Open Data Albania po hulumton në lidhje me Koston e Borxhit Publik  për periudhën 2000-2022. Për vitin 2021 dhe 2022, të dhënat mbi koston e borxhit janë të planifikuara dhe të raportuara në publikimet zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Për vitin 2022, struktura e stokut të borxhit publik është parashikuar të jetë 54.4% borxh i brendshëm dhe 45.6% borxh i jashtëm. Ndër vite ka patur një tendencë në rritje të Borxhit të Jashtëm në portofolin e Borxhit Publik, ku për vitin 2020 është sa 47.4% e totalit përkundrejt 28.5% që ka qënë në vitin 2007. Kjo nënkupton edhe risqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kostoja e Borxhit Publik llogaritet si shumë e interesave të Borxhit të Brendshëm dhe të Borxhit të Jashtëm që paguan Shteti sipas marrëveshjeve të kredive të pashlyera, në një vit të caktuar. Ecuria e kostos së borxhit publik ka pësuar luhatje ndër vite si rezultat i rritjes së stokut të borxhit publik, ndryshimit të  normave të interesit apo luhatjeve të kursit të këmbimit. Konkretisht për vitin 2022, është planifikuar një rritje më e lartë e  kostos së borxhit krahasuar me rritjen e borxhit publik, respektivisht me 15.4% dhe 6%  secili më shumë krahasuar me vitin 2021, sikurse vihet re në grafikun e mëposhtëm.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për 2022, pesha e kostos së borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto planifikohet të jetë 2.6% dhe pesha ndaj stokut total të Borxhit Publik është planifikuar 3.21%. Kjo nënkupton rritje të kostos për frymë të borxhit publik në vlerën 15,938 Lekë. Gjithashtu Qeveria ka planifikuar një fond Kontigjence për risqet e borxhit për vitin 2022, në vlerën 4.8 miliardë Lekë, fond i cili përdoret për të kompensuar risqet nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa. Kjo kontigjencë e rrit koston për frymë të borxhit publik në vlerën 17,638 Lekë, pra 10.7% më shumë krahasuar me vitin 2021.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për periudhën Janar-Shtator 2021 kosto faktike e borxhit publik arriti në vlerën 28.3 miliardë Lekë me një rritje prej 3.8 miliardë apo 15.6% më shumë se 9-mujori i vitit 2020. Nga totali prej 28.3 miliardë Lekë si shpenzime interesi, 19.7 miliardë Lekë janë pagesa të interesave të borxhit të brendshëm dhe 8.6 miliardë Lekë janë pagesa të interesave të borxhit të jashtëm.

Nëse i referohemi peshës së borxhit publik si përqindje e PBB-së dhe stokut të Borxhit vihet re se për 9-mujorin e 2021, kjo kosto është 1.69% e PBB-së dhe sa 2.21% e Stokut të Borxhit Publik. Ndërsa në vitin 2020, kjo kosto është rreth 2.19% e PBB-së, ndërsa në raport me vetë stokun e borxhit, kjo kosto është 2.81% për vitin 2020. Diferenca e ulët mes këtyre raporteve tregon rritjen e lartë të Stokut të Borxhit Publik.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kostoja e Borxhit Publik, referuar shpenzimeve për interesa  paraqitet me luhatje të konsiderueshme ndër vite. Vitet 2000-2010 shfaqen me ndryshime të ulëta të kostos totale të borxhit publik, por me trend rritës. Ndërsa gjatë viteve 2010-2020, vihet re një luhatje më e madhe e kostos së borxhit publik, me një trend rënës që prej vitit 2013. Kjo rënie e shpenzimeve për interesa, ka ardhur si rezultat i rënies së normës së interesit në tregjet ndërkombëtare, siç vihet re në grafikun e mëposhtë. Në rastet kur ulet norma e interesit që paguhet për borxhin publik, kostoja e tij zvogëlohet.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Por, një tjetër faktor që ka ndikuar në luhatjen e kostos së borxhit publik është ndryshimi në kursin e këmbimit. Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave mbi strukturën e borxhit, për 9-mujorin e vitit 2021, rreth 45.6% e stokut është Borxh i Jashtëm, prej të cilit  64.5% mbahet në valutë Euro dhe 11.45% mbahet në valutë Dollari USD. Në vitet e fundit, vihet re një rënie e kursit të këmbimit euro/lek dhe dollar/lek, duke ndikuar në rënien e vlerës së paguar për principalin dhe shpenzime interesi, pra kostos së borxhit.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (2021), Treguesit e Borxhit
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat për këtë hulumtim janë marrë nga publikimet zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Institutit të Statistikave, Bankës së Shqipërisë dhe OECD-së.

Për një informacion më të detajuar mbi llogaritjet aksesoni materialin në Excel që shoqëron këtë artikull.

Shkarko excel: Kosto e Borxhit Publik në Shqipëri, 2000-2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania