 milionë Lekë.
  7. Ndërkohë, një vlerë të konsiderueshme të buxhetit për vitin 2022 e zë projekti i Ndërtimit të Qëndrës Kulturore për fëmijë dhe Teatri i Kukullave, konkretisht pagesa e buxhetore për vitin 2022 për këtë investim do të jetë 250 milionë Lekë, dhe do të zbatohet nga Ministria e Kulturës. Në total projekti është planifikuar një miliard lekë.
  8. Projekti i Transponderit ushtarak IFF Mod 5, i cili kërkohet nga Ministria e Mbrojtjes është po ashtu një nga 10 projektet me pagësën më të lartë  nga Buxheti i Shtetit. Ky investim ka vlerë totale prej 494 milionë Lekë i projektuar për periudhën 2022-2024, ndërsa vetëm në vitin 2022 buxheti i shtetit do të financojë 244 milionë Lekë për zhvillimin e këtij projekti.
  9. Një tjetër projekt me peshë të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022, është investimi publik Cyber Security nga Ministria e Mbrojtjes, i cili do të zbatohet brenda vitit 2022 dhe ka vlerë 200 milionë Lekë.
  10. Po ashtu, një tjetër investim i ri publik që do të zbatohet brenda vitit 2022 është Bashkë Financim me Kosto Lokale për Projektin RCGF– Fondi i Garancisë për Kreditë Rurale  me vlerë totale 200 milionë Lekë.  Ky projekt është një formë mekanizmi mbështetjeje financiare për fermerët me qëllim ndihmën e sektorit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit. Pjesa më e madhe e financimit të këtij projekti është nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, por në vitin 2022 edhe Qeveria Shqiptare  gjithashtu do japë nga Buxheti i Shtetit 200 milionë Lekë për këtë Investim.

Në projekt buxhetin e vitit 2022-2024,  Investime të tjera më vlerë të lartë që pritet të zbatohen pas vitit 2022 janë Projekte të reja të programit Infrastruktura Vendore dhe Rajonale me vlerë totale rreth 6.43 miliardë Lekë, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit; Blerja nga Forcat e Luftimit të 6 Anijeve Patrulluese me vlerë 2.2 miliardë Lekë, dhe Optimizimi dhe zgjerimi i infrastrukturave të sigurisë me vlerë 433 milionë Lekë, që zbatohet nga AKSHI

Ndërsa, sa i përket Investimeve me Financim të Huaj, nga 15 në total, më poshtë paraqiten 5 Investimet me vlerën më të lartë për 2022:

  1. Projekti për Forcat e Luftimit, i planifikuar për tu zbatuar gjatë periudhës 2022-2024, me vlerë në total 11.9 miliardë Lekë. Për vitin 2022 për këtë projekt është planifikuar një pagesë prej 1.2 miliardë  Lekë. Nuk është specifikuar se nga kush financohet ky projekt.
  2. Investimi ‘Programi kombëtar i modernizimit të sektorit të ujësjellës kanalizime’, me vlerë në total 9.2 miliardë Lekë. Ky projekt do të financohet në formë kredie nga ana e Bankës  Botërore, dhe në Buxhetin e 2022 janë planifikuar  1.46 miliardë Lekë për fillimin e këtij Investimi. Ky projekt do të zbatohet nga AKUM.
  3. Një tjetër investim i ri që nis në vitin 2022, është Projekti i rikonstruksionit të rrjetit të brendshëm për Bashkinë Durrës,  me vlerë në total prëj 7.38 miliardë Lekë.  Financimi i këtij projekti është kredi nga ana e Bankës Botërore, dhe pesha në buxhet për vitin 2022 është 1.47 miliardë Lekë. Ky projekt do të zbatohet nga AKUM.
  4. Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim do të financojë në formë Kredie, Projektin e detajuar për sigurinë e Urave dhe studimin e fizibilitetit, me vlerë në total 546,1 miliardë Lekë. Pagesat për këtë projekt e kanë fillimin që në vitin 2022, me vlerë 224.9 milionë Lekë.

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

  1. Po ashtu, një tjetër investim i ri publik, i financuar në formën e një Granti nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW, është Projekti RCGF– Fondi i Garancisë për Kreditë Rurale me vlerë totale 840 milionë Lekë. Financimi për vitin 2022, është në vlerën 200 milionë Lekë dhe do të zbatohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas burimit të financimit, më shumë projekte financohen nga BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve (5 projekte), ndjekur më pas nga Banka Për Zhvillim KfW, Banka Botërore dhe Qeveria Franceze e ajo  Zviceriane.


Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Projekt Buxheti 2022-2024
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në Projekt Buxhetin e vitit 2022-2024, investime të tjera me financim të huaj të planifikuara, por që fillojnë të zbatohen pas vitit 2022, janë  Rikonstruksioni i linjës Hekurudhore Vorë-Hani Hotit me vlerë në total 30 miliardë Lekë, që do të financohet nga Banka Botërore e Investimeve të Huaja dhe BERZH, si dhe Projekti i UKT për Shpërndarjen e Ujit në Bashkinë Tiranë që do të  financohet nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH, me vlerë totale 17 miliardë Lekë.

Në total, vetëm për vitin 2022, pagesa që parashikohen të jepen për zbatimin e investimeve të reja me financim të huaj në formë kredie është 3.17 miliardë Lekë, dhe në formë granti është 1.63 miliardë Lekë.

Shkarko excel: Investime Publike të Reja të planifikuara 2022, me financim nga Buxheti i Shtetit dhe i Huaj
Komente dhe Analiza : Open Data Albania