Në bazë të të dhënave zyrtare, popullsia në Shqipëri deri në datën 1 janar, 2010 ishte 3.195.000 banorë. Ajo është vetëm 4.3% më e lartë se sa në vitin 1998 dhe sic mund të shikohet edhe nga grafiku, rritja ndër vite ka qenë me ritme të ngadalta. Dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këto ritme rritjeje, e cila nuk e kalon asnjëherë masën 0.75% nga viti në vit, janë emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.
 
Burimi: INSTAT
Përpunimi dhe komentet: ODA

Studimet mbi lindshmërinë në vend tregojnë se ky indeks ka përjetuar rënie të vazhdueshme që prej viteve ’90. Kjo tendencë vihet re kryesisht për femrat në moshë të re. Kështu, lindshmëria në grupmoshën 15-19 vjec ka rënë nga 50 lindje për 1000 femra në vitin 93-94, në 20 lindje për 1000 femra në vitin 2008-2009, pra rreth 60% më pak.
Në një krahasim total në kohë, lindjet kanë rënë nga 82.000 në vitin 1990, në 36.000 në vitin 2008. Kjo ka ardhur si reflektim i ndryshimit të botëkuptimit lidhur me angazhimin ndaj fëmijëve, por edhe si pasojë e një përfshirjeje më të lartë të femrës në jetën sociale dhe dalja nga roli tipik i nënës në familje. Aktualisht, Shqipëria ka një indeks lindjeje prej 1.6 fëmijë për femra në moshë për të lindur, indeks ky i krahasueshëm me vendet e rajonit.
 Ajo që mund të thuhet në fund të kësaj analize është se ulja e lindshmërisë, e për pasojë edhe e ritmit të rritjes së popullsisë po ndikon në plakje të popullsisë. Kjo dukuri do të jetë më e dukshme në vitet e ardhshme, pasi Shqipëria vazhdon të ketë një popullsi me moshë të re, me një mesatare, 32 vjec.